Nikolla Sudar, zotëruesi brilant i artit të përkthimit

 

Nikolla Sudar, një nga ata përkthyes që i ka sjellë gjuhës shqipe vepra të kalibrit ndërkombëtar. Përmes përkthimeve të tij brilante, ai u ka shtuar veprave në shqip, zëra të njohur të letërsisë botërore. Mjafton të kujtojmë “Pavijonin e kancerozëve” apo “Një ditë e Ivan Denisoviçit”, të viganit të letërsisë bashkëkohore ruse dhe asaj botërore, nobelistit rus, Aleksandër Sollzhenjicin. Me një dashuri të veçantë për përkthimin si të tillë, Sudar ka kontribut në përkthimin nga rusishtja të rreth 40 veprave të njohura. Sikundër, ai është edhe ndër të rrallët që ka sjellë në shqip edhe autorë të njohur nga gjuha serbo-kroate, të tillë si Millovan Gjillash apo Vuk Drashkoviç etj. Që të gjithë, të përcjellë për lexuesin shqiptar me një kualitet specifik profesional përkthimi…

Kush ështëNikolla Petar Sudar?

Nikolla Petar Sudar u lind në Shijak, më 19.12.1940, në një familje të nderuar zanatçiu, me tradita atdhetare e me origjinë malazeze. Aktiviteti i tij 51-vjeçar është i gjithanshëm, teksa pasioni i tij i madh mbeti historiku i zonës nga lashtësia e deri në ditët tona. Konkretisht, që nga viti 1964 filloi të merret me historikun e trevës së Shijakut, gjer në atë kohë plotësisht i paeksploruar dhe gjatë një periudhe 14-vjeçare bëri një punë shumë të madhe njohëse për grumbullimin e materialeve historike në territorin që dikur e përshinte ish-nënprefektura e Shijakut. Ai i shkeli të gjitha fshatrat nga Ndroqi, Romanati, Shijaku qendër, Maminasi, Ishmi e Preza e ky angazhim i tij shumëvjeçar solli grumbullimin e një materiali të shumtë gojor dhe dokumentar (foto, dokumente dhe relike me vlerë), të cilat do të shërbenin si bosht kurrizor për ngritjen dhe funksionimin e muzeut historik të Shijakut, që do të ngrihej për herë të parë.

Gjatë 20 viteve të ekzistencës së këtij institucioni kulturor është bërë një punë shumë e madhe hulumtuese dhe evidentuese për njohjen e traditave më të mira të trevës së Shijakut, për të cilën kreshniku i maleve Bajram Curri është shprehur: “Shijaku me plot kuptimin e fjalës mund të quhet Malësia e Madhe e Shqipnisë së Mesme”. Ku gjatë kësaj periudhe, muzeu ka botuar 5 broshura me ilustrime të shumta, ka propozuar dhe janë dekoruar 35 atdhetarë, ka përuruar 19 pllaka përkujtimore, ka organizuar 7 sesione të mirëfillta shkencore, si dhe ka ndihmuar fuqimisht për ngritjen e 8 muzeve të rinj. Vetë Nikolla Sudar është autor i rreth 100 artikujve në organe të ndryshme të shtypit.

Ndërkaq, edhe pas kthesës së vitit 1991 deri në daljen në pension në fund të vitit 1997, në kushte tepër të vështira, me kujdesin e tij të gjithanshëm, Sudar arriti ta shpëtojë trashëgiminë historike të grumbulluar për dekada me radhë dhe e thelloi akoma më tepër veprimtarinë lidhur me traditat. Edhe pse për afro dy dekada larg vendlindjes, ai nuk i ka shkëputur asnjëherë lidhjet me të. Vetëm gjatë periudhës së viteve 2013- 2015 ai ka shkruar 21 artikuj studimorë e të zgjeruar në organet kryesore të shtypit, kryesisht kushtuar Shijakut. Ndërsa tashmë me banim në Tiranë, prej shumë vitesh ai lëvron edhe përkthimin nga gjuhët ruse e serbo-kroate. Në këtë drejtim ka arritur të përkthejë 45 vepra të autorëve të ndryshëm, të cilat janë pritur mirë nga lexuesi. Dhe për kontributin e shquar në fushën e përkthimeve, duke përfshirë edhe vepra madhore të shkrimtarit të shquar bashkëkohor rus, nobelistit Aleksandër Sollzhenjicin, më datën 21 dhjetor 2015, me rastin e 75-vjetorit të lindjes, Ambasada e Federatës Ruse në Tiranë organizoi ceremoninë e dekorimit të z.Nikolla Sudar me medalje, akorduar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Rusisë.

