Nga suksesi në sukses…

Nikolla  Sudar*/Në qendër të metropolit ndodhet një ndërtesë dykatëshe, e cila në historikun e saj ruan shumë ngjarje të rëndësishme të historisë së vendit, duke filluar që nga vitet njëzet të shekullit të kaluar. Ajo u bë dhe mbeti e përmendur, sepse në të do të mblidhej i pari parlament i vendit, në të cilin janë marrë vendime shumë të rëndësishme për fatet e vendit.

Por nuk e kemi fjalën për të kaluarën e pasur historike të saj por për rolin që luan ajo sot. Të gjithë e dimë se nuk ka gjë më fisnike sesa t’u shërbesh fëmijëve, sesa t’i argëtosh sa më mirë ata, sidomos moshat e vogla të tyre. Dhe ja arsyeja përse ko ndërtesë e thjeshtë, por me të kaluar të madhe, është bërë me kohë kaq e dashur për fëmijët e kryeqytetit dhe të tërë vendit. Në njëfarë mase ata gjejnë këtu mishërimin  konkret të fantazisë, ose më saktë, ata sikur në të prekin ëndrrat e tyre.  Fjala është për “Teatrin e mrekullueshëm të kukullave”, që edhe në këto kohë të vështira ka mbetur vendi më i dashur për fëmijët, por që falë angazhimit të palodhur të drejtuesve dhe të kolektivit, ka arritur, jo vetëm të mbijetojë, por edhe të kalojë nga suksesi në sukses.

Viti 2015 do të mbetet nga më të shënuarit në historikun e këtij institucioni kaq shumë të dashur për banorët e kryeqytetit. Më 6 dhjetor 2015 u festua me madhështi 65-vjetori i krijimit të këtij institucioni kulturor. Në këtë ceremoni u nderuan dhe u vlerësuan me certifikata e kupa mirënjohjeje 52 artistë, që ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre në këtë qendër kulturore. Gjatë këtyre dekadave numërohen gjashtëdhjetë regjisorë shqiptarë e të huaj që kanë vënë në skenën e këtij teatri premiera, shumë nga të cilat kanë lënë mbresa të pashlyeshme në kujtesën, jo vetëm të fëmijëve, por edhe të rriturve. Emrat të shquar regjisorësh si: Xhemal broja, Llazar Verria, Pandi Stillu, Selman Vaqari, Xhavit Sallaku, Lavdie Toro, Klaudia Hila e deri tek më të rinjtë si Aurora Qazimi etj., i kanë dhënë jetë këtij teatri. Ata, jo vetëm kanë ruajtur traditat më të mira të tij, por i kanë shpënë ato edhe më tej.

Një traditë për t’u lavdëruar e këtij institucioni, i cili sot drejtohet nga aktorja e mirënjohur Monika Lubonja, që e ka bërë dukshëm më të suksesshëm këtë qendër kulturore, është dalja jashtë kuadrit të institucionit apo më saktë shfrytëzimi i përvojave me vlerë ndërkombëtare për ta bërë atë gjithnjë e më të dashur e më të frekuentuar. Në bisedë me z. Monika, me këtë artiste të talentuar, energjike dhe të kudondodhur, mësojmë shumë gjëra nga përditshmëria e këtij teatri.

“Kisha dëgjuar, – thotë ajo për një regjisor shumë të suksesshëm malazez, z. Davor Dragojeviç, drejtor i OJF-së “Children’s Art Center” në Podgoricë,                                                                i cili kishte drejtuar shumë festivale ndërkombëtare të teatrove për fëmijë, e që zhvillohet atë qytet. Në majin e kaluar e ftuam mikun malazez dhe ai shfaqi një gatishmëri të rrallë për të bashkëpunuar me ne. Në atë kohë kishim vënë në skenë pjesën “Guliveri”, që pati mjaft sukses. Miku i nderuar e ndoqi shfaqjen dhe ngulmoi që me të, të përfaqësoheshin në festivalin ndërkombëtar, i cili do të mbahej në shtatorin e po atij viti në kryeqytetin malazez. Ishte e para herë që merrnim pjesë në të, por që edhe na hapi mjaft horizont. Madje, aktori ynë i talentuar, Aleksandër Grami, mori çmimin e festivalit. Gjatë qëndrimit në Podgoricë u morëm vesh që z. Davor të vinte në skenën tonë një pjesë të re për fëmijë. Ajo quhej “Guri magjik” dhe u prit shumë mirë nga fëmijët e kryeqytetit. Tashmë prej më se dy javësh miku nga Mali i Zi me aftësitë e rralla si aktor dhe regjisor po punon me përkushtim për realizimin e pjesës gazmore “Qeni që nuk dinte të lehte”, premiera e të cilit do të jepet më 15 prill të këtij viti”.

