Një ditë në  “Shtëpinë Kadare”

Nga Blerim Kore/Tashmë shtëpia e lindjes së korifeut të letrave shqipe, Ismail Kadare, në Gjirokastër po shërben si një qendër e rëndësishme jo vetëm për vizitorët vendas dhe të huaj por edhe për nxitjen e organizimeve artistike dhe kulturore. Shtëpia e restauruar plotësisht celi dyert në 80-vjetorin e lindjes së Kadaresë. Ajo po mer profilin e një muzeu për jetën dhe veprën e shkrimtarit të njohur duke u vizituar nga banorë të Gjirokastrës, nxënës shkolla dhë të rinj si dhe  turistë të shumtë. Gjatë këtyre ditëve në mjediset e saj janë organizuar edhe aktivitete kulturore.
Në mjediset e brendshme të shtëpisë ….
Falë zbatimit të projektit restaurues shtëpia e gurtë në lagjen Palorto, e cila u dogj aksidentalisht në nëntor të vitit 1999 tashmë ka mar një profil të vecantë arkitektonik. Për kthimin në identitet të shtëpisë në të tri katet e saj janë përdorur guri, gdhendjet artistike ne dru si dhe xhami. Shtëpia e gurtë, së cilës Kadareja në romanin e tij “Kronikë në gur”, i kushton faqe të tëra në përshkrimin letrar aktualisht është kthyer në një element të vecantë të prezantimit të vetë qytetit, Gjirokastrës.“Projekti i rikonstruksionit të banesës së Ismail Kadaresë, është realizuar pas një studimi profesional duke parë objektin në vend, duke shfrytëzuar dokumentacionin fotografik dhe skicor ndërkohë që janë marrë edhe mendimet e familjarëve dhe miqve të familjes Kadare duke iu afruar në maksimum gjendjes që ka pasur ky monument para djegjes”, thotë arkitekti Agron Doraci. Sipas tij,  nëpërmjet zbatimit të këtij projekti u synua një rikonstruksion hipotetik i shtëpisë së gurtë përshkrimi i së cilës zë një vend të veçantë në veprën letrare të Kadaresë dhe veçanërisht në krijimet e tij që e marrin subjektin nga Gjirokastra e gurtë. Gjatë fazave të zbatimit të këtij projekti është realizuar restaurimi i ambjenteve duke i qëndruar besnik elementëve të restaurimit që ka patur banesa në gjendjen e saj fillestare. Gjatë këtyre fazave është realizuar restaurimi i ambjenteve të tilla si stera e shtëpisë, rikonstruksioni i katit të parë dhe të dytë, mjediseve të jashtme të banesës etj. Si pjesë e këtij projekti është edhe restaurimi i galerisë së gurtë me arkadë në pjesën jugore të banesës. Konceptimi arkitektonik I banesës së Kadaresë  krahas restaurimit të shtëpisë i vjen në ndihmë edhe kthimit të saj në një qendër të vizitueshme si dhe për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore.
 
Mysafirë në banesën e Kadaresë …
“Shtëpia Kadare “ vazhdon të tërheqë gjithmonë e më shumë interesimin e grupeve të turistëve që mbrijnë në Gjirokastër, të cilët kanë kërshërinë të shohin nga afër shtëpinë e lindjes së korifeut të letrave shqipe, Ismail Kadare. Gjatë këtyre javëve ajo ka pritur vizitorë të shumtë
duke u bërë një ndër pikat më të kërkuara për turistët që vizitojnë qytetin. “Gjatë këtyre ditëve të celjes për vizitorët ne kemi pritur grupe të shumtë nxënësish dhe studentë jo vetëm nga Gjirokastra por edhe rrethe të tjera të vendit të cilët vizitojnë plot kërshëri shtëpinë ndërkohë që në këto ditë dimri shtëpia është vizituar edhe nga turistët e huaj ”, thotë Bruno Pjetri, ciceroni i “Shtëpisë Kadare”. Turistët vendas apo të huaj kërkojnë të shikojnë dhe prekin nga afër muret dhe harqet e gurta të shtëpisë në të cilën ka lindur dhe ka kaluar fëmijërinë dhe rininë e hershme Kadareja. “ Shume herë më është dashur që të udhëzoj turistët për shtëpinë e Kadaresë dhe vendodhjen e saj”, thotë njeri prej banorëve të lagjes Palorto duke shpjeguar se shtëpia e gurtë kërkohet vazhdimisht nga vizitorët. Krahahs punës në shërbim të vizitorëve stafi që përkujdeset për banesën Kadare vazhdon të punojë edhe për mbledhjen e relikeve të ndryshme që lidhen me jetën dhe krijimtarinë letrare të shkrimtarit.
“Viti Kadare” gjallëron Gjirokastrën …
Nisma e ndërmarë nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Gjirokastrës për” Vitin Kadare” po gjallëron qytetin e Gjirokastrës. Pas programit të aktiviteteve në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit vazhdojnë organizimet e ndryshme duke sjellë në Gjirokastër mysafirë të shumtë vendas dhe të huaj. “Përgjatë gjithë këtij viti ne kemi programuar organizimin e aktiviteteve të shumta  artistike dhe kulturore të cilat do të  kenë në qendër jetën dhe krijimtarinë letrare të Ismail Kadaresë”, pohon kryetarja e Bashkisë, Zamira Rami. Organizimi  i veprimtarive nga nxënësit dhe të rinjtë, celja e ekspozitave në pikturë, shfaqja e filmave dokumentarë, etj jo vetëm që po sjellin elementë të panjoshur më parë për jetën dhe veprën e shkrimtarit por po nxitin edhe jetën artistike në Gjirokastër. “Viti Kadare “ është një moriv i preferuar edhe për nxitjen e turizmit. Mjeshtrat artizanë në Gjirokastër e kanë kthyer imazhin e Kadaresë në motiv të preferuar  të suvenireve turistike dhe punimeve karakteristike. Gjatë ditëve të fundit, mjeshtri gurgdhendës Muhedin Makri skaliti në gur portretin e Kadaresë, si simbol dedikimi për të.  “ Tashmë Kadareja është një shkrimtar që nuk i përket vetëm Gjirokastrës dhe Shqipërisë, por gjithë botës. Ky punim më gur, është respekti njerëzor që unë si zanatçi i gurit dhe gjirokastrit tregoj për Kadarenë ”, thotë mjeshtri gurgdhendës. “ Unë, vijon ai bashkëbisedimin, e kam parë disa herë nga afër Kadarenë. Madje gjatë vizitës që  bëri përpara disa vitesh në Gjirokastër kam patur mundësinë që edhe të bashkëbisedoj disa minuta me të. Për mua është jo vetëm një shkrimtar i madh por edhe simboli i denjë i shqiptarit kudo në botë”, thotë mjeshtri Makri . Për të realizuar këtë punim ai u mbështëtë mbi disa fotografi të Kadaresë si dhe imazhet e ngelura në kujtesë gjatë bashkëbisedimeve me të. “Unë kam realizuar edhe disa punime të tjera në gur me Kadarenë, të cilat kanë tërhequr vëmendjen e turistëve por ky portret i realizuar në 80-vjetorin e lindjes së tij është i veçantë, thotë Muhedini, Do të dëshiroja t’ia dhuroja jo thjesht në emrin tim por në emër të asaj Gjirokastre të gurtë që Kadareja e bëri të pavdekshme me veprën e tij letrare”, përfundon bashkëbisedimin mjeshtri gurgdhendës.

SHKARKO APP