***

Vështirë se mund të gjendet përcaktim më i saktë, më i sinqertë dhe më kuptimplotë i dashurisë dhe i mirënjohjes së këtij njeriu të rrallë ndaj vendlindjes së vet, i cili në kujtimet e tij thotë: “Në tetor të vitit 1940, fashistët e internuan familjen time malazeze në Shijak. Por madhështia e shijakasve, mbase më humanistët në tërë vendin, do të shfaqej me gjithë forcën e vet. Atdhetarë dhe burra të vërtetë e të paharruar si Qazim Domi e Sulë Zalla (të dy “Mësues të popullit”), tregtarë shpirtmëdhenj si Abdulla Gashi e Cen Kruja, kryeplaku i urtë Ibrahim Kërtalli, mjeshtrat Ali Dashi, Kost Toçi dhe Dhimitër Dika, jo vetëm që e morën në mbrojtje familjen time, duke rrezikuar veten e vet, por e mbajtën gjallë gjatë gjithë periudhës së luftës, megjithëse, autoritetet komuniste edhe më pas do të na shihnin gjithmonë me dyshim. Familja ime do t’i jetë gjithmonë mirënjohës popullit të mrekullueshëm të Shijakut, të cilit i detyron jetën. Diktatura e denigroi këtë qytet dhe e shndërroi në vend internimi për kundërshtarët e vet, megjithatë, qytetarët e thjeshtë i mbajtën afër dhe i respektuan me dekada të persekutuarit antikomunistë. Me plot kuptimin e fjalës, mund të them se në kurorën e virtyteve më të mira njerëzore të popullit shqiptar, Shijaku zë një vend nderi. Përjetësisht do të përmendet thënia-lapidare e Nolit të madh: “Nëse do mik për merak / Shko se e gjen në Shijak. Amanetin e shenjtë të tim eti për t’i shërbyer deri në fund Shijakut jam munduar ta mbaj me besnikëri, por u takon bashkëqytetarëve të mi të nderuar ta gjykojnë nëse ia kam arritur ose jo”.

***

Për Nikolla Sudar, mund të thuash se ai është njëri nga ata që e sfidoi kohën. Ja ç’thotë ai me modesti për dy nga ngjarjet madhore në veprimtarinë e tij: “U ndjeva shumë i nderuar kur drejtori i shtëpisë botuese “Fan Noli”, njëkohësisht edhe shqipërues i mirënjohur, Rexhep Hida, më besoi përkthimin e dy prej veprave më në zë të viganit të letërsisë bashkëkohore ruse dhe asaj botërore, nobelistit Aleksandër Sollzhenjicin: “Pavijoni i kancerozëve” dhe “Një ditë e Ivan Denisoviçit”. Pikërisht kjo qe edhe një sprovë e madhe për mua për të bërë më të mirën në këtë drejtim. Mbështetje e madhe dhe e pazëvendësueshme ka qenë ajo e profesorit tim të nderuar e “Mjeshtrit të madh të punës”, të vlerësuar disa herë edhe nga autoritetet ruse, Jorgji Doksani, i cili u bë edhe redaktori i këtyre dy veprave të mëdha. Tashmë të dy librat janë në qarkullim dhe lexuesi është ai që do të japë gjykimin për punën time si përkthyes i tyre”.

Disa nga veprat kryesore të përkthyera

Nga rusishtja në shqip

“Hija e Kaudilios” (Martin Gusman), 1984, shtëpia botuese “N. Frashëri” – Tiranë.

“Dostojevski” (Leonid Grossman), viti 2001, shtëpia botuese “Onufri”.

Stars”– Yjet e kinemasë (Juri Sllaviç), viti 2001, shtëpia botuese “Onufri”.

“CIA kundër KGB-s” (Allen Dulles), viti 2002, shtëpia botuese “Onufri”.

