Negociatat ndoshta nuk do të çelen kurrë

Nga Marjana Doda –

U trumbetua me të madhe fillimi i procesit të çeljes së negociatave, më 28 Qershor 2018. U angazhuan vende të fuqishme anëtare dhe krerë të vetë institucioneve të BE-së, por gjithçka përfundojë me një përgjigje të thate e shabllone; Vitin tjetër. Pra, “Do çelen në Qershorin tjetër”. Kjo e justifikuar për vetë problematikën që ka rajoni i Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, si dhe Shqipëria dhe Maqedonia në veçanti, por dhe më keq, për atë çfarë mbart vetë Unioni në tërësinë e tij. Një përgjigje negative që solli një tis skepticizmi se çelja e negociatave, nuk do të behet jo më në vitin e ardhshëm, por ndoshta kurrë, dhe kjo për shumë arsye.

BE është krijuar si një sistem vlerash dhe rregullash të arrira të një shoqërie të emancipuar, është një bashkim politik dhe ekonomik i vendeve anëtare me një synim e qëllim të përbashkët, por nëse seriozisht do mendonim se a meritonte vendi ynë çeljen e negociatave, duhet pranuar se nuk e meritonim. Ndoshta kryeministri Edi Rama u tregua me shumë se ç’duhet optimist me deklaratën e tij, më 17 prill, pas dhënies së rekomandimit për çeljen e tyre, i cili do shprehej:” I dhamë Shqipërisë një staturë të re në arenën ndërkombëtare dhe dolëm nga një tjetër udhëkryq mes së shkuarës dhe të ardhmes”.  Por ky proces nuk do të bënte me faj as kundërshtarët e tij politik, të cilët për hir të së ardhmes iu bashkuan dëshirës se shqiptarëve, pasi që në muajin Mars 2018 të dy grupet parlamentare PD-LSI dolën me një deklaratë të përbashkët në të cilën u shprehen se;” Ne kërkojmë hapjen e negociatave. I kemi kërkuar dhe i kërkojmë miqve tanë hapjen e negociatave. Është një akt që do ndihmojë shqiptarët që të dalin nga udhëkryqi ku ndodhen sot”.

Por a do mjaftonte gjithçka e bërë dhe këto deklarata, ndërkohë ende një pjesë e shoqërisë dhe politikës sonë vuan nga atavizmat e mentalitetit osman, të mentalitetit komunist, të mentalitetit satrapist? A do ta meritonim, vallë? Unë them jo.

Nuk e meritojmë kur Parlamenti drejtohet nga mentaliteti i vjetër komunist e me debate populiste. Nuk e meritojmë se më në fund doli në pah padrejtësia e sistemit të drejtësisë, ku për 28 vjet politikanët tanë u mburrën se po krijonin shtet ligjor, ndërsa sot procesi i vettingut po zbardh çdo ditë të zezat e dhjetëra gjyqtarëve, prokurorëve e politikanëve të korruptuar, sistem ky ende i pa stabilizuar. Nuk e meritojmë duke qenë vendi i parë në Evropë në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, ku krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten shqetësues. Nuk e meritojmë përderisa kemi një administratë publike tejet të politizuar, ku punësimet nuk bëhen nga zyrat e punës por nga borde partiake të cilët punësojnë militantë e familjarë të tyre. Në rrotacionin politik të radhës mazhoranca e ardhshme ka të drejtën legjitime ta zhbëjë këtë administratë një partiake, atëherë, ku po shkojmë? Nuk e meritojmë se jemi dhe i vetmi vend në Evropë që ne 28 plurarizëm, në çdo fushate elektorale përsëritet i njëjti refren “Ujë dhe drita”, premtime që ende nuk janë mbajtur, ndërkohë që sot në vitin 2018, duhet të ishim duke kërkuar një nivel të barabarte jetese me vendet europiane, ku pretendojmë t’u bashkohemi. Këto premtime bazike janë kambanë e minimumit jetik, në të cilin jetojnë shumica e qytetareve të këtij vendi. Si pasojë, e vetmja mundësi jetese është emigrimi, ku me qindra shqiptarë enden dyerve të Evropës për të kërkuar azil. Mbi të nuk e meritonim se nuk mund të shkohet në Evropë me “kazanë” e “tepsia” turke, as me presione e fjalime patetike.

