Nje dron per homo corruptus-in në Shqipëri. Nga kush?!
Do të doja të mos isha shumë pedante në stilin e të shkruarit dhe majën e lapsit të mos e mpreh aq shumë, por nëse unë nuk do të përdor një sistem filtrimi në fjalët e mia, atëhere do të mund ta pasqyroj me një vërtetësi më të madhe këtë realitet politik. Ndaj, po zgjedh të jem e vërtetë përball jush. Parimisht mund të themi se kur një individ ka një aktivitet politik me një shtrirje të gjatë kohore, ai kthehet në një aset potencial për shoqërinë, sepse ka gjithë përvojën e duhur si strateg dhe teknicien për të qënë një model referues për të rinjtë. Pyetja që shtrohet në këtë kontekst është se a kanë sot të rinjtë shqiptar një shembull të mirëfilltë politik? Nëse mendoni që jo, pra nuk ka. Atëhere shtrohet një tjetër pyetje, përse? Sepse në historikun politik të vëndit nuk ka patur personazhe të denjë, figura të pastër politikë, apo nuk kanë qënë aq mjaftueshëm në numër sa për të pastruar gjithë farsën politike të vëndit? E dini çfarë mendoj për ata burra dhe për ato gra, ish-parlamentarë dhe parlamentare aktual në legjislaturën e disa-të të këtij vëndi? Jeni thjesht shterues energjish, po vazhdoni të merrni energji nga politika në një kohë kur duhet të ofroni. Ju ka shërbyer politika prej shumë vitesh sikur të ishte një familjar i juaj, në një kohë kur duhet të ishit ju ata që t’i shërbenit. Nëse nuk arritët ta realizonit dëshirën apo “ëndrrën” tuaj të madhe për ta bërë këtë komb, atëhere dorëhiquni! Dorëheqja është akti më fisnik, kur arrini të pranoni humbjen. Nëse ju nuk largoheni, sepse mendoni se angazhimi juaj në vazhdimësi është një garanci për t’i përgatitur siç duhet politikisht të rinjtë, atëhere mund të them se po na fyeni mjaftueshëm intelektin tonë. Politika për juve që jeni kthyer prej vitesh tashmë në mbetje fosile është një garanci jete, është familja juaj ku ju prej vitesh strehoheni sepse ndiheni të sigurt në të, por për ne politologet e rinj, politika si nocion është pushtet merite dhe jo nderi. Ku ka një ekzekutiv më energjik se vetë rinia?! Por kjo duhet të ndodh shumë shpejt. Dhe që të ndodh, duhet “të vdesin” konformistët që të lindin revolucionarët.
Enxhi Nasto