Nis nesër “Pranvera e Frankofonisë”, fokusi te viktimat e “Charlie Hebdo”
Një ekspozitë me vizatime në Kryeministri dhe konferenca me debatet “Vlerat e Frankofonisë, kundër barbarise” e kanë kufizuar këtë vit pranverën e frankofonisë në homazhe kundër viktimave të terroristëve islamikë.
Ativitetet tradicionale të Pranverës së Frankofonisë do të zhvillohen në të gjithë Shqipërinë nga datat 17 mars deri në 24 mars.
Ato do të nisin nesër me një pritje të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, më pas do të vijë konferenca debat “Vlerat e Frankofonisë, kundër barbarisë”, ku shkencëtarë dhe intelektualë të ndryshëm frankofonë do të mblidhen në Universitetin e Tiranës, si Eriona Tartari-Kërtusha, Doktor në Letra në Universitetin e Montpellier-së; Radu Toma, Filozof dhe Drejtor i Shkollës së Doktoraturës të Shkencave Sociale e Bukureshtit; Benoît Falaize, Historian dhe studiues rreth “Laicitetit dhe Vlerat e Republikës” në Ministrinë e Edukimit Kombëtar.
Ekspozita “Les Acadiens d’la Baie” do të çelet në 18 mars. Në 21 mars do të jepet koncerti folk “Christian Tschanz” në Teatrin Eksperimental.
Më 23 mars do të zhvillohet takimi me Eric -Emmanuel Schmitt në Muzeun Historik Kombëtar, si dhe do të bëhet dhënia e çertifikatave për të diplomuarit DELF në Qendrën Rinore në rrugën e Kavajës.
Pjesë e aktiviteteve është edhe shfaqja e teatrit ‘Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit” nga Eric-Emmanuel Schmitt interpretuar nga Mirush Kabashi.
Shqipëria është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.