Një intelektuale model

Nga Zenepe Luka –

Nëntë shkurt ishte dita e 60-vjetorit të lindjes së Dr.Zylfie Gjoni Duraku nga Ulqini. Ajo është gjinekologia e parë shqiptare në Malin e Zi. Është intelektualja  model, që me përgjegjësinë e kryetares së degës së fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”,  me aktivitetet madhore e shkencore, jo vetëm ka gjallëruar jetën e gruas, por ka ditur të ndërtojë urat e bashkëpunimit me organizatat e grave të etnive të ndryshme, që jetojnë në Malin e Zi.

Pasi kreu studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, u specializua për gjinekologji në Novi Sad. Sot ajo është udhëheqëse në Maternitetin e Ulqinit dhe punon në dispozicion të grave në Shtëpinë e Shëndetit. Është mjekja e parë e Anës së Malit dhe gjinekologia e parë shqiptare në Malin e Zi. Ka qenë vetëm guximi dhe dëshira e saj për t’i shërbyer gruas shqiptare, që arriti të përballojë vështirësitë për të përfunduar studimet dhe specializimin, për gjinekologji, duke qenë edhe nënë e katër fëmijëve të vegjël. Me kontributin e veçantë të saj në vitin 1999 realizoi ëndrrën e gruas shqiptare, për të pasur shërbimin mjekësor, që do ta gëzojnë gjeneratat. Gjinekologia është shumë e përkushtuar edhe në ligjëratat që jep për masën e grave, për të parandaluar kancerin e gjirit dhe të mitrës. Zylfie Gjoni është edhe një veprimtare e shquar  e  shoqërisë civile, që ka dhënë e jep kontribute, duke  u veçuar si grua patriote e humane.

Në nëntor të vitit 1994, formoi shoqatën e parë të grave shqiptare në Malin e Zi, “ANIMA” , duke bashkëpunuar ngushtë edhe me shoqatat e grave në Kosovë, për bashkimin e zërit të gruas intelektuale shqiptare për Pavarësinë e Kosovës dhe në interes të Kombit. Gruaja shqiptare e inkuadruar në këtë shoqatë, ka dhënë një kontribut të vyer në përkrahjen e gruas së Kosovës gjatë periudhës së luftës, sikurse ishin protestat për nxjerrjen nga burgu të Flora Brovinës. Si përfaqësuese e kësaj shoqate, në emër të gruas intelektuale shqiptare në Malin e Zi. Pas një takimi në Kongresin Amerikan, në takime me gratë në Filadelfia, ka kërkuar respektimin e të drejtave të grave në Kosovë. Kështu ka vepruar edhe në Londër e shtete të tjera. Gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ndërpreu specializimin në Novi Sad dhe punoi si mjeke vullnetare pranë shtabit të emergjencës. Kontribut  ka dhënë në Ulqin për strehimin e refugjatëve, mbledhjen e ndihmave në bashkëpunim me shoqatën “Nënë Tereza” në Nuremberg –Gjermani me kryetar, ku kryetar z.Halil Gjevukaj nga Rugovë e Pejës, një aktivist i palodhur. Një pjesë e ndihmave janë dërguar në Skënderaj, përpara se të nënshkruhej marrëveshja. Ishte ky kontribut i kësaj intelektualeje, që me të drejtë u bë pjesë e festës së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe më pas duke e përjetësuar këtë ngjarje historike. Me mbjelljen e ullirit, në qytetin e vjetër të Sharsit në Anë e Malit, ku morën pjesë edhe 100 fëmijë jetimë nga Kosova si dhe personalitete të Fondacionit  si: Margarita Xhepa, Tinka Kurti etj..

