“Nga një dhjetor, në tjetrin…!”

Nga Alfred Peza

Ky titull i librit të njohur të Ismail Kadaresë, i shkon ndoshta më shumë për shtat edhe atmosferës së përgjithshme politike të këtij fundviti në Shqipëri. Megjithëse është një atmosferë që nga shumëkush pritet me ankth, kërshëri dhe deri diku me padurim si për shumëkënd festa e Vitit të Ri, edhe fundi i saj është po aq i njohur, sa edhe rituali i natës së ndërrimit të motive.

Ka dy çështje, dy histori, dy kryezhvillime që pasi u avitën dikush me zhurmë e dikush pa zhurmë deri në fund të nëntorit, tani që edhe festat e kësaj “vjeshte të tretë” mbaruan, pritet të konludohen. Me surpriza të mëdha ose të vogla, me zhgënjime për disa dhe gëzime për shumkënd, ndoshta siç edhe përfundon për fëmijët ankthi i hapjes së dhuratave poshtë pemës së Krishtlindjeve.

E para, është çështja e Unazës së Madhe të Tiranës, e projektit për zgjerimin e saj dhe për rrjedhojë e protestës së qytetarëve që preken e cila tashmë nga një çështje sociale dhe ligjore, është marë peng e po mundohet që të përdoret si çështje politike.

E dyta, ka të bëjë me procedurën e ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, ngërçi i të cilave më në fund është zgjidhur dhe në mesin e dhjetorin pritet të fillojnë punë. Në fillim Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) e më tej, të gjitha institucionet e reja që burojnë sipas reformës, prej tyre. Që nga Prokurori i Përgjithshëm i Përhershëm, Prokuroria e Posaçme (SPAK), Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) që do të zëvendësojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë së vjetër, e kështu me radhë…

Ndërkohë që për këtë të dytën, asnjë zë publik nuk ndihet, as nga klasa politike, as media dhe as opozita që duhet të ishte e para që ta mirëpriste me duartrokitje, nëse vërtetë i beson ato që thotë për nivelin e krimit dhe luftën e pakompromis që duhet bërë kundër tyre. Për të parën ka sigurisht më shumë zhurmë. Në fakt më shumë se “shumë zhurmë për asgjë”, ka shumë zhurmë, për një gjë.

Ka shumë zhurmë përtej hallit real të qytetarëve që kanë ndërtuar pa leje e nuk kanë letra dhe që duhet të sistemohen, për të vijuar jetën derisa të rregullohen përfundimisht. Ka shumë zhurmë pasi duket sikur nga pikënisja për ta politizuar sëbashku, opozita jonë ka filluar që të ndahet. Ka filluar që të hyjë në garë jo më me qeverinë dhe opinionin publik. Por, ka hyrë në garë me veten.

PD duket sikur ka hyrë në garë me LSI. Deputetët e PD duket sikur janë në garë me ata të LSI se kush shkon më shumë, kush bërtet më shumë, kush mbledh kamera më shumë, kush del më shumë në televizor dhe kush bën zhurmë më shumë. Një garë që duket se në fund të ditës, gjithëkush bën një bilanc: Sa herë dola sot në televizor? Sa titra kapa sot? Sa kamera? Po minuta? Dhe kujt i del më mirë llogaria në darkë, shkon më i lumtur në shtrat, për tu zgjuar të nesërmen në një garë që ndoshta duket sikur i shërben dikujt, përveç atyre që kanë hall realisht, JO.

Megjithatë dhjetori erdhi. E si çdo dhjetor tjetër i këtyre 28 viteve të tranzicionit, zhurmat politike sidomos të opozitave të radhës, për kauzat e radhës dhe për çështjet e radhës, duken si një garë zhurmash. Një garë ku në muajin e fundit, nëpërmjet zhurmave, mundohen që të kompensojnë mungesa e aktivitetit real politik e opozitar përgjatë gjithë vitit. Me shpresën se njerëzit do të mbajnë mend vetëm zhurmat e dhjetorit, e do ta harrojnë heshtjen e 11 muajve të shkuar. E kështu edhe këtë radhë, si nga një dhjetor në tjetrin, duket se do ti shohim edhe këtë fundviti. Për të vrapuar më pas të gjithë drejt festës, me shpresën se viti i ri, ka edhe 11 muaj të tjerë përpara, derisa të vijë dhjetori i radhës. alpenews.al

SHKARKO APP