Një grua e fortë që thur poezi, Lumturi Plaku: “Zgjodha e botova vetëm poezitë e shpirtit”

Asnjëherë nuk është vonë për të plotësuar qëllimet jetësore, e këtë fare mirë na e demonstron shkrimtarja, poetja Lumturi Plaku. Ka pak kohë që ka nxjerrë në treg librin e saj të shtatë të titulluar “E imja Lirikë”, një vepër që ka ndjenjat: e shpirtit, lumturisë, pasionit, emocionet dhe dridhërimat.  Sot pasi ka sfiduar çdokënd dhe veten e saj, e mallëngjyer ajo tregon se: “Botova vetëm poezitë e shpirtit”. Prej vitesh ajo jeton dhe ka veprimtarinë e saj artistike në Itali ku edhe punon si Mediatore Interkulturale. Në një intervistë për “Koha Jonë”, poetja shprehet se: “Në moshë të re nuk munda të shkruaja fare e aq më shumë lirikën për dashurinë. Opinioni i atëhershëm vriste shpirtërisht e shihte me sy të keq një grua, që nuk ishte e shquar apo e konsideruar “poete”. Edhe pse jeton në Itali, znj.Lume gjithmonë e kujton Shqipërinë dhe lexuesin e saj këtu. Na ka treguar shumë momente të saja personale dhe lufta për të qenë një poete e lirë, ajo nga rrëfen gjithashtu për përkthimet e poezive në gjuhën italiane, për botimet e reja dhe me një këshillë për të gjithë ne.

Znj.Lumturi ka pak kohë që libri juaj më i ri “E imja Lirikë” ka dalë në treg, aty janë përmbledhur copëza jetësore. Çfarë mesazhe përcjell ky libër me poezi?

E vërtetë! Nga shtëpia e botimit “ADA”, mora në duar librin tim të shtatë, “E Imja Lirikë”. Me që kam një numër të madh poezish të pa botuara, me tema të ndryshme, vendosa që ky libër të ishte vetëm me lirika. E kështu zgjodha e botova vetëm poezitë e shpirtit. Ju thash që botoja një libër me poezi shpirti, sepse lirika është ashtu, si temat e lira, që lëvrinë, qeshin, qajnë, mërziten këndojnë e gurgullojnë nga thellësia e shpirtit e i ngjajnë vet shpirtit. Nuk mundet të shkruhet kurrë një lirikë në alegori, kur shpirti vuan në trishtim e anasjelltas.

Kur shkruan shpirti! Dikush, kur lexoi një shkrimin tim, e pashë që u përlot, ngeli pakëz i heshtur, por si për çudi më bëri një kritikë “Poezia s’ duhet të qaj, duhet të jetë e lumtur, e lehtë, si tingull, si vals, si deti me të ëmblat dallgë” Unë e habitur e shikova si një fëmijë e zënë në faj, e i them ngadalë: S’ju kuptoj, si mund ta shkruaj një poezi si behar, kur shpirtin e kam pellg e lot duke qarë? Sot dikush nga larg, më bëri një shenjë nderimi, pastaj u afrua e me buzën në të qeshur, më thotë ; “Ty s’duhet të të flas me gojë, se në jetë s’kam qarë kurrë, jam burrë i fortë por libri yt më ka bërë të derdh lot. S’më vjen keq, që qava e them troç, e meritonin ato lot e bëra shaka kur thash që s’të flas me gojë“. Pastaj, hapi krahët e me urime fort më përqafoi. Ç’të të them, fjalët, thellë nga shpirti dalë edhe qeshin dhe përloten, edhe qajnë. Në lirikat e mia janë argumente nga më të ndryshmet jetësore, që çdo ditë më provokojnë ti shkruaj.