Kryeministri Rama duke parë se disa vende, si Franca, Hollanda, etj, ishin skeptike për çeljen e këtyre negociatave, në një intervistë për një gazetë gjermane do deklaronte: “Përse duhet te bëhem i keq me Presidentin Macron…. Nëse politika europiane errësohet dhe politika afatshkurtër triumfon mbi stategjinë afatgjatë, njerëzit duan të largohen”. Gjithçka ndodhi ishte se Macron ishte skeptik për zgjerim në një moment që jo vetëm që vendet kandiduese kanë ende shumë për të bërë, por se dhe vetë Unioni ka problemet e tij. ” Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë mund të përdoren si një armë nga politikanët e krahut të djathtë në BE”- do deklaronte ai.

Përpos deklaratave të liderëve skeptik, pati nga ata që menduan se ky proces do ti shërbente jo vetëm Rajonit por dhe Unionit në përgjithësi. Kështu, ministri i jashtëm gjerman Heiko Mass për këtë zgjerim në një editorial të Atlantic Council do shprehej:”Pasoja fatale nëse lëmë Ballkanin jashtë BE-së. Shqipëria po ndërmerr reforma ambicioze në drejtësi”. Ndërsa homologu i tij grek Nikos Kotzias, më 25 Maj do shprehej: “Nëse nuk do çelen negociatat me Shqipërinë do të ketë destabilitet. Kam frikë se nëse Maqedonisë nuk do i jepet një datë për pranim, të gjitha përpjekjet që kemi bërë me sakrifica dhe kompromise të mëdha nga të dyja palët, mund të rrezikohen. Qëllimi është për të shmangur destabilizimin e Ballkanit”.

Përpos faktorëve të brendshëm, në këtë proces luajtën rol dhe ndikimi i faktorëve të jashtëm, gjë për të cilën ministri Jashtëm Ditmir Bushati do shprehte pesimizmin e tij në një intervistë për “The Japan News” në vizitën e tij në Tokio duke thënë se: “Ne ende nuk kemi parë një strategji të qartë të BE-së se si të punojë me Ballkanin Perëndimor. Ne nuk kemi dëgjuar liderët europianë që të flasin për rrezikun që Ballkani Perëndimor të përçahet ose të bjerë nën ndikimin e të tjerëve”, -nënkuptuar kjo se ky rajon mund të bjerë nën influencat ruse, kineze, turke, etj.

Maqedonia mbetet e brishtë, sepse ka një opozitë agresive destabilizuese të dyshuar se është lidhur me faktorë të jashtëm dhe që ende paralajmëron protesta për mos ndryshimit të emrit. Ndërsa Moska zyrtare është shprehur hapur se nuk e shqetëson fakti që Maqedonia po kërkon të futet ne BE, por nuk është dakord me aderimin ne NATO, duke e konsideruar këtë një cënim të sigurisë. Ndonëse kinezët shfaqin në sipërfaqje thjesht interesa tregtare dhe investime, Turqia përveç këtyre, kërkon influenca nëpërmjet religjionit fetar, aq sa Erdogan i konsideron vendet me popullsi myslimane si të tijat. Kërcënimi i hapur që i bëri kryeministrin të Kosovës Ramush Haradinaj, kalojë çdo lloj caku dhe asnjë lider shqiptar nuk reagojë. Rreziku i depërtimit dhe tranzitimit të elementeve ekstremistë e terroristë nga Shqipëria, e bëjnë ende të pasigurt dhe të papërshtatshme atë për familjen europiane.

E megjithatë, qoftë nga faktorë të brendshëm apo të jashtëm, çelja e negociatave dështoji. Politikanët fajësuan njëri-tjetrin. Në një intervistë për Zërin e Amerikë, më 28 Qershor Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi u shpreh se:” Unë mendoj që Shqipëria është në një rrezik shumë të madh, është në një rrezik asimilimi, është në një rrezik të identitetit kombëtar..Ajo cilësojë se opozita ne mënyrë unisone i ka çuar letër komisionierit Hahn për hapjen e negociatave, dhe pse ky i fundit ka shfaqur rezerva lidhur me azilkërkuesit nga Shqipëria apo lirinë e medias. Me gjithë këtë dështim, kryeministri Rama do të vetëngushëllohej dhe do ta konsideronte fitore. Më 26 Qershor do deklaronte;” Pas 72 orësh mes dallgëve të brendshme të BE-së, Shqipëria ia doli të marrë datën për hyrjen në portën e Evropës Bashkuar”. Fitore të tillë e quajti dhe homologu i tij maqedonas Zoran Zaev.

