Nis java e Dritëro Agollit, ekspozitë në Bibliotekën Kombëtare

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë me rastin e 85-vjetorit të lindjes së personalitetit të letrave shqipe, Dritëro Agolli, zhvillon veprimtarinë kremtuese: “Ekspozita agolliane dhe ligjërata”, duke publikuar dhe foto të daktiloshkrimit në gjuhën ruse, si dhe një poezi të vitit 1948 kur poeti ishte 7 vjeç.

Një ekspozitë kjo që merret me retrospektivën e shkrimtarisë së Dritëro Agollit, qysh me zanafillat e hershme poetike më 1948, për t’u zhvilluar e zgjeruar në zhanre e gjini të ndryshme për mbi 65 vjet krijimtari. Është quajtur ekspozitë agolliane ku publikohen sot në mjediset e Bibliotekës kombëtare, që është edhe organizatorja, disa faqe të daktiloshkrimit në gjuhën ruse.

Me këtë ka nisur java e kremtimit të ditëlindjes së 85-të të shkrimtarit Dritëro Agolli, javë në të cilën do të zhvillohet një mori aktivitetesh në bashkëpunim me AQSHF, Bibliotekën Kombëtare dhe Teatrin Kombëtar. “Skicat dhe tregimet e poetit revolucionar shqiptar Migjeni”, -kjo ishte tema e diplomës, që i riu Dritëro Agolli do të mbronte përpara një komisioni specialistësh në Universitetin e Petersburgut. Punimin e shkrimtarit, e risjell studiuesi, prof. dr. Shaban Sinani në ligjëratën “Migjeni i Dritëro Agollit”.

Tema është mbrojtur para jurisë në Universitetin e Petersburgut në vitin 1957, duke pasur si oponente albanologen e mirënjohur Agnia Desnickaja. Sipas Sinanit, zgjedhja e Migjenit, përveçse parapëlqim i Dritëro Agollit, lidhej me përkthimin në rusisht të “Vargjeve të lira” dhe “Novelave të Qytetit të Veriut”, si dhe interesin e vijueshëm për Migjenin dhe dorëshkrimet e tij nga shkencat sovjetike. Ndërsa “Ekspozita agolliane” sjell për lexuesit e shumtë të Dritëro Agollit një retrospektivë të krijimtarisë së tij, qysh me zanafillat e hershme poetike më 1948, për t’u zhvilluar e zgjeruar në zhanre e gjini të ndryshme për mbi 65 vjet krijimtari. Ekspozohet edhe makina e shkrimit dhe fotografitë e çasteve më kulmore të jetës së Dritëro Agollit. Ish-kryeredaktori i gazetës “Drita”, Xhevat Lloshi, i pranishëm në këtë ekspozitë rrëfen kujtimet me Dritëro Agollin kur ai ishte kryetar i lidhjes së shkrimtarëve.

“Dritëroi ishte kryetar i lidhjes së shkrimtarëve, mirëpo nuk ndërhynte në asnjë mënyrë në problemet e gazetës. Dritëroi nuk ndërhynte për të imponuar pikëpamjet dhe mendimet e tij për botimin ose mosbotimin e një libri. Në fakt edhe Dritëroi ka pasur probleme me librat e tij, edhe atë e gjurmonin, edhe mua dhe të tjerët…”, është shprehur Lloshi.

Gjatë çeljes së aktivitetit të titulluar “Ekspozita agolliane dhe ligjërata”, drejtoresha e Bibliotekës kombëtare Persida Asllani foli për rolin e Dritëror Agollit në letërsinë shqipe, ndërsa ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, deklaroi se me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit që është më 13 tetor, do të shpallet java e Dritëro Agollit. Ekspozita dëshmon larminë tipike të krijimtarisë së Dritëro Agollit dhe përfshin edhe një vështrim brenda zhanreve si p.sh: nga poezitë e para të botuara te “Letrari i ri” dhe “Rinia” më 1948, vijohet me vëllimet e para “Në rrugë dolla” (1958) dhe “Hapat e mia në asfalt” (1961) për të mbërritur te “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypësi i kohës” (1995), “Vjen njeriu i çuditshëm” (1996), “Fletorka e mesnatës” (1998), “ Lutjet e kambanës” (1998) etj.; nga tregimet e hershme si ato të botuara te “Zëri i Rinisë” më 1955 te përmbledhjet me tregime si “Zhurma e erërave të dikurshme” (1984) dhe “Njerëz të krisur” (1995) deri te romanet e mirënjohura “Komisari Memo” (1970), “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973), “Njeriu me top” (1975), “Arka e djallit” (1997). Ekspozita sjell në vëmendje edhe shqipërimet e tij të njohura të Eduard Bagricki më 1961, “Duart e lira” të Pol Elyar (1984), “Kënga e gëzimeve dhe brengave” të Robert Bërns në vitin 1987, por edhe cikle poetike të Janis Ricos, Aleksandër Bllok, Ana Ahmatova etj. Dritëro Agolli lindi në Menkulas të Devollit.

Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Petërburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet ‘60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Java e Dritëro Agollit, me rastin e 85-vjetorit të lindjes së tij, do të ndiqet me aktivitete të shumta kulturore dhe akademike në ditët në vijim./Mapo

Poezia e ’48-s, kur Agolli ishte 7 vjeç, nxënës

Ja disa nga vargjet:

“Prej Tirane gjer ne det, mina, kazma po buçet

Shket vagoni plot me dhe, se ndërtohet jetë e re

Jete e re e lumtërisë me aksionin e rinisë

Dhe të rinjtë me sytë si zjarr që u shkëlqejnë porsi ar

Po sulmojnë me furi, me guxim e trimëri” etj.

 

SHKARKO APP