Një buqetë me trëndafila për shpirtin e teatrit

Mëngjesi i së hënës ka çuar pranë perimetrit të Teatrit Kombëtar të shembur dhjetra qytetarë, të cilët të pikëlluar kanë vendosur lule, aty ku një ditë më parë protestuan. Ata e konsiderojnë të gabuar shembjen për vlerat dhe historinë e këtij institucioni.

Një buqetë me trëndafila në nder të Teatrit Kombëtar, të cilin kjo zonjë e konsideron si një jetë që nuk është më.

”Shpirti i teatrit iku. Do rindërtohet por përsëri nuk do jetë siç ishte. Është shumë e rëndë. Nuk është godinë e vjetër. Kur u shemb unë nuk kam qarë as për familjen time ashtu. Nuk është objekt, është një shpirt, ka shumë shpirtra aty”, tha ajo.

Lulet u vendosën jashtë perimetrit, pasi hyrja u ndalua pak pas orëve të mëngjesit.

Me hapjen e kafeneve, në pedonale nuk munguan as aktivistët për mbrojtjen e Teatrit, të cilët konsumonin një kafe të hidhur tashmë jo përballë teatrit, por përballë një grumbulli të madh inertesh.

Shembja e Teatrit ka ngjallur reagimet e shumë qytetarëve të cilët thonë se vendimi ishte i nxituar.

Operacionin e shohin si të papërshtatshëm në një periudhë të tillë të pandemisë kur grumbullimet nuk lejohen.

Nga protesta e së dielës 64 persona janë shoqëruar në ambientet e policisë, 7 persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 21 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Ora News - Një buqetë me trëndafila për shpirtin e teatrit

/Ora News

SHKARKO APP