Argumentet janë si ato me lot të rënkimeve të ndryshme shpirtërore, siç është malli, vuajtje, apo vdekjet larg atdheut, për braktisjet, tradhtitë në dashuri etj. Por ama. brenda lirikës këndojnë, qeshin, vallëzojnë bukuritë e ndryshme¸ bukuria e një femre, e natyrës, muzikës, detit, apo bukuria e dridhërima e ndjenjave, emocioneve, përqafimeve, apo puthjeve, provokuar nga dashuri të ndryshme: dashuritë midis dy të rinjve, ajo e bukura dhe e sinqerta nënë-fëmijë, gjyshe-nipër, dashuri vëllazërore, apo miqësore etj. Të gjitha argumentet i shkruaj me fjalën e një shpirti të mbushur plotë e qetë-qetë si lumi i Bunës, por herë-herë me vrull e përplasje si Drini me shkëmbinjtë. Për të gjitha sa shkruaj jam aq konservatore, aq fanatike, sa që çdo redaktori para se të më redaktonin librat, ju kam pretenduar e porositur që vetëm mund të më bëjnë ndonjë korrigjim, por mos të më ndryshojnë asgjë. Dua të jem vetja, ashtu siç jam, në çdo varg, në çdo fjalë dhe tjetra; fjalët e shpirtit nuk mund ti prekesh.

Librin e keni titulluar “E imja Lirikë”? Pse pikërisht zgjodhët këtë titull, çfarë ide patët?

E dashuroja lirikën. Brenda tek lirika gjej lirinë e aq shumë dëshiruar, lirinë e të shprehurit e për këtë arsye e kam quajtur sikur të ishte një fëmija im, me shumë përkëdhelje “O e imja lirikë”. Në moshë të re nuk munda të shkruaja fare e aq më shumë lirikën për dashurinë. Opinioni i atëhershëm vriste shpirtërisht e shihte me sy të keq një grua, që nuk ishte e shquar apo e konsideruar “poete” . Faktikisht edhe në vitet e fundit, prej dikujt në mënyrë ironike e me sarkazëm mora një kritikë për poezinë e dashurisë. Kokëforte  se isha e bindur për çfarë shkruaja vazhdova me shpirt ta qëndisja edhe lirikën e dashurisë. Po e le të flasin vet vargjet, që rrëshqasin lehtë, lehtë si një shall i mëndafshtë në faqen e pare,  prej ku ka marrë edhe titullin, libri, E imja Lirikë. Vite larg, si me sarkazëm e injorim, m’u tha për poezinë: “Ti ke qenë e je një grua halle madhe, mos u bëj qesharake, poezinë e dashurisë e ke pa shije, lakuriqe, e here-herë të veshur shëmtuar. S’e njeh ndjenjën e sajë, s’e ke provuar, vet kurrë s’je dashuruar, ndaj mos e shkruaj”. Unë, që për ca bindje jam kokëfortë, që s’hap udhë e murit i bie me kokë, kritikën në pusin e heshtjes e rrokullisa më të poshtë. Vërtet asnjëherë s’kisha dashuruar, por siç mëndja ma tregonte, edhe poezinë për dashurinë vazhdova ta shkruaj e ashtu si dita  pika-pika e ca faqeza me lirika qëndisa. Vargjet që derdhnin ndjenjat e shpirtit, lumturinë plotë pasion, emocione, dridhërimën, ethet e dashurisë, i preka me delikatesë, lehtë-lehtë, si krahë flutura, si pupël, si flladi pranveror, si puhizë. Atyre vargjeve, që zbraznin ndër krahët e poezisë, shpirtin në duf e trishtim jua pikova pikën e lotit ngadalë si sumbull, si vesa në mëngjes, mos t’ua prishja freskinë faqeve të bukura si pjeshkë.

Prej vitesh jetoni në Itali aty ku keni dhe aktivitete të përditshme artistike, a është përkthimi i librit “Vlerë Floriri” në gjuhën italiane një dhuratë për artdashësit tuaj të huaj?

