Nga Elbasani në Shkodër

Fejton nga Hyskë Borobojka

Për festën e shënuar “Dita e Verës”, i shumëdashuri adashi im Hysen, më kishin ftuar dy miq të mi të vjetër. Cake Coku nga “Qyteti Kërthizë” i Elbasanit dhe Tomë Demushi nga Oboti i Shkodrës. Të them të drejtën, i dashur adash, e pata të vështirë, kujt t’ia prishja e kujt t’ia dreqja. Por prandaj vendosa të mos ua thyeja dëshirën miqve e t’i sajdisja të dy brenda një dite. Kur pashë taborin e qeverisë, me në krye kryeministrin tonë të nderuar e deputetët që po rendnin drejt qytetit, “mëmëdhe” i ballokumeve, nuk kisha si mos e filloja vizitën për ditët e shënuar të verës nga miku im në Elbasan. Miku, sipas adetit, më priti me gjithë të mirat. Por mbi të gjitha më vuri përpara të shijoja ballokumet, traditë e këtij qyteti, që dinë t’i gatuajnë me aq shijë e lezet.

-Dëgjo mikun tënd, – më tha Cakja, – Këto janë ballokume të vërteta, që di t’i gatuaj Elbasani, jo ato që shiten rrugëve e trotuareve për tregti, që kanë vetëm emrin ballokume, por jo shijen.

Duke ndenjur gju më gju me mikun tim të vjetër, fjala ndoqi fjalën dhe ai më tregoi fije për pe historinë e Ditës së Verës e të ballokumeve. Kjo traditë është shumë e lashtë, që nga koha pagane.

-I nderuari Hyskë, – më këshilloi Cakja, – në do të shijosh ballokume të vërteta mos bli tek ata që shesin rrugës, por eja në familjet elbasanase.

Ai kishte të drejtë. Po të mos ishte kështu s’do të bënin yxhym drejt këtij qyteti kryeministri, presidenti, deputetët e me radhë.

Si u kënaqëm me biseda e me shijen e ballokumeve të vërteta, duke falenderuar mikun tim për pritjen e përzemërt i thashë:

-Epo tani të më falësh, o miku i mirë, se duhet të iki!

-Në asnjë mënyrë! – nguli këmbë ai – Do të rrish për drekë se do të therë këndezin. E ka mbushur kupën virami, kafsho e bot pulat, ua çkuli pendët. Si duket i do dashnoret me tanga apo nudo.

I thashë se nuk doja t’ia prishja qejfin, por duhet të sadisja për “Ditën e Verës” edhe mikun Tomë në Obot të rrethit të Shkodrës.

-S’të lë! –ai

-Do të ikij!- unë.

Kështu vajti kjo punë, “çel e mbyll”. Më në fund ramë në “konsensus” (ujdi, shqip) si deputetët në Parlament dhe, si më mbushi trastën me ballokume për Nafijen tim e për mikun Tomë, mora rrugën për në Obot të Shkodrës. Por sa mbërrita në kufi të fshatit, çfarë të tregoj, i shumëdashuri Adash. Ishte bërë një liqen me ujë, sa liqeni i Shkodrës e më i madh se gjoli i Pogradecit. Uji kishte rrethuat jo vetëm tokat e fshatit, por edhe shtëpitë, që dukeshin sikur notonin në mes të ujit. Sa më pa nga larg Toma, më thirri:

-Prit, i dashur Hyskë, se erdha të të marr!

Dhe vërtet, kur ç’të shoh?! Tomën, me çizme të gjata si të gjuetarëve të shpendëve në gjole e liqene, që po vinte me varkë. Erdhi gjer afër bregut, e la aty varkën dhe nxitoi drejt meje. Më mori kalikiç në kurriz e më hipi në varkë.

-Mos u tremb, i shtrenjti Hyskë Borobojka, se është varkë e zgjedhur me kualitet të lartë. Na i ka dërguar qeveria, që të lëvizim në rrugët ujore e të mos mbetemi brenda, si në “arrest shtëpie”.

