Nga “Luli i Vocërr” i Migjenit në Hollivud

 
Lee Percy Regjisor
 
 
 
            Në Manhattan u shfaq filmi “Ëndrra Amerikane” me regjisorin e shquar amerikan Lee Percy i cili ka fituar çmimin prestigjioz Emmy dhe është nominuar për çmimin Oskar.  Artdashësit dhe miqtë e Praq Rados dhe Lee Percy erdhën me kënaqësi për të parë premierën e filmit “Dreaming American” dhe për të mbështetur aktorin e ri Praq Radonë i cili premton shumë.  Filmi u shfaq në Teatrin Tribecca një qendër e madhe kulturore e mirënjohur në gjithë Amerikën, për kontributin kulturor, shfaqjet e ndryshme, në muzikë, art, vallëzim, teatër fëmijësh.  Filmi ishte sponsorizuar për t’u shfaqur në këtë teatër nga CUNY, universitetet e Nju Jorkut, SGA (student government association) dhe BMCC (Borough of Manhattan Community College). 
 
            Me shumë emocion u mirëprit kur në ekranin e madh u shfaq aktori shqiptar që kishte rolin kryesor Praq Rado nga Thethi i Dukagjinit në rolin e Zef Nonaj.  Si shqiptare dhe mësuese u ndjeva dhe më krenare kur në këtë film u shfaqën dhe dy aktorë të tjerë shqiptarë ish nxënës të Shkollës Shqipe “Alba Life” në Staten Island si: Dilon Uruçi në rolin e Young Zef, dhe Kastriot Uruçi në rolin e Young Artan.  Këto janë histori suksesi në Diasporën shqiptare që medoemos kërkojnë një vëmendje më të madhe të qendrave kulturore në Atdheun tonë të përbashkët…
 
            Filmi është realizuar mjeshtërisht nga regjisori Lee Percy dhe në bashkëpunim me producentin e mirënjohur Barbet Schroeder.
 
Filmi nëpërmjet shtjellimit dhe lojës së bukur aktoreske përcjell një mesazh shumë të rëndësishëm tek ligjvënësit në lidhje me problemet e mëdha të emigracionit që e kanë mbërthyer për fyti politikën amerikane.  Aktori Praq Rado duke ardhur nga një fshat shumë i vogel prej Thethit të Shkodres ku qysh femije vishte “kepucë” llastiku të grisura ku i dilnin gishtat e këmbëve përjashta dhe mavijoseshin nga ngricat dhe të ftohtit arriti që të hynte në zemrën e regjisorit të famshëm Percy dhe ta frymëzonte atë për të shkruar historinë dhe ta shfaqnin si film VIP në kinematografinë amerikane. Kur ai iu përgjigj pyetjeve para audiencës, se unë ishja thjesht një bari që ruaja bagëtitë, dhe nuk e mendoja kurrë se një ditë do të vija në kryeqytetin e botës, dhe se atje nuk kishja kryer shkollë, edhe pse erdhi në moshën 16 vjeç, medoemos, vuajtja, uria, analfabetizmi, ftohtësia dhe ngrica kudo më kujtonin Lulin e Vocërr të Migjenit, që vazhdon i ulur këmbëkryq në fshatrat tona…  Ndonëse Praqi kur fitoi dokumentat shkoi pas 15 vjetësh në Theth dhe atje përsëri për ironi të fatit takoi një djalë të vogël bashkëfshatarin e tij me këpucë llastiku të shqyera dhe rroba të grisura atij dhimbshëm iu kujtua jeta e tij që dhe pse pas dy dekadash, s’kishte ndryshuar asgjë… Luli i Vocërr ishte prapë aty në Theth…  A nuk të kujton Lulin e vocërr të Migjenit kur e shikonte mësuesin me sy dhe kishte me dashtë t’i falë diçka mësuesit! Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hangër mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin…  ndërkohe historia e trishtueshme e Praq Radose ia hangri zemrën regjisorit Percy, Migjenit Amerikan ne shekullin e 21-të!  Historia e emigrantit shqiptar pa dokumenta ishte tejet e vështirë, e lodhshme, vetëm në punëra të rënda.  Bënte nga tri punë, për të mbijetuar vallëzonte i “zhveshur” në klubet e homoseksualëve.  Ushtrimet fizike për të arritur si një kërcimtar perfekt, loja aktoreske, lëvizjet, mimika e fytyrës dhe pamja simpatike e djaloshit prej Thethit e bënin dhe më tërheqës publikun artdashës që kishin zënë vend në sallën e kinemasë. 
 
            Filmi u mirëprit me duartrokitje. Historia e tij është historia e shumë emigrantëve pa dokumenta që luftojnë në të gjitha format dhe mënyrat për të realizuar ëndrrën amerikane.  Pas mbarimit të filmit Patrick Harrison, Drejtor i programeve kulturore në New York dhe anëtar i Akademisë së arteve, filmit dhe shkencës drejtoi audiencën duke marrë pyetjet dhe përgjigjet nga Praq Radoja dhe regjisori Percy.  Midis të tjerash Praq Radoja gjatë tregimit të historisë së tij foli gati me lot në sy për humbjen e parakohshme të prindërve dhe që s’pati mundësi t’u hidhte një grusht dhѐ.  Ai tha se pengu i jetës së tij është nëna që se pa kurrë për 15 vjet rresht për shkak të dokumentave dhe burokracisë që është në ligjet e emigracionit.  Prandaj vazhdoi ai se tregimi im është më shumë se një mundim i dashurisë.  Kurse Lee Percy i cili e kishte takuar djaloshin nga Thethi në një restorant në Manhattan i cili punonte si kamarier dhe kur i kishte thënë se një ditë ju do të shkruani dhe do të bëni film historinë time, regjisori ishte treguar pak skeptik.  Praq Radoja i tregoi historinë e dhimbshme regjisorit, si një rrëfimtar me botë të pasur shpirtërore dhe zgjuarësi natyrale arriti që ta magjepste Percyn dhe të realizonte filmin për 25 minuta duke e shfaqur në kinematë amerikane dhe të ketë sukses.  Filmi sensibilizon dhe ndihmon emigrantët pa dokumenta në të gjitha shtetet e Amerikës ndaj dhe Regjisori Lee Percy tha se ndërkohë filmi përshkruan mundimet e nje burri që vuan dhe shpresojmë që ai do të ndihmojë audiencen të kuptojë vuajtjet e miliona të tjerëve.   
 
Historia e tij që është baza e filmit bënë që të frymëzojë miliona shikues sepse një film i kësaj kategorie është siç thotë aktori botëror Tom Hanks se: Filmi i vërtetë ka fuqinë të të bëjë ty që të mos ndihesh vetëm, edhe atëhere kur mendon se je vetëm…
 
Për aktorin shqiptar Praq Rado, historinë e tij dhe lojën e bukur aktoreske kanë shkruajtur gazetat amerikane të publikuara në CUNY, universitetet e Nju Jorkut. 
 
            Me siguri Luli i Vocërr i Migjenit tashmë në Hollivud do të vazhdojë ëndrrën amerikane dhe do të frymezojë miliona shikues në botë, që të mos ketë më Lula të vecërr dhe të mos prekin zemrat e regjisorëve amerikane me këpucët e grisura, këmbët e mavijosura nga të ftohtit, uria e tmerrshme, braktisja e shkollës si dhe emigrantë që enden rrugëve pa dokumente.
 
 
 
7 Nentor, 2014
 
Staten Island, New York

SHKARKO APP