Nesër nis Panairi i Librit “Tirana 2015”
Do të nisë nesër e do të rrijë i hapur deri më 15 nëntor edicioni i 18-të i Panairit të Librit “Tirana 2015”.
Ky panair do të bashkojë të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe: autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në masat e gjera, veçanërisht te të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë.
Tema e Panairit të sivjetshëm është “E ardhmja e librit digjital në Shqipëri”. Në këtë kuadër, Shoqata e Botuesve Shqiptarë, organizatore e Panairit, ka menduar edhe dy aktivitete për librin digjital, një konferencë dhe një workshop praktik për prodhimin e librit apo dizajnit të librit të digjitalizuar.
Gjithashtu së bashku me Vodafone Albania, do të shpallet projekti për leximin nëpërmjet telefonit dhe përdorimit të teknologjive të reja të leximit edhe në Shqipëri.
Gjatë 5 ditëve të Panairit do të organizohen aktivitete të shumta. Krahas çmimeve tradicionale të përvitshme të Panairit, këtë vit do të ketë një çmim të veçantë përkthimi “Fan.S.Noli”, që do të jetë figura që do të nderohet këtë vit, me rastin edhe të 50-vjetorit të vdekjes.
Në Panairin e 18 të Librit do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese vendase e të huaja, institucione të arsimit të lartë, dhe organizata të tjera që punojnë me librin.