Varka e dërguar nga qeveria u nis drejt banesës së mikut tim të vjetër, por unë, të them të drejtën, i dashuri adash, më zuri frika e po dridhesha. Mendoja sikur ajo të përmbysej, si do vinte filli im, që s’dija not të delja në breg. Në ato çaste, kur varka, (jo e Noes, por e qeverisë), çante ujërat, mallkoja veten që s’e mësova dot notin në rini, që ta kisha peshqesh në pleqëri. Por Toma ishte varkar i thekur. S’e kishte as të parë e as të fundit vozitjen mes ujërave. Sa herë shtrydhin brekët retë e derdhin shiun me gjyma të mëdhenj e kur hapnin digat hidrocentralet mbi lumin Drin, që nga Fjerza, Komai e deri te Vau i Dejës, Nën Shkodra bëhej liqen. Njerëzit vozitnin, as me kalë e gomar e as me makina, por vetëm me varka. Prandaj edhe miku ima Tom, kishte fituar përvoje në këtë fushë e çoj sallam deri të banesa e tij. Kur ç’të shikoj. Shtëpia e tij dykatëshe dukej si një vapor i vogël, ku katin e parë e kishte zaptuar uji.

-Prit, i dashuri Hyskë, mos zbrita sa të marr shkallët të ngjitemi në shtëpi nga ballkoni! – më këshilloi Toma. dhe solli një palë shkallë të gjata që arrinin deri sipër në ballkonin e shtëpisë.

Më këshilloj t’i vendosja mirë këmbët në to e të mos trembesha se ishin të forta. Shkallët s’i ndante nga shtëpia, sikur ta dinte se do t’i duheshin kur banesën e tij ta rrethonte uji. Ngjitja me anë të tyre në ballkon përfundoi me sukses. Si zumë vend në dhomën e pritjes, rreth tavolinës të shtruar nga e zonja e shtëpisë, i thashë mikut tim.

-Shumë të mirë e të bukur e ke bërë këtë shtëpi, që po noton në ujë!

-E kam bërë më djersën e ballit, duke punuar disa vjet në emigracion, jo si disa që kanë bërë vilat e pallate sa të bën zarar mendja, me drogë e me të grabitur.

Tomës i dridhej buza kur më tregonte se uji ia kishte dëmtuar e prishur gjithë të mbjellat, madje shpeshherë u ka hyrë pa ftuar, edhe brenda në shtëpi. Po na ngordhë gjëja e gjallë, o miku im, s’kemi çfarë t’u shtiem të hanë.

-Po qeveria ç’masa ka marrë? – e pyeta

-Qeveria the?! Na ka dërguar për lëmoshë ca varka uji, si ajo që hipe zotrote. Kemi kaq ditë që po na mbyt uji.

-S’kanë shkelur nga qeveria për ta parë këtë gjendja? – e pyeta.

Qeveria e ka mësuar përmendësh shprehjen e urtë “Fjalë të mira e gur në trastë. Madje s’kanë ardhur të na qajnë hallë edhe deputetët që u kemi dhënë votën.. E bukura është që kryetari i Emergjencës Civile u lodh duke bërë deklarata se kjo zonë nuk na qenka përmbytur nga uji që lëshojnë digat e hidrocentraleve, por nga shiu. Por e vërteta, o miku im, nuk ka ardhur më shumë nga sasie reshjeve, por nga hapja e digave të hidrocentraleve. Lere, lere, – vazhdoi Toma,- jemi në një stinë të motit që shirat edhe mund të vazhdojë me sasi më të mëdha, aq sa rreziku është edhe më i madh, duke mos harruar edhe shkarkimet nga digat e hidrocentraleve, që duhet të shkojnë në det e jo të përmbytin tokat e shtëpitë tona

Si u çmalla me mikun tim të vjetër në katin e dytë të shtëpisë së tij që notonte në mes të ujit u ndava me të. Ai vendosi përsëri shkallët, më zbriti poshtë, më hipi në varkën e dërguar nga qeveria dhe më nxori në breg shëndoshë e mirë, për t’u kthyer andej nga erdha.

Kështu, o i shumënderuari adash, e kalova “Ditën e Verës” në Elbasan te miku im Coku e në Obot të Shkodrës te Toma. Por, ç’pashë e ç’dëgjova në Elbasan me ballokume e në Shkodër me përmbytje. Kështu qenka gatur kjo botë jallane, i shumëdituri adashi im Hysen. Ca qeshin e këndojë, ca qajnë dhe notojnë e luftojnë mes ujërave të liqeneve artificialë. Ca hanë e pinë, ca të tjerë mbajnë barkun me dorë.

SHKARKO APP