Nënshkruhet kontrata për Dixhitalizimin e RTSH
Ministrja e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito dhe Televizioni Publik Shqiptar nënshkruan sot kontratën me kompaninë Rohde & Schwarz për ndërtimin e rrjeteve dixhitale të RTSH.
Pas një periudhe të gjatë negociatash, kontrata për kalimin e RTSH në transmetime dixhitale u konkludua sot me nënshkrimin e saj mes tre palëve duke nisur kështu puna për ndërtimin e dy rrjeteve të RTSH të cilat do të mundësojnë kalimin e transmetimeve audiovizive nga analoge në numerike. Kontrata për dixhitalizimin e RTSH u firmos nga Ministrja Milena Harito, Drejtori i Përgjithshëm i RTSH, Martin Leka, Drejtori i Pergjithshëm i kompanisë Rohde & Shwarz, Franz Büchsenmeister, në prani të Ambsadorit Gjerman në Shqipëri, Hellmut Hoffmann.
Me fjalën e saj Ministrja Harito tha se përfundimi i kësaj etape të rëndësishme mundëson respektimin e afatit botëror për transmetimet audiovizive duke garantuar për qytetarët shqiptarë TV dixhital pa pagesë. Shqipëria i bashkohet kështu vendeve të rajonit dhe të Europës perëndimore, të cilët e kanë realizuar tashmë këtë proces. Kontrata e firmosur sot zbaton vendimin e gjykatës, i cili i kthen të drejtën kompanisë gjermane Rohde&Shwarz, e drejtë, e mohuar padrejtësisht në procesin e realizuar nga qeveria Berisha.
Ky vendim zbatohet plotësisht sot në përpjekjen tonë të përditshme për kthimin në vend të shtetit ligjor e të parimeve kushtetuese.
“Ndërtimi i rrjeteve për dixhitalizmin e RTSH do të fillojë menjëherë dhe pritet që kompania dhe RTSH të intesifikojnë punën dhe për të realizuar kalimet e transmetimeve nga analoge në numerike për mbulimin e popullsisë sipas parashikimit në ligj, duke mbështetur fort edhe operatorët lokalë për të transmetuar në teknologjinë më të fundit të mediave audiovizive”, tha gjithashtu në fjalën e saj Ministrja Harito.