10 vjet kryetare e degës së Fondacionit  në Ulqin

 Formimi i degës së Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi” në vitin 2005 në Ulqin, pas një konference shkencore, që u organizua me gruan shqiptare, ku morën pjesë edhe përfaqësuese të etnive të tjera, Zylfie Duraku, si kryetare e degës, ka dhënë e jep kontribut të shquar, duke përfaqësuar denjësisht intelektualen shqiptare në Malin e Zi. Plot 10 vite më parë, në Ulqin, u krijua dega e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, që organizoi edhe Kuvendin e parë të Gruas së shquar në Malin e Zi. Aty morën personalitete të fushës së artit e kulturës, pjesë e fondacionit sikurse ishin “Artistet e Popullit” Violeta Manushi,Tinka Kurti, Margarita Xhepa etj..                  Ishte shembulli dhe personaliteti i Dr. Zylfije Gjoni – Duraku, që detyroi intelektualen serben, gjatë diskutimit të saj, të përkulet me nderim përpara vlerave dhe kontributeve të gruas shqiptare në Malin e Zi. Ajo ka organizuar disa konferenca shkencore të nivelit akademik dhe veprimtari me pjesëmarrje të gjerë të gruas nga Ana e Malit, Tuzi e Malësia.

Sidoqë e ngarkuar me shoqërinë civile, ashtu edhe me një profesion të vështirë, familja ka qenë e mbetet gjëja më e rëndësishme për të. Ajo sot ndjehet e plotësuar shpirtërisht dhe emocionalisht, sepse ka një familje të shëndetshme intelektuale. Vajza, që ka emrin Vlora, është mjeke – pediatre, vajza e dytë, Rrezarta, është magjistre e telekomunikacionit, ndërsa Linda, magjistre e farmacisë. Djali i vetëm, Artani, është në përfundim të Fakultetit Juridik në Vjenë.

Flasin për Dr. Zylfie Duraku-Gjoni.

Margarita Xhepa “Nderi i Kombit”

“E konsideroj fat, që jam pjesë e fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, që më dha mundësinë të njoh një grua të shquar shqiptare, ulqinake Dr.Zylfie Duraku Gjoni. Kemi ndjekur veprimtaritë, që ka organizuar në Ulqin, Ana e Malit, në Tuz, por i kemi dëgjuar zërin nëpër Kuvendet, që janë organizuar në shumë shtete. Për ne, që e njohim nga afër, arrijmë në përfundimin se është zor të gjesh një intelektuale shqiptare, që i përkushtohet aq shumë çështjes kombëtare, një luftëtare të flaktë në mbështetje të gruas. Mirënjohje dhe urime për 60- vjetorin e lindjes.

Tinka Kurti, “Nderi i Kombit”

“E  nderoj dhe respektoj shumë Dr.Zylfie Duraku-Gjoni, për vlerat që mbart, për sakrificën, që di t’i bëjë vetëm ajo, në interes të çështjes kombëtare. Një moment që tregon vlerat e kësaj gruaje intelektuale, është kur shkuam të formojmë degën e Fondacionit në Ulqin në vitin 2005. Takuam kryetarin e baskisë, z.Gëzim Hajdinaga dhe i shtruam problemin, se kush mund ta drejtonte degën. Ai u shpreh: “Kemi një intelektuale të zonjën, që vetëm ajo di ta bëjë, është Dr.Zylfie Duraku. Paçka se ajo nuk më ka votuar mua, por këtë detyrë, vetëm ajo mund ta bëjë dhe do të bindeni për këtë”. Ka dhjetë vjet që drejton degën e fondacionit dhe me veprimtaritë cilësore që ka bërë, u bindëm. Ajo është një grua, që mban gjallë patriotizmin dhe udhëheq masën e grave në Malin e Zi”.

Irini Qirjako, “Mjeshtër i Madh”

“Dr.Zyli, 60 vjeç? E pabesueshme. Ajo veç fluturon sa në një shtet në një tjetër duke ngritur zërin fort në mbrojtje të të rejave të grave. Grua patriote, që rrallë e ndesh. Nëse këngëtari e shpreh me zë dashurinë për Shqipërinë, Kombin, për gjithçka që ka të bëjë me këtë vend, Dr.Zylifie Durakut,i rreh zemra orë e çast për Kombin e saj. Është modeli i gruas, që jetën e saj ia kushton Kombit të vet”.

SHKARKO APP