Në vetvete e ndjeja si detyrë ta shkruaja këtë libër dy gjuhësh italisht-shqip e jo pa arsye; Kur nëpër shkolla, si Mediatore Interkulturale, prezantoja kulturën, traditat, histori të vendit tonë, shikoja një kuriozitet e interesim të madh nga ana e nxënësve e studentëve. Ndjehesha si një shqiponjë, që duke njohur mirë rrënjët e origjinën e sajë, i prezantoja ato, krahëhapur e krenare në një vend të huaj. Për këtë arsye, nuk u mjaftova vetëm me shkollat. Dëshiroja që popullata që më rrethonte e që s’dinte asgjë për Shqipërinë, të njihte fytyrën e bukur, antike me vlera të sajë. Mora disa legjenda, histori, thënie me vlerë të popullit tonë e në gjuhën shqipe i thurra poezi, ndërsa në gjuhën italiane, për ti shpjeguar më mirë i shkruajua në prozë. Është pritur shumë bukur, kam bërë promovime të ndryshme në zona të ndryshme, kam folur në televizorin lokal, kanë shkruar gazetat. Në javën kundër racizmit, bashkia dhe provinca e qytetit ku jetoj, më dedikuan një mbrëmje, ku do të referoja e do flisja për kulturën e traditën shqiptare, nëpërmjet librit tim. Ngela jashtë mase e kënaqur sepse u pëlqye shumë. U ndjeva krenare, mbasi gazeta e qytetit shkruaji artikullin“ Un fillo rosso tra Italia e Albania, grazie al libro di Lumturi Plaku” –“ Një fije lidhje e rozë midis kulturës italiane dhe shqiptare, faleminderit librit të Lumturi Plaku” Siç kam thënë edhe në një intervistë tjetër, publikut tim italian dëshiroj ti dhuroj një libër me poezi në gjuhën italiane.

Znj.Lume sa vështirësi ka botimi i një libri dhe promovimi i tij në ditët e sotme?

Për mendimin tim, vështirësia e vetme e botimit të librit në ditën e sotme është ana ekonomike, që për fat të keq intelektualët të gjithë e ndjejnë. Për sa i përket promovimeve, unë jam larg, këtu në Itali e megjithatë më janë krijuar disa mundësi promovimi.

Çfarë ju frymëzon që edhe në këtë moshë ju vazhdoni të jeni aktive jo vetëm me botime por dhe në rrjete sociale? A janë rrjetet sociale një rrugë e mirë për promovim?

Kur ju thashë që më janë krijuar disa mundësi promovimi, kam parasysh mënyrën se si janë njohur e vlerësuar shkrimet e mia. Një rol të madh publikimi ka luajtur interneti e dy promovime madhështore, i kam bërë në Kosovë duke më vlerësuar nëpërmjet internetit. Me kënaqësi mund të them që shumë libra kanë arritur disa vende të ndryshme të botës e kjo po ashtu fal rrjetit social. Unë jam aktive e nganjëherë aq shumë sa që sforcohem për t’ju përgjigjur, për të nderuar e respektuar lexuesit e mi, të cilët me prezencën, komentet e tyre, më japin energji, force e më inspirojnë. Kur mungoj, më kërkojnë e më ndjekin në çdo publikim. Shumë shkrime të miat publikohen nëpër revista midis internetit. Sigurisht rrjeti social bënë një punë të madhe e ka dhënë mundësinë, pa interes e tarifë, të zgjidhet e bukura, duke marrë vlerat kush i meriton.

Gjatë këtyre viteve në Shqipëri është botuar pa fund. Ka inflacion botimesh dhe pak kritikë. A mendoni se ka nevojë për një filtër më strikt në botimet shqiptare?

Media a po promovon atë që duhet? Kjo është një pyetje me shumë vlerë. Për mendimin tim ndër botime duhet të ketë edhe një kritikë letrare, një filtër, një pastrim, mbasi shumë shkrime numuroze, pa vlerë, ju bëjnë hije e nuk i lënë të dalin në dritë ato, që vlejnë. Për sa u përket mediave, me aq sa kam pasur rastin ti ndjek,  mund të them që ka pasur nga ato shkrime e autorë, që meritojnë të flitet, por ka edhe nga ato që për mendimin tim edhe vet prezantuesit, ulin nivelin e tyre. Ka ardhur koha që të bëhet një zgjedhje me nivel, një seleksionim, sepse Shqipëria ka persona me nivel, që mund të konkurrojnë me pena botërore.

*Ripostim, intervista për “Koha Jonë” është botuar në vitin 2015. Intervistoi: Redjon Shtylla

SHKARKO APP