“Intimitete” (në origjinal – “Dita” – T. Tolstaja), viti 2003, shtëpia botuese “Onufri”.

“Femrat dhe  bukuria” (Sofia Loren), viti 2003, shtëpia botuese “Onufri”.

“Spiunët më të mëdhenj të botës” (Charles Uhiton),  viti 2004, shtëpia botuese “Onufri”.

“Gabimet e rënda të CIA-s” (në or.- “Cold  Uarrior”,.( T. Mangold), v. 2004, shtëpia botuese “Ombra”.

“42 atentatet kundër Hitlerit” (Uil Berthold), viti 2004, shtëpia botuese “Ombra”.

“Unë nuk jam gjykatës”(nga libri “Kujtime” të N.  Hrushovit, pj. 1), v.2004, shtëpia botuese “Ombra”.

“Ylberi i bardhë” (tregime – Konstantin Paustovski), viti 2006. shtëpia botuese “Ombra”.

 “Silvester Stalone” (Ulli Ueis), viti 2006, shtëpia botuese “Onufri”.

“Kujtime”,  N. Hrushov, pj. 2, shtëpia botuese “55”, v. 2006.

“ Kanaris – admirali kryespiun” (Karl Bartc), shtëpia botuese “55”, viti 2006.                                    

“Fundi i utopisë” (A. I. Morozov)), përkthyer për Galerinë e Arteve-Tiranë.(2006).

“Dy novela” (Fazil Iskander), shtëpia botuese “Ombra”, viti 2007.

 “Gjenerali Kallugin: të likuidohet”(Eugjen Strigin); shtëpia botuese “55” – 2008.

 “Gjerdani i firmës “Bulgari” (F. Uelldon); shtëpia botuese “Bota shqiptare” – 2011.

“Stalini” (L. Trocki),  shtëpia botuese. “Onufri”, viti i botimit 2011.

“Vajza e postës”  (Stefan Cvajg), shtëpia botuese “Bota shqiptare”  –  2012.

“Seksi, drejt dashurisë dhe vlerave morale” (Osho), shtëpia botuese “F. Noli”, v.2013.

“Zogjtë vdesin, duke kënduar”(K. Makallou), shtëpia botuese”B. shqiptare”

“Lotusi i bardhë” (Osho), nga rusishtja në shqip, shtëpia botuese “Fan Noli” , v. 2014.

 “Pavijoni i kancerozëve” (A. Sollzhenjicin) shtëpia botuese “F. Noli”, v. 2014

“Rrugë e gjatë për në shtëpi” (Daniela Still), shtëpia botuese “Fan Noli”, 2015.

Nga serbo-kroatishtja në shqip:

 “S’ka më të bukur fe, se ajo e krishterë” (Epi. Danilli dhe Amfillohiji),  “Ngjallja”-Tiranë, 1996.

“Si e njoha Josif Broz Titon” (Millovan Gjillas), shtëpia botuese “55”, v. 2006.

 “Biseda në Paris”(Branka Bogavac), shtëpia botuese “Onufri., Tiranë – 2007.

“Xhevahiri i Medinës” (Sh. Xhones), shtëpia botuese “Bota shqiptare”, v. 2009.

“Shpata e Medinës”, (Sh. Xhones), shtëpia botuese “Bota shqiptare, 2010.

“Gjykatësi” (V. Drashkoviq), shtëpia botuese “Naimi”,  v. 2010.

“Fundi i historisë së një dashurie”(G. Grin), shtëpia botuese “Bota shqiptare”, v. 2011. Cel.:

“Histori të tmerrshme dashurie”(M. Paviq), shtëpia bot, “Onufri”, v. 2012.…

“Njeriu që mbërriti zhurmshëm në qytet” (T. Tufan) shtëpia botuese “F. Noli” – 2015

“Zoti, i cili asnjëherë nuk ka ekzistuar” (Osho) – shtëpia botuese “F. Noli”- 2015.

Krijimtari:

“Copëza jete” –  (monografi e letrarizuar), f. 220, shtypshkronja “Geer” – 2007.Tiranë.

“Shkrime të zgjedhura” – “Shtëpia e Evropës – ROO”, S. Petërburg – v. 2013.

SHKARKO APP