“Nermin Vlora” vlerësohet nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Nga Prof. Migena Arllati

 Në sallën e Institutit Albanologjik në Prishtinë, u organizuan dy veprimtari njëra pas tjetrës. Formimi i degës së Fondacionit për kryeqytetin e Kosovës dhe promovimi i librit “Testamenti i Grave për gratë” i autores Zenepe Luka. Në këto veprimtari ishin të pranishme gra intelektuale nga Prishtina, si Katjusha Jashari, Vlora Dumoshi, Diana Toska ashtu edhe intelektuale, që kishin ardhur nga Prizreni, Gjakova. Në këtë ishin dhe kryetare të degëve të Fondacionit nga vende të ndryshme si Dr. Zylfie Duraku Gjoni nga Mali i Zi, Rolanda Limani nga Viena, Megi Llubani nga Berlini etj. Nga Tirana ishin të pranishme zonjat Zenepe Luka, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Irini Qirjako, Vllasova Musta, Dëshira Subashi, Silvana Braçe etj.

 Moderatorja Fatmira Rrahmani, gazetare tek “Radio Kosova” në fjalën e hapjes u shpreh se “bashkëbisedimi me gruan intelektuale shqiptare mbarëkombëtare dhe formimi i degës së Fondacionit në Prishtinë, është event shumë i rëndësishëm për gratë e Prishtinës dhe në mbarë Kosovën”.  Më pas e mori fjalën themeluesja dhe kryetare e Fondacionit Zenepe Luka, që ndër të tjera u shpreh: “Sikurse më shihni, unë kam veshur një bluzë – flamur kuq e zi, që nuk i mungojnë as thekët. Nuk është e imja. Në janar të vitit 2002, kur u formua shoqata jonë në Akademinë “Iliria” në Romë, Nermin Vlora Falaschi, pinjolle e familjes Vlora, më tha: “Bija ime, po të dhuroj këtë bluzë-flamur, që ta veshësh kur të shkosh në Kosovën e pavarur. Unë, nuk e di nëse do ta arrij atë ditë”. Unë jo vetëm zbatova një amanet, por me këtë dua t’ju them se Nermin Vlora është këtu, bashkë me ne”
Të gjitha ne, e vlerësojmë të shënuar këtëditë, për faktin, se më në fund, po krijohet dega në Prishtinë, ndërkohë që në Prizren e Gjakovë, funksionojhnë prej shumë vitesh. U lumturuam kur intelektualja, më e reja iniciatorë Sebi Kamberi, na lajmëroi se 25 vajza e gra kanë firmosur për ngritjen e degës. Teksa i takuam dhe biseduam sot, ndjemë gëzim të shumëfishtë, sepse jo vetëm fuqizohet zëri i gruas, por trasmetohet tek të rejat misioni i këtij Fondacioni, për bashkimin e gruas shqiptare dhe promovimin e vlerave të saj.

Në këtë bashkëbisedim me gratë intelektuale të Prishtinës mbajtën disa ligjërata: “Pozita e gruas në media dhe raportimi i mediave për gratë”, u mbajt nga publicistja Hyrie Tejeci.  Sfidat për portretin e shqiptares së integruar”. Feride Rushiti, drejtore ekzekutive e qendrës për reabilitim mbajti referatin, “Fuqia e gruas është një urugan, që nuk ndalet” . Erina Rrahman foli për figurën e Nënë Terezës. Takimin e përshëndetën kryetaret e degëve të fondacionit Zylfie Duraku Gjoni, Rolanda Limani etj.  Kjo ngjarje u përcoll me mjaft emocione mes gërshetimit të fjalëve dhe poezive që interpretuan me mjeshtëri të lartë artistike Margarita Xhepa Nderi i Kombit të poezive me temë gruan të autorëve Çajupi, Lasgush Poradeci, Dritëro Agolli etj. Poezinë e nënës e recitoi Tinka Kurti Nderi i Kombit.

Pritja tek Presidenti

 Ka lënë mbresa të mëdha pritja që u bëri Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi Përfaqësueseve të Fondacionit ardhur nga Shqipëria dhe kryetareve të degëve të Vienës, Malit të Zi, Gjakovës, Prizrenit, Prishtinës dhe intelektualeve të tjera. Një protokoll tepër korrekt i stafit të Presidentit, ka vendosur në tryezën e bisedimeve përballë Kryeministrit kryetaren e shoqatës, e cila, pasi ka shprehur mirënjohjen e thellë për pritjen, ka bërë prezantimin e pjesëmarrëseve në këtë takim. Presidenti u ngrit në këmbë dhe dorëzon njëra pas tjetrës “ Medaljen Presidenciale të Meritave” akorduar kryetares së Fondacionit Zenepe Luka dhe dy artisteve të mëdha Margarita Xhepa e Tinka Kurti, për kontributin e tyre në kuadër të këtij Fondacioni.  Më tej një informacion rreth aktivitetit të Fondacionit, përcjellë nga Luka, ka emocionuar Presidentin, i cili me buzëqeshjen dhe përzemërsinë e tij, krijoi një atmosferë tepër të ngrohtë, duke çliruar nga emocionet pjesmarrëset.   “Ju falenderoj, ju zonja të nderuara të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, për vizitën në Kosovë dhe praninë tuaj në zyrën time. Ky fondacion tregon më së miri për marrëdhëniet e lira kulturore, që sot mund të zhvillohen në mbarë hapësirat e banuara me shqiptarë. Ju përgëzoj për punën që bëni, duke bashkuar gruan intelektuale shqiptare mbarëkombëtare, në një zë të vetëm. Dëgjova me vëmëndjen kryetaren, që u shpreh se ky Fondacion, me degët e tij në shumë shtete, për gjatë 15 viteve, me veprimtaritë e tij të shumta, ka bërë bashkimin kombëtar të gruas shqiptare dhe kjo është një arritje e madhe, që na gëzon të gjithëve”,- tha kreu i shtetit Hashim Thaçi.

