Nëse do të kishim Gjykatë Kushtetuese

Trashgim Sokolaj, Drejtor i Informacionit në Ora News
Trashgim Sokolaj, Drejtor i Informacionit në Ora News

Nga Trashgim Sokolaj

Teatri Kombëtar mund të shembet nga casti në cast me një VKM të dalë para daljes së akt-ekspertimit që pretendon se godina është e paqëndrueshme.

Akt-ekspertimi që parashikon në vitin 2020 se Teatri duhej të ishte shembur që në vitet 80, ka dalë vetëm dy ditë pasi e ka kërkuar Bashkia e Tiranës.

Për vetëm dy ditë, ekspertë e specialistë në varësi të ekzekutivit kanë hartuar një raport që çon ujë në vendimin për shembjen e Teatrit, një vendim që ka krijuar një ndarje të qartë pro dhe kundër mes krahëve politikë.

Për këtë objekt, në gjykatën Kushtetuese janë dërguar deri tani të paktën tri kërkesa për interpretimin e çështjes.

Tani duket se askush nuk mund ta ndalojë makinerinë shtetërore në shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Por krejt e kundërta do të ndodhte nëse gjykata Kushtetuese do të ishte në funksion.

Nëse Kushtetuesja do ishte në punë, do të kishim së paku dy mundësi:

a) Gjykata do pranonte shqyrtimin e çështjet e paraqitura, dhe para vendimit të themelit, do siguronte cështjen duke urdhëruar që Teatri Kombëtar të mos preket deri në gjykimin e cështjes në themel (kjo ka ndodhur me dekretin e Hashim Thacit për mandatimin e Abdullah Hotit për krijimin e qeverisë së re në Kosovë).

b) Pasi të kishte siguruar godinën e Teatrit si të paprekshme, gjykata Kushtetuese do të merrte vendimin pro ose kundër shembjes, madje, mund të mos e pranonte fare shqyrtimin e cështjes, dhe cilido të ishte vendimi, ky debat, ky tension, kjo luftë nervash e forcash, kjo betejë pushtetesh, nuk do ekzistonte, sepse cilido të ishte fundi, nëse do kishte firmën e gjykatës, të gjithë do ta bënin gjumin të qetë.

Realisht realisht, godina e Teatrit Kombëtar mund të ketë probleme plot si pasojë e kohës së gjatë të konsumimit dhe mungesës së investimit, por, këto dy vitet e fundit, ka marrë shumë vlera politike, sociale e pse jo edhe historike, si një simbol rezistence ndaj një pushteti që nuk njeh të ndaluar dhe që e ka lënë vendin edhe pa gjykatë Kushtetuese.

SHKARKO APP