Nënë Tereza, njohja me një shenjtore

Nënë Terezë, cila është dita më e bukur për ju? -“E sotmja! Sepse mund ta mbush përsëri me dashuri”.

Cila ëshë gjëja më  e bukur në botë?- “Dashuria. Sepse Zoti është dashuri!”.

“Njoha një shenjtore”. Kështu titullohet libri kushtuar Nënë Terezës, shkruar nga kardinali Angelo Komastri, mëkëmbës i përgjithshëm i Papës për Qytetin e Vatikanit,  botuar në prag të shenjtërimit, nga Shtëpia Botuese e Shën Palit. Hirësia e tij tregon takimet e shumta me Shenjtoren e ardhshme duke i krijuar mundësi lexuesit, të njihet me një mori historish, shkrimesh e uratësh të Nënë Terezës e kushtuar Asaj. Për “Radio Vatikanin” kardinali Angelo Komastri flet për përvojën e tij të jashtëzakonshme, me që pati fatin e madh të ishte shumë pranë Shenjtores së shqiptarëve.  Më 4 shtator shqiptarët do të kenë të parën shenjtore të kohëve moderne.

Si e njohët Nënë Terezën?

Mendoj se takimi me Nënë Terezën ishte një nga dhuratat e mëdha, që më bëri Zoti. E rrëfej se sa herë e takoja, më ngjallte në zemër një qetësi të pazakontë. Më dukej sikur më zbriste Zoti vetë në shpirt. Një herë më magjepsi mënyra sesi një gazetar e portretizoi me dy fjalë Motrën imcake: “Nënë Tereza është dritare e hapur, e Zoti doli në këtë dritare  e i buzëqeshi botës”. Më pëlqen shumë ky portret, sepse sa herë e takoja kisha pikërisht ndjesinë fizike të afrimit tek Zoti. Ndjeja se Zoti ishte në shpirtin tim. Kur e përshëndeta herën e fundit, në shtëpinë  romake të rrugës Casilina – ishte data 22 maj  1997 – ajo qe e sëmurë e shihej se i kishin mbetur pak forca. Me këtë rast i fola për vuajtjen time të thellë, shkaktuar nga vdekja e nënës. I thashë: “Motër, nëna më la!”. E ajo, e kujtoj akoma, gjegji: “Nëna jote është në qiell. Tani e ke më pranë se kurrë.”, e shtoi “edhe unë po shkoj në qiell. E do të më kesh gjithnjë pranë”. Këto fjalë vijojnë të më japin një ngushëllim të jashtëzakonshëm, sepse kur Nënë Tereza premtonte, e mbante gjithnjë premtimin.

Me shenjtërimin, do ta kemi edhe më pranë. Nga qielli, mund të bëjë për ne më shumë se bëri, në mënyrë të jashtëzakonshme, kur ishte mbi tokë…?

Nuk ka dyshim. Gjon Pali II pati thënë: “Shenjtorët  në qiell nuk kanë nevojë për duartrokitje. Shenjtorët na kërkojnë vetëm t’i ndjekim”. E Nënë Tereza nuk u lodh kurrë së thëni: “Të jini shenjtorë!”. E kujtoj kur më jepte ndonjë figure. Më shkruante gjithnjë: “Be holy” – “Ji shenjt!”. E të njëjtën gjë na e thotë edhe tani, sepse e vetmja gjë, që vlen, është pikërisht shenjtëria. Për të përdorur fjalët e saj “E vetmja valixhe, që do të marrim me vete, kur të shkojmë në jetën tjetër, do të jetë ajo e  dashurisë së krishterë”. Kujtoj se kur m’i tha këto fjalë, shtoi edhe: “Derisa je në kohë, mbushe, sepse është e vetmja valixhe, që mund të marrësh me vete”.

Në libër, kapitujt pasohen nga lutjet e Nënë Terezës, ose nga ato, që i pëlqenin më shumë e i thoshte ditë për ditë…?

Mund të themi se sekreti i Nënë Terezës është pikërisht lutja. Kur Pérez de Cuéllar (asokohe Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së) e paraqiti para Kombeve të Bashkuara me fjalët  pakëz si tepër të bujshme: “Po ju paraqes gruan më të pushtetshme të Tokës. Ajo  mund të quhet vërtet ‘Kombet e Bashkuara’, sepse ka në zemër  të varfrit e gjithë botës”, Nëna iu përgjigj: “Unë jam thjesht një murgeshë, që lutet”. E shtoi “Duke u lutur, Jezusi më vë në zemër dashurinë. Unë shkoj e ua çoj të varfërve të mbarë botës, të varfërve, që takoj”. Më pas pati guximin të thoshte: “Lutuni edhe ju, e atëherë do të kujtoheni për të varfrit, që i keni aty pranë, ndoshta në përdheset e shtëpisë suaj”.

