Në stinën e gripit, epidemiologët: Do të shtohen të prekurit
Koronavirusi i ri ka marrë vëmendjen botërore për pasojat e rënda dhe përhapjen me shpejtësi në popullatë, por as gripi nuk duhet neglizhuar. Epidemiologët tregojnë se të dy janë viruse respiratore, madje dhe pasojat fatale i kanë në të njëjtat nivele. Në stinën e gripit, specialistët e shëndetit publik këshillojnë higjienë të shtuar dhe konsulta me mjekët.
“Çdo vit, rreth 400 mijë anëtarë të popullatës, në nivel global infektohen nga gripi. Ka edhe raste fatale që shkojnë nga 3 deri në 4 përqind. Llogariteni që edhe koronavirusi, deri në këto momente që ne flasim, ka një përqindje fataliteti. Marrja e masave parandaluese kundrejt këtyre viruseve, duke filluar nga higjiena persona, higjiena e mjedisit ku ne jetojmë”, janë masat më të mira që duhet të ndërmarrin qytetarët”, shprehet Eugena Tomini, përgjegjëse e mbikëqyrjes epidemike, ISHP.
Edhe pse virozat janë në qarkullim, jemi larg epidemisë së gripit. Përgjegjësia e mbikëqyrjes epidemike në Institutin e Shëndetit publik, Eugena Tomini, sqaron se numri i të prekurve ka arritur mbi 16 mijë në javë. Ndërkohë, në institucionet arsimore ka rënë pjesëmarrja e fëmijëve për shkak të prekjes nga gripi. Por si vepron ISHP-ja në këto raste dhe a pezullohet mësimi?
“Nëse do të jemi në prag epidemie, sigurisht që do të merren vendime. Sigurisht që këto masa vijnë në një moment të caktuar dhe ky lloj plani aktivizohet kur ne do të jemi në prag epidemie. Por nuk ka vend për panik”, shprehet Tomini. Me fillimin e shkurtit, pritet një rritje e sëmundshmërisë nga virozat gripale. Në vendin tonë, por dhe në Europë është në qarkullim virusi i tipi Ah1n1 dhe ai i tipit B.Deri tani gripi nuk ka shënuar humbje jetë, ndërkohë me koronavirus nuk kemi asnjë rast të prekur.