Nga një 28 nëntor, në tjetrin!

Nga Alfred Peza – Ajo çfarë shqiptarët po përjetojnë në Ditën e Flamurit, për shkak të tragjedisë që shkaktoi tërmeti  i kësaj jave në zonën e Durrësit e Thumanës, me siguri që do të mbahet mend gjatë në memorien tonë kombëtare. Ndaj sot nuk ka vend për festë. Nuk ka vend as për panik. E aq më pak, për dekurajim.

Në këto orë të rënda nuk ka mbi të gjitha vend, për shpërndarjen e ftesave të dasmës nga minjtë e gjirizit dhe gjithë llojet e gjallesave të tjera, që e kanë jo vetëm mënyrë jetese por edhe oksigjen, të ushqyerit dhe të dhjamosurit me dhimbjen dhe lotët e të tjerëve.

Në këtë ditë nuk ka vend për ata që duan ta hedhin vallen monstruoze, mbi fatkeqësinë e përbashkët, për qëllimet e tyre të vockla individuale. Sot ka vend vetëm për solidaritet. Për vetpërmbajtje. Për shpresë. Për durim dhe reflektim.

Nëse dikujt nuk ia ndjen që të ndezë një qiri, të paktën të na e kursejë hedhjen e pikave të benzinës mbi zjarr. Nëse disave nuk ia bën goja që të ngushëllojë dikë, të paktën të mos hedhin helm. Nëse shumëkujt nuk ia bën dora që të dhurojë diçka, të paktën të mos ia marë të tjerëve edhe shpresën e fundit, që ia mban gjallë frymën dhe ëndrrat.

Sot nuk ka festë. Sepse sot është momenti për përshpitje. Për përndritje. Për ndriçim. Për lutje. Lule. Lotë e dhimbje për viktimat e konfirmuara dhe për ata që janë ende nën rrënoja. Sot ka vend për ngushëllim për të afërmit dhe të dashurit e tyre. Për një shikim në sy. Për një shtërngim dore. Për një përqafim të ngrohtë. E më pas? Veç për heshtje!

Duke perifrazuar “Nga një dhjetor në tjetrin” të Ismail Kadaresë, ky nëntori ynë i sotëm na e shndërroi sagën shqiptare, në “Nga një nëntor në tjetrin”.

Është udhëtimi ynë nëpër piketat e historisë. Nga 28 nëntori i 1443 kur Skënderbeu ngriti flamurin kuqezi mbi bedenat e kalasë së Krujës së çliruar nga osmanët. Për të vijuar me 28 nëntorin e 1912 të pavarësisë së Shqipërisë. E deri në 28 nëntorin e 2019 të tërmetit rrënimtar.

Ditën që Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, ushtria serbe e pushtimit mbërritën në plazhin e Durrësit për të zënë hapësirën bosh që kishin lënë pas 5 shekujsh, trupat turke. Historia dihet tashmë që serbët nuk e donin shtetin e ri të shqiptarëve, vetëm se donin për vete Kosovën. Por sepse donin daljen e tyre të përjetëshme, në “Adriatik”.

Shumë ujëra kanë rrjedhur nga atëherë, derisa sot kur Presidenti i Turqisë i bën thirrje botës islame që ta mbështesë Shqipërinë. Trupat turke të shpëtimit, po punojnë këtu për të shpëtuar jetë shqiptare. Edhe trupat e “ushtrisë” serbe po punojnë pikërisht në Durrësin që e pushtuan 107 vjet më parë. Janë krah përkrah me forcat e specializuara të Shqipërisë, vendeve të tjera fqinjë dhe miqve tanë kudo në botë, për të na e lehtësuar sadopak barrën e dhimbjes së madhe.

Fotoja ku një ushtar i Serbisë dhe një i Kosovës, po punojnë sëbashku për të çliruar trupat e shqiptarëve të pushtuar nga rrënojat e tërmetit, u bë virale në media dhe internet. Sepse gjithkush sheh në të, evoluimin dhe mënyrën sesa dhe si ka ndryshuar jo vetëm bota, por edhe rajoni ynë.

Solidariteti i paparë i gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë e punojnë, por edhe i botës mbarë që është sot si kurrë më parë pranë nesh, duhet të jenë arma jonë më e fuqishme, për ta goditur fort djallin e zi brenda trupit të shoqërisë sonë. Për të pastruar ato tentakula që zvarriten e zvarriten për ta pushtuar tinëzisht, trupin e plagës sonë të përbashkët, për kënaqësinë e tyre perverse.

Ky 28 nëntor, nuk ishte si gjithë të tjerët. Sepse Zoti na vuri me sa duket, sërisht në provë. Ne do ta kalojmë edhe këtë moment, si shumë e shumë të tjerë të dhimbshëm, përgjatë historisë sonë. E kështu do ecim pa u ndalur, nga njëri nëntor në tjetrin.

Kjo që po jetojmë, nuk është një ditë e zakonshme. Sot është momenti ynë, për triumfin e kurajos. Sepse siç thoshte Epikuri “kurajo nuk zhvillohet duke qenë i lumtur në marrëdhëniet tuaja të përditshme. Ajo zhvillohet duke mbijetuar në kohë të vështira dhe duke sfiduar vështirësitë.”

SHKARKO APP