Një e ardhme pa jetimore. Sfida për mirëqënien e fëmijëve

E ardhmja pa jetimore është synimi i ekspertëve dhe organizatave ndërkombëtare të avokatisë të cilët prej dekadash kanë trajtuar problemin e fëmijëve jetime dhe të braktisur. Në pamje të parë duket e çuditshme, por sipas drejtuesve të këtyre organizatave, rritja e fëmijëve nëpër institucione është i dëmshëm. I këtij opinioni është edhe Dr. Delia Pop, drejtuese e organizatës “Hope and Homes for children” me qendër në Londër e cila gjatë një interviste për Balkanweb shprehet se e ardhmja e jetimoreve është në librat e historisë.

“Dekada të tëra hulumtimi tregojnë se rritja e fëmijëve në institucione çon në probleme psikologjike, emocionale dhe fizike, shkakton vonesa kognitive, mungesa të aftësive sociale dhe jetësore që çojnë në disavantazhe të shumta gjatë moshës madhore” shprehet Pop teksa thekson se një sërë abuzimesh të të drejtave të fëmijëve janë dokumentuar si rezultat i kujdesit institucional, duke përfshirë një incidencë të lartë të dhunës. Sipas drejtueses së organizatës së njohur për kujdesin ndaj fëmijëve kujdesi institucional nuk është i nevojshëm. E pyetur se nëse jetimoret nuk janë vendi më i mirë për fëmijët, cila është alternativa e duhur, Delia Pop e cila ka një eksperiencë të gjatë me këtë problematikë që pas rënies se komunizmit në Rumani, thekson se janë një sërë opsionesh.

“Në kundërshtim me besimin e zakonshëm, shumica e fëmijëve në jetimore nuk janë jetimë, por kanë një apo edhe të dy prindërit gjallë. Edhe kur fëmijët janë pa kujdes prindëror dhe kujdesi alternativ është i nevojshëm, duhet t’u sigurohet kujdesi farefisnor ose familja kujdestare (foster families) ose një mjedis i ngjashëm me familjen në komunitet, siç rekomandohet nga Udhëzimet e Kombeve të Bashkuara për Kujdesin Alternativ.

Drejtuesja e organizates “Hope and Homes for children” nënvizon për Balkanweb se sipas një studimi të OKB-së i vitit 2006 fëmijët në institucione janë veçanërisht në rrezik dhune në krahasim me fëmijët në mjedise të tjera, duke përfshirë abuzimin verbal, fizik, kufizimet e tepërta ose të zgjatura, përdhunimet, sulmet seksuale dhe ngacmimet.

Delia Pop kujton edhe kohën kur 20 vite më parë vizitonte jetimoret në Shqipëri që ngjasonin me jetimoret në Rumani. “Një eksperiencë jo e mirë” thekson ajo. Në fokus të kësaj problematike u organizuan një sërë trajnimesh nga Thomson Reuters Foundation ku ekspertë të fushës si Krish Kendiah nga organizata Home For Good me qendër në Angli, Emmanuel Werner nga organizata Better Care Network etj treguan eksperiencat e tyre të gjata me fëmijët e braktisur, rreziqet me të cilat ata përballen nëpër institucione etj. Ndonëse ata ndajnë opinione të ndryshme për trajtimin e fëmijëve, ajo që bashkon është ideja se jetimoret nuk janë opsioni i duhur për mirëqenien e fëmijëve.

Sipas ekspertëve nuk është mungesa e një familje, por mungesa e mbështetjes për familjet që luftojnë me varfërinë, paaftësinë, diskriminim që i shtyn fëmijët në jetimore. Kjo është arsyeja pse zhvillimi i shërbimeve që u mundëson prindërve të kujdesen për fëmijët e tyre në shtëpi dhe të mos i drejtohen institucioneve është aq e rëndësishme sa të punojmë së bashku drejt një bote pa jetimore.

/BalkanWeb

SHKARKO APP