Një breshkë sa një makinë, zbulimi shokues
Fosilet e një breshke me përmasat e një makine, janë zbuluar në Amerikën e Jugut. Breshka, Stupendemys geographicus, besohet se ka jetuar në këtë rajon 13 deri në 7 milionë vite më parë. Fosilet janë gjetur në shkretëtirën Tatacoa në Kolumbi dhe rajonin Urumaco të Venezuelës. Fosilet e para të këtij lloji janë zbuluar në vitet 1970 por misteri ka rrethuar kafshën katër metra të gjatë. Mbi të gjitha habit përmasa dhe pesha e një kafshe të tillë. Ekzemplarët meshkuj kishin një palë si brirë në secilën anë të guaskës. Gërvishtje të thella të gjetura në fosile tregonin se këta brirë, ka gjasa të përdoreshin si armë për të luftuar rivalët.
Kërkuesit thonë se kanë gjetur një guaskë tre metra të gjatë dhe një kockë të poshtme që i ka dhënë më shumë detaje për dietën e këtyre kafshëve. Ata mendojnë se breshka gjigante ka jetuar në fund të liqeneve dhe lumenjve bashkë me krokodilët gjigantë, duke u ushqyer me kafshëza të vogla, bimë, fruta dhe fara. Përmasat e mëdha të breshkës, ishin sipas kërkuesve thelbësore në mbrojtjen e saj nga gjahtarë të tjerë të mëdhenj. Dhe në fakt, një nga fosilet e gjetura, kishte një dhemb krokodili të mbetur në të.