Një histori heroizmi, që ia vlen të rikujtohet
Vetëm pak muaj më parë, aktori Pandi Toçe ndërroi jetë në mënyrë heroike, duke u përpjekur t’i shpëtonte jetën një fëmije 13-vjeçar që po mbytej në Liqenin Artificial në Tiranë.
Ngjarja atëherë u raportua shumë thatë nga mediet, të cilat e raportuan si një mbytje të një 50-vjeçari. Top Channel e ka rimarrë sërish historinë e tij sot, duke intervistuar babain e djalit që shpëtoi aktori, i cili sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar 13-vjeçarin, shkruan "Tema".
“Ishte mëngjes, rreth orës 6 apo 6 e 30, kur unë mora një telefonatë nga im vëlla, të cilin e kishte lajmëruar vajza e vetë, nëpërmjet së cilës më thanë se Ervisi kishte rënë në liqen, por nuk kishte asnjë gjë për t’u shqetësuar. Për momentin, ashtu siç isha përgjumësh, nuk e kuptova çfarë kishte ndodhur dhe ika me vrap në vendngjarje me makinë.
Aty kishte shkuar im vëlla më parë, por ku u gjenda atje pashë shumë policë dhe një ‘skenë krimi’ të vendosur prej tyre. Për momentin u shokova sepse mendova më të keqen, thirra menjëherë emrin e djalit, kur papritur e shoh atë të ishte shëndoshë e mirë.
Ndërkohë, policët më njoftuan se nuk kishte asnjë problem për djalin, sepse një tjetër person kishte humbur jetën për të shpëtuar tim bir. Mbeta pa fjalë, edhe pse e shihja djalin që e kisha përpara syve, nuk më besohej. Isha shumë i shokuar”, thotë ai.
“Djali e ka përjetuar shumë rëndë ngjarjen. Ende edhe sot, nëse e hapim këtë bisedë dhe flasim për të sesi ndodhi ngjarja, ai përsëri preket shpirtërisht. E shikoj si prind që ai nuk ka dëshirë t’i përmendet fjala ‘Liqeni’, apo xhirot përreth tij, madje edhe ‘plazhin’ apo ‘detin’. Është ende i prekur edhe ai, për shkak të moshës, është ende fëmijë. Fjalët e para që tha ishin: Ç’desha unë që shkova poshtë liqenit, doja të rrëshqisja, ishte faji im. E ndien veten sikur është ai fajtor për ngjarjen, por faktikisht nuk është kështu, ai ishte duke bërë xhiro dhe rrëshqiti”, vijon më tej ai.
Dervishi thotë se do i jetë përjetë mirënjohës aktorit të pajetë dhe familjes së tij.
“Mesazhi ynë është Zoti u dhënë kurajo dhe falenderime për atë njeri. Ai njeri për ne është hero, është një njeri shumë i nderuar dhe shumë i lartë për ne. Nuk janë të gjithë njerëzit në kohët e sotme që mund të bëjnë një veprim të atillë, një xhest human.
Kushdo të jetë sot vështirë ta përsërisë atë veprim heroik të Pandit. Nuk besoj se ndonjë do të mund të hynte në Liqen në 6 të mëngjesit për të shpëtuar një tjetër person të rrezikuar. Është për t’u përmendur dhe nuk do ta harrojmë kurrë”, e mbyll ai.