Deklarata inkurajuese do të bënin dhe liderë të Unionit. Presidenti Këshillit Evropian Donald Tusk do shprehej;” Ministrat e Jashtëm te BE-së e hapën rrugën e fillimit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në Qershor 2019″. Ndërsa komisionieri Johanes Hahn me 26 Qershor në Twitter do shkruante: “Rrugëtimi drejt hapjes se bisedimeve të anëtarësimit në Qershor 2019 është i qartë. Një sinjal kyç për rajonin se progresi shpërblehet”. Ndërsa në Samitin e Londrës më 10 Korrik do specifikonte se ka patur progres përsa i përket marrëveshjes negociatave mes Greqisë dhe Shqipërisë për kufirin detar dhe çështje të tjera të mbetura pezull. “Duhen ndryshime që të avancohet në Evropë”- do deklaronte ai. Çelja negociatave morì vlerën e mëshirës aq sa dhe k.min Malit të Zi, Dusko Markoviç në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive në Shkodër do shprehej se; ” Konfirmoj gadishmërinë e Malit të Zi dhe do ofroja përvojat tona”.

Megjithate pas një viti ndoshta do ndryshojnë shumë situata. Interesi amerikan në kontributin për NATO-n nuk është më si më parë, partneriteti ruso-amerikan në zgjidhjen e shumë problemeve dhe konfliteve kudo në botë po del si domosdoshmeri. Ksenofobia, multikulturalizmi, sfida me një te djathtë ekstreme në rritje, kriza e emigrantëve, Brexit, etj. ndoshta po krijojnë kushte që vetë BE nuk do të ketë siguri për të ardhmen normale të saj. E krijuar që para 60 vitesh, ende mbetet një Union i dobët që nuk funksionon. Ndonëse kërkon ti përngjajë SHBA- ve, por ajo duhet të ketë parasyshë kontekstin historik dhe gjeografik që ato u krijuan para dy shekuj e gjysëm, ndërsa nuk funksionuan federatat Sovjetike dhe Jugosllave të formuar nga shtete të kombeve të ndryshme, dhe për rrjedhojë, e njëjta situate mund të ndodhë dhe me Evropën e Bashkuar, që në kaq dekada ende nuk është konsoliduar.

Dhe pse për skeptiçizmin për të ardhmen dhe funksionimin e BE është folur nga analistë e liderë të ndryshmëm europianë, një deklaratë e datës 28 Qershor e ministrit të Brendshëm dhe zv/ Kryeministrit italian Matteo Salvini, e bën të zymtë prespektiven e Unionit. “BE është duke u përballur me një krizë ekzistenciale dhe mund të shpërbëhet brenda 12 muajëve të ardhshëm. Përpara kemi zgjedhjet europarlamentare. Brenda një viti do shohim do të ketë ose jo një Evropë të Bashkuar”- do deklaronte ai për revistën gjermane Der Spiegel.

Tërësia e faktorëve të brendëshëm e të jashtëm ende nuk të bëjnë optimist në çeljen e negociatave. Vjeshta që po vjen dhe viti i ardhshëm tregon se mund të kemi një klimë me vranësira e “shira politik’’ që do bëjë që të shpërfytërohen e lagen shumë marrëveshje. Në vitin 2019 do kemi ngjarje të rëndësishme politike. Në Shqipëri do ketë zgjedhje për pushtetin lokal që mendohet të zhvillohen me një konflikt të fortë politik. Më 23-26 Maj do të zhvillohen zgjedhjet europarlamentare( tashmë pa 73 eurodeputet britanikë pas Brexit), që do të krijojë ndoshta konfiguracionin e një Evrope më të dobët. Gjithashtu humbja e interesit amerikan në zonat e konfliktit, e mbi të gjitha me Rusinë, bën që të bjerë ndoshta dhe interesi për Ballkanin.

Gjithsesi, le të shpresojnë se një ditë ndoshta do të çelen negociatat, dhe pse nga sa analizuam duket se ato do vonojnë shumë, në mos nuk do të çelen kurrë. Le të shpresojmë se kësaj aspirate do ti shërbejë konfigurimi i një Evrope më të bashkuar e konsoliduar, por dhe të një Shqipërie më të zhvilluar që mund të ndodhë vetëm me një koalicion me bazë sa më të gjërë dhe një monitorim sa më të rreptë europian, e cila mund të jetë e vetmja shpresë për të ardhmen e dëshiruar.

 

 

 

 

SHKARKO APP