“Nëse vdes, trupin ma kthe në vendlindje”, Mark Gjonaj tregon amanetin e shqiptarit në ShBA
Rreth 10 milionë amerikanë kanë humbur vendet e tyre të punës për shkak të pandemisë. Situata ka prekur edhe komunitetin shqiptar në ShBA jo vetëm me humbje njerëzore, por edhe pasoja ekonomike sociale.
“Komuniteti shqiptar është prekur. Kanë humbur dhe anëtarë të familjes, nuk e dimë sesa janë. Ekonomia e trojeve shqiptare është mbajtur nga remitancat”– tha Gjonaj.
Këshilltari i Këshillit Bashkiak të Nju-Jork, Mark Gjonaj, në një intervistë për Ora News, tha se një problem tjetër është pamundësia për të kthyer trupat e pajetë në vendilindje.
“Dua të përmend tre raste me shqiptarë. Imagjinoje që një anëtar i familjes të humbë jetën dhe të mos kesh mundësi me shku me e varros. Para dy ditësh më thirri një shqiptar dhe më tha që po lufton me jetën dhe më la amanet që nëse vdes trupin me ja kthy në vendlindje. Shumica kërkojnë me u kthye në vendlindje dhe sa viktima janë nuk e di”, u shpreh Gjonaj.
Biznesi i vogël ka nevojë për likuiditet dhe duhet të mbështet jo vetëm me kredi por edhe para cash nga qeveria.
Kështu deklaron, Mark Gjonaj, kryetar i komitetit për bizneset e vogla në Këshillin Bashkiak të Nju Jorkut duke analizuar paketat mbështetëse në ShBA dhe Shqipëri.
“Këtu në ShBA nëse biznesi i mban punëtorët në punë, 75% e parave që marrin nuk paguhen më, janë falas. Në programe të tjera do të jenë me interesa zero ose të ulëta. Varet nga kompania sa punëtorë ka, sa punë ka. Biznesi i vogël ka nevoja më të mëdha, jo kredi se ato duhet të paguhen mbrapa por duhet gjetur mënyra që ti jepen para nga qeveria federale dhe mos të paguhen nëse marrin punëtorët në punë.
Nuk po bëhen verifikime për kreditë. Është stimulues që bizneset të vihen në punë. Nuk janë të fokusuar nëse kanë mundësi të paguajnë më vonë.Për bizneset me kredi më të mëdha me siguri do të ketë verifikime dhe interes sipas nevojave dhe programeve.
Imagjinoje me punu gjithë jetën, me hap një biznes dhe për një natë e gjitha me u shkatërru.I gjithë vullneti, djersa, rreziku dhe mundi për 24 orë janë përmbysur. E paimagjinueshme që jemi sot në këtë pozitë jo vetëm në Amerikë por gjithë botën”, shprehet Mark Gjonaj.
Shtyrjen e qirave dhe kredive e shikon pozitive deri në pikën kur nuk rrezikohen bankat.
“Dikush ka me e pagu,qeveria është e gatshme të bëjë pjesën e vet. Në këtë moment që nuk paguhen qiratë, nuk paguhen kreditë, bankat janë ato që rrezikojnë dhe ne duhet ti mbrojmë”, theksoi Gjonaj.
Në një intervistë për Ora News, Gjonaj tha se paketa stimuluese prej 2 trilion dollarësh e qeverisë federale nuk do të jetë e mjaftueshme.
“Nuk mjafton dhe janë duke u marrë masa që të plotësohen nevojat e biznesve dhe popullit dhe qeverisë lokale. Struktura që kemi pas një muaj më parë nuk ekziston.Secili që ka humbur punën do të marrë një rrogë. Kjo do të vazhdojë gjatë. Ata që kanë humbur punën nuk janë duke paguar qiranë, këstet e kredive janë shtyrë me 90 ditë”, theksoi Gjonaj.
Ai thotë se 10 milion amerikanë kanë humbur punën dhe shifrat mund të rriten pasi nuk dihet fundi i pandemisë.
“Ekonomia ka qenë duke ecur mirë, më mirë se kurrë ndonjëherë. Këtë krizë dhe në ëndërr ta kishim parë nuk do të mund të kishim parë një ëndërr më të mbrapshtë. 13% e popullësisë kanë humbur punën,10 milion amerikanë deri më sot. Numrat do të rriten. Bizneset e vogla dhe të mëdha po vuajnë, por biznesi i vogël nuk e ka mundësinë të jetë i përgatitur për krizën. Një pjesë e tyre nuk do të mund të hapen më. Duhet të mendojmë sesi do të hapen”, shprehet Mark Gjonaj.