Nënë Tereza kishte aftësi  të jashtëzakonshme komunikimi me të gjithë. Ju besoj e kujtoni akoma princeshën Dianë…

Po. Nëna e pati pritur me shumë dashuri princeshën Dianë, por jo  aq pse ishte princeshë, sa pse ishte bijë e Zotit. E kur ndokush i bëri vërejtje për këtë pritje, ajo gjegji: “Unë nuk e kam pritur kurrë princeshën Dianë; unë pres gjithnjë të mjerën Dianë”. E kjo është gjë shumë e bukur. Ajo dinte t’u hynte të gjithëve në shpirt, princër e shërbëtorë, të varfër e të pasur, sepse për të ishin bij të Zotit, ashtu siç duhet të jenë për të gjithë.

Ç’kujtime ju mbeten nga takimet e shumta me Nënë Terezën?

Secili takim kishte bukurinë e vet; secili ishte i pasur. Por një më mbeti posaçërisht në kujtesë me gjithë freskinë. Ishte ai, kur i thashë Nënë Terezës: “Pata pritur nga ju të më pyesnit sa herë bëj vepra bamirësie”. E Ajo m’u përgjigj: “Pse, ti beson se unë mund të bëj vepra të tilla? Se do të mund të shkoja tek të varfrit, po të mos lutesha? E, duke u lutur, Jezusi më vë në zemër dashurinë. Unë shkoj e ua çoj të varfërve, që takoj në udhën time”. E shtoi duke më tundur gishtin: “Mos harro se, pa Zotin, jemi tepër të varfër për t’i ndihmuar të varfrit”.

 

E lumnuar nga Gjon Pali II, apostull i Mëshirës Hyjnore, po shenjtërohet nga Papa Françesku, në Jubileun e Mëshirës. Mund të themi se është dëshmitarja, ndoshta më e fuqishme, e Mëshirës Hyjnore në kohët tona?

Kur një gazetar deshi t’i fotografonte sytë e Nënë Terezës – e unë isha i pranishëm e i thashë: – Pse ngulni këmbë? Ju po e mërzisni Nënën”, gazetari ma ktheu: “Dua t’ia fotografoj sytë: nuk kam parë kurrë sy kaq të lumtur. Dëshiroj ta kap në një farë mënyre sekretin e gëzimit të këtyre syve”. Kujtoj se motra aty pranë ia përktheu fjalët e gazetarit në anglisht. Nëna iu përgjigj: “Sekreti është shumë i thjeshtë: sytë e mi janë të lum, sepse duart e mia terin shumë lot. Bëni edhe ju kështu: kini sy të lum, ashtu si të mitë”.

BOX

PJESË NGA LIBRI

Ata që patën fatin e madh të jenë pranë Nënë Terezës, mblodhën shumë margaritarë të çmuar që, gati vetvetiu, i dilnin nga goja, duke i mbushur me dritë gjestet e saj të përditshme,  të vogla e të mëdha. Ia vlen të ndalemi një çast e të reflektojmë për pyetjet, që iu bënë e, sidomos, për përgjigjet:

“Nënë Terezë, cila është dita më e bukur për ju?”.

-“E sotmja! Sepse mund ta mbush përsëri me dashuri”.

“Njeriu më i rëndësishëm?”.

-“Ky, me të cilin po flas.”

“Gjëja më e lehtë?”.

-“Të gabosh”.

“E zanafilla e të gjitha të këqijave?”.

-“Egoizmi, jam e sigurt”.

“Cila është zbavitja më e këndshme?”

-“Puna, sepse pushtohem nga gëzimi, kur u jap pakëz gëzim të tjerëve”.

“Cilët janë profesorët më të mirë?”.

-“Fëmijët, ngaqë nuk kanë maska!”.

“Sekreti i lumturisë?”.

-“T’u bësh mirë të gjithëve… gjithnjë!”.

“Njeriu më i rrezikshëm?”.

-“Ai që shtiret, sepse nuk e di kë ke përpara”.

“Ndjenja më çarmatosësh?”.

-“Mllefi, sepse të shtyn të bësh të gjitha llojet e marrëzisë”.

“Cila është dhurata më e bukur?”.

“Fjala, sepse e bën të lum kë jep e kë merr”.

“Gjëja më e domosdoshme?”.

-“Familja. Po, familja! Mos harroni se dhurata më e mirë që një atë mund t’u bëjë fëmijëve, është ta dojë nënën e tyre. E dhurata më e mirë, që mund t’u bëjë nëna, është ta dojë fort babain e tyre. Përvoja  na  e kujton këtë me zë të lartë çdo ditë!”.

“Mbrojtja më e mirë?”

-“Buzëqeshja, sepse të çarmatos!”.

“Ilaçi më i dobishëm?”.

-“Optimizmi, sepse i shëron të gjitha sëmundjet”.

“Gjëja më  e bukur në botë?”.

-“Dashuria. Sepse Zoti është dashuri!”.

 

SHKARKO APP