Një ditë në Shtëpinë e Gjetheve, mes misterit dhe tmerrit
“Shtëpia e Gjetheve” ishte baza e Sigurimit të Shtetit për të kryer operacionet e përgjimit në Tiranë. Kjo shtëpi sekret me një emër me tingëllim poetik fshihte brenda shumë vuajtje e tortura të kryera gjatë diktaturës.
Baza e përgjimeve të Sigurimit të Shtetit
Për vite të tëra „Shtëpia e Gjetheve“ ka qenë e mbuluar me mister. Epiqendra e operacioneve të përgjimit të Sigurimit të Shtetit në diktaturë ka qenë maternitet në vitin 1931. Nga maternitet ajo u kthye në qendër të Gestapos në kohën e luftës, e nga vitet 50-të në shërbim të Sigurimit. Sot ajo është e hapur si muze.
Hyrja në Shtëpinë e Gjetheve
Pas rënies së komunizmit nga viti 1991 e deri ne vitin 2003 “Shtëpia e Gjetheve” është përdorur për zyra nga administrata e SHISH, Shërbimit Informativ Shqiptar. Pas vitit 2003 ajo mbeti e braktisur deri në vendimin e vitit 2014 të qeverisë shqiptare për ta kthyer në muze. Sot kjo shtëpi tërheq shumë vizitorë vendas e të huaj.
Dhoma e hetuesisë
“Shtëpia e Gjetheve“ u përdor vitet e para të pasluftës edhe si vend ku kryheshin tortura. Kjo është një dhomë tipike hetuesie e kohës së komunizmit, në të cilën kryheshin tortura nga më të ndryshmet. Në mur madje janë skicuar edhe llojet e torturave të përdorura nga hetuesit.
Vështrim në të shkuarën
Sipas Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit ekzistojnë 212.145 dosje, 250.000 kartela individuale, 15.000 dosje hetimore gjyqësore, 21.000 dosje të gjyqeve politike, 16.000 regjistra nga peridha 29 Nëntor 1944- 2 Korrik 1991. Kjo masë përbën 32 milionë faqe të hartuara nga Sigurimi i Shtetit. Nuk dihet saktë sa dosje janë asgjësuar.
Laboratori
Laboratori i qendrës operative që shërbente për fotografitë. Nga “Shtëpia e Gjethes” përgjoheshin ambasadat, trupat diplomatike të huaja, shtetasit e huaj, aty hapej edhe korrespondenca me jashtë. Afria e „Shtëpisë së Gjetheve“ me Postën Shqiptare ishte një tjetër avantazh për përgjimet e organizuara nga Sigurimi i Shtetit. Korrespondenca kontrollohej drejt e në postë.
Citat
Ky citat udhëzues i kreut të diktaturës shqiptare, i Enver Hoxha gjendet në “Shtëpinë e Gjetheve”.
Salla e teknikës operative
Në regjimin komunist jeta private ka qenë tërësisht e pambrojtur. Përgjimi prekte si shtresat e ashtuquajtura të „deklasuara“, por edhe njerëzit që shiheshin si potencialisht të rrezikshëm. Salla operative përmbante mjetet moderne e më të shtrenjta për kohën të importuara nga jashtë.
Makinë shkrimi e përdorur nga Sigurimi
“Shtëpia e Gjethes“ ruan pajisje origjinale të përdorura në kohën e diktaturës nga Sigurimi i Shtetit shqiptar për përgjimet. Mjaft pajisje “përmirësoheshin” nga vetë inxhinierët shqiptarë, duke arritur të përgjonin deri 40 telefonata njëherësh, nga 10 telefonata, për të cilat ishin konstruktuar.
Çimka
Në “Shtëpinë e Gjethes“ gjen të ekspozuar edhe një nga pajisjet më të rëndësishme për përgjimin, Dhënësi A1, e njohur ndryshe edhe si „Çimka“. Kjo pajisje konsiderohet simbol i përgjimeve të regjimit komunist, pasi ishte prodhuar nga vetë inxhinierët e teknikët e Sigurimit në laboratorin e Ministrisë së Brendshme.
Dialog mes hetuesit e viktimës
Sipas Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit numri i bashkëpunëtorëve të Sigurimit arriti 120.000 vetë. Çdo punonjës sigurimi kishte deri në 15 informatorë. Në muzeun e ri të “Shtëpisë së Gjethes” janë paraqitur edhe dosje origjinale të bashkëpunëtorit të Sigurimit dhe viktimës së ndjekur prej tij./Shqip