Presidenti foli me emocion për përpjekjet që bëheshin para rënies së regjimit për të ndjekur emisionet kulturore-artistike dhe se me rolet e artistëve, ne jemi rritur. Në fund kryetare e Fondacionit Zenepe Luka i dorëzoi Presidentit Thaçi medaljen “Mirënjohje” të Fondacionit , dhuratën “Memoriali i Pavarësisë në Vlorë si dhe librin “Testamenti i Grave për gratë”. Thaçi u emocionua, kur u njoh me foton e 21 pasardhësve të Isa Buletinit, me kryefamiljarin Xhemail Buletini, që kanë qëndruar 1 vit në shtëpinë e kryetares së Fondacionit në Vlorë, gjatë kohës që bëhej lufta në Kosovë.

Mua që m’u ngarkua të bëjë këtë shkrim, me duhej të merrja emocionet e pjesëmarrëseve, pas këtij takimi. Të parës iu drejtova kryetares së Fondacionit, por, çuditërisht, si asnjëherë tjetër Zenepe Luka ishte përlotur. Ç’farë përjetuat nga ky takim dhe vlerësim i Presidentit të Kosovës-e pyes. Ajo u përgjigj:Flasin lotët. Ndërsa aktoret Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa janë shprehur se medalja e akorduar nga z. Thaçi ka rëndësi të veçantë, sepse është Kosova. Vitore Stefa Leka, përfaqësuese e Fondacionit për Diasporën, ka bërë publike një letër, që ua ka përcjellë edhe autoriteteteve të shtetit shqiptar. Ajo ndër të tjera, shkruan. “Si përfaqësuese e Fondacionit për Diasporën, ashtu si të gjitha degët e këtij Fondacioni, ndjehem e lumtur, që Presidenti i nderuar i Kosovës z. Hashim Thaçi, priti dhe vlerësoi Fondacionin tonë. Jam shumëfish e lumtur, që i dha medalje të lartë themelueses dhe kryetares së Fondacionit, gazetares së shquar, autores së 15 librave Zenepe Luka. E dimë ne, të gjithë e dinë, se është kjo intelektuale, promotorri i të gjitha veprimtarive që bëhen nga ky Fondacion, që nuk i kanë bërë as institucionet e shtetit, ndaj, në këtë vit të 15 vjetorit të Fondacionit, 20 degët në po kaq shtete të botës dhe qindra gra të shquara në Shqipëri e Diasporë, firmosën një kërkesë, drejtuar Presidentit të Republikës, me objekt: Zenepe Luka Të nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh”. Ne që jetojmë në emigrim, nuk kemi parë apo dëgjuar, që një shoqatë, të punojë vullnetarisht dhe të kryejë ndërmarrje kaq të mëdha brenda e jashtë vendit, duke arritur realisht bashkimin kombëtar të gruas shqiptare”,- shkruan intelektualja e njohur. Duke ju drejtuar me një letër të posaçme z. Hashim Thaçi, kemi nënvizuar: “Mirënjohje të thellë z. President, që vlerësuat kryetaren e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, intelektualen e palodhur, që është bërë burim frymëzimi për gruan e Kombit, duke promovuar vlerat e gruas së shquar në shekuj. Ne jemi shprehur me një zë të vetëm se Zenepe Luka, meriton me plot gojen të vlerësohet vazhduese e denjë e veprës së Nermin Vlorës.

Mirënjohje miqve të Fondacionit

 Shpëtimtarë të kurorëzimit me sukses të veprimtarive të Fondacionit, sikurse ka ndodhur gjatë 15 vite të rrugëtimit të tij, janë miqtë, dashamirësit, që vlerësojnë kontributet e tij. Këtë herë, në përballimin e shpenzimeve kontribuuan miqtë vlonjatë, Bujar Leskaj, Arben Malaj, Shkëlqim Selami dhe Baftjar Zeqaj. Mirënjohje dhe falënderime për këta miq të shtrenjtë. Pa ndihmën tuaj, Fondacioni nuk do të mund të shkonte në Kosovë, për të organizuar veprimtaritë e tij në Prishtinë dhe Prizren, duke përjetuar emocione të rralla gjatë pritjes dhe vlerësimet që bëri Presidenti i Kosovës z. Hashim Thaçi.

SHKARKO APP