“Një dritare për të njohur Shqipërinë”

Gazetarja britanike Kate Holman për librin “Histori të Vërteta nga Shqipëria e Kuqe”

Kohët e fundit ka dalë nga botimi, në gjuhën angleze libri “True Stories from Red Albania” (Histori të Vërteta nga Shqipëria e Kuqe) me autor diplomatin dhe publicistin Jorgji Kote. Libri ka tërhequr menjëherë vëmendje dhe interesim të madh nga botues, organe mediatike, qendra studimore dhe ente të tjera në Belgjikë, Luksemburg dhe gjetkë. Më poshtë po botojmë të përkthyer shkrimin e gazetares britanike Kate Holman kushtuar këtij libri.

Ajo çka tregon Dr. Jorgji Kote në këtë libër të jetës për “Shqipërinë e Kuqe” është një  analizë intriguese e një bote tjetër, por që deri vonë ishte aq pranë nesh. Ai i tregon ngjarjet dhe historitë me një humor karakteristik dhe me nota të lehta trishtimi, të cilat gjithsesi nuk fshehin vështirësitë e asaj kohe. Qysh kur u krijua si shtet më vete, më shumë se një shekull më parë, Shqipëria ka përballuar më shumë sfida se vendet e tjera. Jorgji i ka përjetuar vetë disa prej atyre kohërave të turbullta; karriera e tij si aktivist rinie, mësues, përkthyes/interpret, punonjës civil dhe diplomat i ka krijuar mundësi për kontakte me shumë personalitete me influencë. Këto “Histori të Vërteta nga Shqipëria e Kuqe” pasqyrojnë përvoja personale dhe ilustrojnë plot dritë se si një popull me burime të bollshme u mbështet në forcën e familjeve dhe të komuniteteve duke u ballafaquar me probleme të jashtëzakonshme. Po ashtu, ato përbëjnë një të kaluar historike që u ofron lexuesve të huaj një kuptim më të mirë mbi këtë vend, ndërsa të rinjve shqiptarë depërtimin në vuajtjet, mundimet dhe sakrificat e brezave të mëparshëm. E megjithatë, këndvështrimet e Jorgjit janë gjithmonë konstruktive dhe plot shpresë dhe kjo është një ogur i mirë për të ardhmen. Ashtu si miliona europianë, në vitet ‘70 dhe ‘80 edhe unë nuk dija asgjë për Shqipërinë. Kisha vizituar Kinën në vitin 1979 kur kufijtë ishin ende të mbyllur për udhëtarët e pavarur; por, gjithkush kishte dëgjuar për Mao Ce Dun dhe Ushtrinë e tij të Kuqe. Kurse Shqipëria dukej pafundësisht më e largët dhe më misterioze, më e pakuptueshme dhe  frikësuese.

Në vitet ‘90 u shfaqën pamjet tronditëse të  anijeve që kalonin Detin Adriatik dhe Jon, të tejmbushura me mijëra azilkërkues të dëshpëruar – pamje që për ne ishin më shumë reminishenca të asaj çka ne njihnim si “bota e tretë” se sa nga Europa. Njohja ime mbi Shqipërinë mund të ishte ndërprerë në atë moment, nëse nuk do të kishin qenë shtetasit shqiptarë me banim në Bruksel. Një takim ky rastësor por befasues; në fakt, u mahnita kur pashë se ky komunitet në Belgjikë ka ekzistuar  qysh në vitin 1956 dhe tani numëron me dhjetëra mijëra, ndërsa pjesëtarët e tij mund të gjenden në të gjitha fushat e jetës. E megjithatë, gjithçka shqiptare dukej ende shumë ekzotike, dhe aq rrezikshmërisht e huaj. Kur 10 vjet më parë kuptova se ky vend në fakt është shumë afër dhe lehtësisht i aksesueshëm kjo ishte për mua një befasim i vërtetë. A mund ta vizitoja Shqipërinë? Po, përse jo?!

Kështu, në vitin 2006 mora guximin dhe vajta në Shqipëri së bashku me dy miq kalabrezë. Ata u kënaqën jo vetëm nga Berati magjik, zbritja nga lartësitë marramendëse të  Llogarasë, Hoteli fisnik “Kalemi” në Gjirokastër me dhomën unikale otomane, notimin në Ksamil… por edhe nga kafeja më e mirë që bëhet jashtë Italisë Jugore!!  Veçse unë kisha dhe një aleat tjetër. Kur ra regjimi në Shqipëri, kushëriri im, Sir Patrick Fairweather shërbente si Ambasadori britanik në Romë dhe ishte shumë i angazhuar me hapjen e Ambasadës britanike në Tiranë. Ai u dashurua me Shqipërinë dhe për shumë vite ishte Drejtori i përkushtuar i Fondacionit ‘Butrinti’; për shërbimet ndaj kulturës shqiptare, ai është dekoruar me Medaljen “Naim Frashëri”.

Duke pasur këtë motivim organizova udhëtimin, mora një autoveturë me qira dhe gjeta hotelin me lehtësi befasuese. Ishte diçka e mrekullueshme deri në kufijtë e magjikes të ecje përgjatë shëtitores në Sarandë apo të shihje një film mbi Butrintin, ku si personazh kryesor shfaqej kushëriri im. Kur disa vite më vonë vizitova Muzeun Arkeologjik, atje më priti një arkeologe e re dhe entuziaste. Ashtu si ajo, shqiptarët sot po garantojnë të ardhmen e këtij thesari të mirënjohur në botë dhe bëjnë shumë mirë që veprojnë kështu. Në Jalë, në vitin 2006, kuptova për herë të parë se sa keq e ka pasqyruar media ndërkombëtare Shqipërinë dhe popullin e saj në ato vite. Ndaj, për mua si gazetare ishte logjike që të bëja përpjekje për të treguar të vërtetën. Kur u ktheva në Bruksel, iu futa kërkimeve më të thelluara dhe hyra në kontakt me një rrjet më të gjerë miqsh shqiptarë; pika kulmore ishte ftesa e zotit Gentian Metaj për të më përfshirë në Shoqatën Kulturore “Konica”, ftesë të cilën e pranova me kënaqësi. Nga ajo kohë dhe në vazhdim, për mua ka qenë privilegj që të jem e pranishme në shumë veprimtari të organizuara në ambasadë nga përfaqësues zyrtarë të Shqipërisë në Bruksel, ky  njoha dhe Dr.Jorgji Kote. Në vitin 1905, shkrimtari dhe filozofi George Santayana ( 1983 – 1952) ka cituar një thënie të famshme: “ Ata që nuk kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë”.  Tani Shqipëria është në një fazë të re, kur vendi i saj në Europë është njohur nga të gjithë dhe kur vendimmarrësit e saj lipset të mësojnë nga gabimet e të kaluarës dhe të bëjnë zgjedhje të mençura, me qëllim që ta  çojnë vendin  drejt një të ardhme pozitive. Shqipëria është gati për të hapur negociatat me BE-në dhe ndihesh krenar kur sheh të rejat dhe të rinjtë e saj me vështrimin nga e ardhmja,  duke bërë përpara dhe duke farkëtuar jetën e tyre në Evropë dhe në botë. Por, kudo që ata shkojnë, ashtu siç e ilustron  Jorgji me shembuj të shumtë, identiteti i fortë shqiptar, i kulturës dhe gjuhës së saj do t’i mbajë ata të lidhur bashkë e me krenari gjatë gjithë jetës së tyre.

SHKARKO APP