Neritan Liçaj: Duhen më shumë investime në teatër

Intervistoi: Sidorela Lepuri

Dikush do ta identifikojë si Genti, duke risjellë në mendje filmin “Unë, ti dhe Kasandra”, dikush tjetër si Landi tek “Sekretet e Spartak Peçanit” dhe kështu dashur pa dashur secili prej nesh do ta identifikojë atë me rolin e tij të preferuar. Por pavarësisht roleve të shumta qw ka interpretuar, sikurse thotë edhe ai vetë, mbetet sërish Neritani, ai djali qw pwrtej ro;eve skenike mbetet i thjeshtw dhe modest. Në një intervistë për gazetën “Koha Jonë”, aktori i njohur, Neritan Liçaj flet rreth karrierës së tij, problemeve të teatrit, publikut që e ndjek, si edhe rrëfen për shfaqjen që është duke punuar kohwt e fundit.

Si  e keni filluar karrierën tuaj si aktor profesionist në teatër dhe në filma?

Fillimet kanë qenë siç ndodh zakonisht. Unë kam pasur oferta që kur kam qenë student për të luajtur një rol në teatër por më është dashur ta lija kur vendosa të emigroja në Itali. Pastaj u ktheva, mbarova shkollën dhe filluam me produksionet këtu në Teatrin Kombëtar. Ishte në kuadër të angazhimit të të rinjve në Teatrin Kombëtar. Filluan punët e para, pastaj kalova edhe në projekte të mirëfillta në teatër. Sikurse fillojnë karrierat e aktorëve në Shqipëri dhe në botë; do mbarosh shkollën, do të ofrohet një rol, do të shohin sa i mirë je dhe më pas të marrin regjizorët sepse duan që ti bësh punën. Ka qenë një ecje normale, por ka ndikuar edhe fati. Unë kam pasur shumë shok e shoqe shkolle që ishin aktorë shumë të mirë në atë kohë dhe ikën. Ikën dhe nuk e ushtruan profesionin e tyre. Pra unë isha njëçik më me fat në këtë drejtim.

Përse zgjodhët aktrimin si profesionin, me të cilin do të shoqëronit më pas gjithë jetën?

Ishte pasion që në moshë të vogël. Nuk e mendoja se do të bëhesha aktor por më pëlqenin filmat, më pëlqente teatri. Në organizime të ndryshme unë aktivizohesha, recitoja, luaja edhe ndonjë skeç pa idenë dhe pa mendimin se do bëhesha aktor një ditë. Siç meresha me sport merresha edhe me këto.

Keni patur ndonjë aktor idhull apo model, qoftë ky i huaj, apo shqiptar?

Po kam pasur shumë si aktorë shqiptarë, ashtu edhe të huaj. Aktorë të mirë Shqipëria ka plot e kam thënë dhe vazhdoj ta them: Shqipëria ka patur dhe do të ketë gjithmonë aktorë të mirë sepse jemi popull me temperament shumë të fortë. Duke filluar që nga Sulejman Pitarka, Kadri Roshi, Timo Flloko, Bujar Kapexhiu, që janë aktorë të jashtëzakonshëm. Idhuj në kuptimin që vlerësoj anën e tyre profesionale, janë aktorë të mrekullueshëm dhe fati im ka qënë se kam punuar krah tyre dhe në një farë mënyre i kam vjedhur profesionalisht. Bota pastaj ka plot, duke filluar që nga Brandoja, Geri Hollman, Dastin Hofman, Roberto Deniro, Al Pachino etj.

Cilat janë disa nga rolet të cilat ju keni interpretuar që kanë lënë gjurmë tek ju?

Çdo rol le gjurmë. Funksionon kështu, nëse roli të pëlqen ti e merr dhe lë gjurmë pasi të ka pëlqyer pastaj se sa ai rol arrihet në skenë nga aktori është pune tjetër sepse ka role që dalin mirë, madje shumë mirë e disa herë jo mirë. Është pjesë e profesionit të bësh role të ndryshme. Në një farë mënyrë çdo rol le mbresë jo vetëm tek aktori, por edhe spektatori.

Si e perceptoni interesin e shqiptarëve përkundrejt teatrit?

Për teatrin është ngritur shumë interesi. Unë kam vënë re se shqiptarët u lodhën tashmë me pube dhe me bare. I janë kthyer teatrove, kinemave, operës dhe stadiumeve sepse kanë kuptuar që argëtim nuk është bari. Këto kanë pjesën e vet, por arti dhe sportet të japin diçka më tepër, të mbushin emocionalisht dhe shpirtërisht.

Publiku i teatrit është zakonisht i ri apo në moshë të thyer?

Ka filluar shumë të afrohet publiku i ri. Gjithmonë ka patur publik të ri, por sidomos dy vitet e fundit e them me lumturi që shumë të rinj vinë në teatër. Teatri është bërë për ta një event special dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Nga publiku që na vjen ne në teatër qëndrojnë në raporte të barabarta.

Cilat janë disa nga problemet aktuale të teatrit në vendin tonë?