Regjisori në fjalë është një mesoburrë, energjik, shumë komunikues, mjaft i durueshëm (tipar i domosdoshëm, kur ke të bësh me aktorë), me një bagazh të shumanshëm artistik, jo vetëm si aktor i teatrit dramatik dhe i teatrit për fëmijë, por edhe si krijues i pjesëve mbresëlënëse të realizuara në skenë, ku bën pjesë edhe shfaqja e fundit.

“Gjithmonë i kam dashur shumë fëmijët, – na thotë ai. – Pjesa “Qeni që nuk dinte të lehte” i dedikohet kryesisht fëmijëve më të vegjël në moshë (nga tre deri në nëntë vjeç). Përmes një loje të këndshme, fëmijët njohin edhe vetë funksionimin e teatrit.

Në vazhdim spektatorët e vegjël do të ndjekim aventurat e një qenushi që nuk dinte të lehte, prandaj edhe kafshët e kishin përzënë nga oborri i tyre, duke i thënë se mund të kthehej vetëm kur të mësonte të lehte. Ai niset nëpër botë për të mësuar që të lehte. Gjatë udhëtimit takon gjelin, dhelprën, lopën që nuk e mësojnë dot të lehte. Më pas takon torollakun e në vazhdim rosakun, me të cilin bëhen miq.  Por kënga e rosakut tërheq dhelprën, e cila dëshiron ta hajë. Në atë moment qenushi fillon të lehë dhe kështu e shpëton mikun e vet.

Mesazhi i kësaj pjese drejtuar fëmijëve mund të përmblidhet me fjalët: kini besim në veten tuaj dhe nëse dëshironi të arrini qëllimin në jetë duhet të jeni të fortë dhe këmbëngulës. Me këtë rast nuk mund të lë pa përmendur përzemërsinë dhe mbështetjen e gjithanshme, si edhe në shfaqjen e parë, të drejtueses, z. Monika Lubonja dhe trupës së teatrit, gjë për të cilën u jam shumë mirënjohës”.

Në këtë shfaqje interpretojnë me mjaft mjeshtri aktoret e talentuara Esmeralda Kame, Ermonela Alikaj dhe Aurora Qazimi. Lidhur me premierën ato shprehen:

“Ndër shfaqjet e realizuara, kjo  e fundit na ka bërë shumë për vete. Jemi përpjekur të japim gjithçka nga vetja dhe me bindje mund të themi se në tërësi synimi është arritur: kemi bindjen se pjesa do të pëlqehet nga fëmijët e moshës së vogël e fëmijëve, të cilëve edhe u kushtohet. Nuk mund të lëmë pa shtuar përpjekjet e gjithanshme të regjisorit malazez, z. Davor Dragojeviq, prej të cilit kemi mësuar shumë. Jemi të bindura se kjo përvojë do të na vlejë shumë në të ardhmen”. Aktori i ri por mjaft premtues, Aleksandër Grami, që luan në këtë shfaqje thotë: “Është e para herë që realizoj një rol me kukull (atë të gjelit). Në fillim e pata të vështirë, por regjisori i nderuar malazez, me të cilin jemi miqësuar jashtë mase, më ndihmoi shumë për ta realizuar atë. Por do të jenë spektatorët e vegjël ata që do ta thonë fjalën e fundit”.

Kjo pjesë teatrale mund edhe të quhet njëlloj shfaqje-kontakti, e cila i fton fëmijët që aktivisht të marrin pjesë në të. Replikat shumë të goditura dhe situatat e këndshme do të shkaktojnë  të qeshura, kështu që edhe argëtimi i tyre do të jetë i sigurt.

*Përkthyes dhe historian.

 

 

 

SHKARKO APP