Nëse do të flasim për nivele profesionale nuk ka asnjë të tillë. Niveli artistik është ngritur shumë dhe tregues është salla që mbushet çdo natë. Problem dhe shqetësimi kryesor është infrastruktura, investimi dhe subvensionimi shtetëror. Ndërtimi i një teatri të ri modern, të denjë për Shqipërinë e shekullit 21 në Evropë duhet patjetër. Investimet e ministrisë duhet të jenë më shumë dhe të kenë më tepër produksion, jo vetëm në teatër por edhe produksione televizive.Ka shumë për të bërë sepse arti është i tillë dhe kërkon gjithnjë ngritje të nivelit artistik , por për mendimin tim sidomos Teatri Kombëtar, po jo vetëm edhe Metropoli po punon shumë mirë, Eksperimentali edhe rrethet janë shumë lart.

A ka ndryshuar diçka me vendosjen e drejtorit të ri në krye të Teatrit Kombëtar?

Kanë ndryshuar shumë gjëra. Ka ndryshuar produksioni që është rritur. Nëse dy vite para  ardhjes së Çulit kishte 2 premiera, tani vetëm në një vit kemi 5 premiera.

Tek rritja e cilësisë ndikon futja e aktorëve të rinj në teatër?

Absolutisht po. Një nga faktorët kryesor është prurja e të rinjve, pra hapja e dyerve të teatrit për artistët e rinj. Vë re me shumë kënaqesi që ka disa regjizor të rinj që vënë në skenë të teatrit veprat e tyre për herë të parë.

Keni patur ndonjë mendim për ta lënë profesionin dhe të largoheshit?

Sigurisht, jo se kisha unë dëshirë por nuk funksiononte. Pastaj filloi të merrte veten dhe vazhdoi përsëri puna.

Është e lehtë të jesh aktor në Shqipëri?

Jo nuk është e lehtë. Është e bukur, shumë e bukur, por jo e lehtë.

Suksesi juaj si aktori është fryt i punës apo fatit?

Të dyja bashkë nuk mund ti ndash me thikë. Puna është jashtëzakonisht e rëndësishme. I madhi Vangjush Vurrxhi më ka thënë në vit të parë: “Neritan plus, minus e keni talentin të gjithë ju, problemi është se sa investon”.  Kur them punë nuk them vetëm prova, por sa dedikohesh, sa shikon, sa percepton, sa lexon edhe kjo është pjesë e punës sepse rrit ndjesinë artistike tek artisti. Por është edhe fati edhe dashamirësia e njerëzve.

Është e vështirë të veshësh cilësitë e një personazhi për një rol të caktuar?

Është e vështirë. Të bëhësh një karakter nuk është e thjeshtë. Kërkon punë shumë, mund, kërkon dashuri dhe e rëndësishme është të gjesh atë që dramaturgu dhe regjizori kanë dashur të thonë me anë të atij roli.

Veprat më të ndjekuar janë ato vendase apo nga dramaturgjia botërore?

Varet nga dramaturgjia dhe spektakli. Ka pasur pjesë të dramaturgjisë kombëtare që kanë qenë pjesë shumë të mira por nuk janë vënë me cilësi të madhe në skenë dhe nuk janë pëlqyer. Pra varet gjithmonë nga puna që bëhet. Në nuk bëj diferencim. Një dramë e mirë është dramë e mirë si shqiptare apo botërore.

Si janë marëdhëniet e teatrit tonë me atë të Kosovës?

Teatri i Kosovës është teatër goxha i mirë për mendimin tim dhe janë më novatorë në regjizurë. Janë më të hapur ndaj frymës dhe rrymës së re teatrale. Në jemi pak më skeptik. Kemi vlerat tona nuk vihen në diskutim por jemi më tradicional ndërsa ai kosovar tenton më shumë drejt eksperimentit dhe drejt formave të reja të të bërit teatër.

Vlerësimi më i madh për një aktor?

Duatrokitja, dashuria e publikut. Nuk ka kënaqësi më të madhe profesionale se sa ovacioni i publikut dhe dashuria me të cilën ai të duatroket në fund të shfaqes. Është shumë i rëndësishëm edhe vlerësimi i kolegëve.

A është i mjaftueshëm profesioni i aktori në aspektin ekonomik?

Jo (qesh). Jo, akoma jo. Duhet të vlerësohet më shumë jo vetëm aktori por artistët. Jo vetëm ana komerciale si këngëtarët dhe shoëbiz-i. Mendoj se vlerësimi i artistëve shqiptar duhet të jetë me i madh.

Një mesazh për të gjithë artdashësit?

Të vijnë sa më shumë.

Po për aktorët e rinj?

Të punojnë sa më shumë, ta duan me zemër profesionin e tyre dhe ti dedikohen plotësisht.

Dhe së fundmi, cila është vepra me të cilën po merreni momentalisht dhe pritshmëritë që keni për të?

Për pritshmëritë është disi herët të flasim sepse pritshmëria varet nga produkti që ne nxjerrim. Tani po meremi me “Gruaja në dritare”, është një dramë e një dramaturgeje nga trojet tona në Kosovë, Arta Arifaj fitoi “Netë të leximit” të dramës shqipe në verë dhe padyshim bordi dhe drejtoria vendosën të jetë pjesë e kalendarit. Kemi mbyllur fazën e tavolinës dhe kemi dalë në levizje dhe do jetë gati diku nga fundi i prillit ose fillimi i majit. 

SHKARKO APP