Një kontribut i ri në historiografinë shqiptare

Historia e Përmetit në dy vëllime. Nuri Dragoj i bën lapidar një prej trevave më të shquara në veprimtarinë atdhetare dhe politike

Prof. dr. Bardhosh GAÇE

Në vargun e botimeve historiografike të dekadave të fundit, na kanë tërhequr vëmendjen edhe hulumtimet e gjera e komplekse të studiuesit të talentuar Nuri Dragoj, i cili është përherë në kërkim të rrënjëve të lashta e të reja të etnokulturës dhe historisë së një treve zëmadhe në historinë tonë kombëtare, siç është Përmeti dhe viset e tij. Edhe në botimin më të ri, Përmeti midis dy Luftërave Botërore, që në një farë mënyre është vijim i librit Përmeti dhe pavarësia, autori na sjell një punë komplekse dhe analizë të plotë të zhvillimeve për atë periudhë.

Studiuesi është ndodhur përballë mjaft vështirësive, ngaqë studimet e mëparshme janë të vakëta, por edhe nga gjerësia dhe horizonti historik që shpërfaq zhvillimi i ngjarjeve në Shqipëri gjatë asaj periudhe, në të cilën ngjizet edhe kontributi i veçantë i Përmetit. Duhet thënë që në fillim, se ndryshe nga mjaft studime e botime historike dhe monografike që janë botuar për qytete e krahina të tjera të vendit, në punimin e Nuri Dragoit, Përmeti midis dy Luftërave Botërore, kemi në dorë një studim shumëplanësh. Ai karakterizohet nga jeta ekonomike, politike, kulturore, arsimore dhe marrëdhëniet shoqërore. Aty nxjerrin krye një varg problemesh e fenomenesh që kanë të bëjnë me traditën e pasur të asaj treve, në përpjekjet dhe luftërat për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut. Duke shfletuar librin përballemi me shpirtin e madh kombëtar dhe arsimor të përmetarëve, ndihmesën e dhënë në Shpalljen e Pavarësisë kombëtare dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare nga lakmitë e fqinjëve ballkanikë, konsolidimin e pavarësisë së fituar dhe fatin dramatik të shqiptarëve ndërmjet dy Luftërave Botërore, për shkak edhe të politikës së Fuqive të Mëdha.

Duke qenë se të dy librat botohen në të njëjtën kohë dhe në themel të tyre kanë veprimtarinë atdhetare dhe politike të zhvilluar në trevën e Përmetit gjatë viteve 1912-1939, edhe unë, në parathënien time, nuk po i ndaj nga njëri-tjetri. Në studimin monografik, bie në sy që studiuesi Nuri Dragoj, duke qenë serioz dhe skrupuloz në studimet e veta, tablonë e gjerë të jetës historike të asaj treve na e shpalos në një këndvështrim të ri e të thellë, duke u mbështetur në dokumentet arkivore të Londrës, Romës, Vjenës, Stambollit, Athinës dhe sidomos Arkivit Qendror Shtetëror të Republikës së Shqipërisë, por edhe në botime të shumta historiografike, si dhe në kujtesën historike përmetare. Nëpërmjet këtyre burimeve të shumta, ku rrjedh dhe gjallon fati dramatik i asaj krahine dhe shqiptarëve në tërësi që, nën vendimet e Fuqive të Mëdha dhe presionit të fqinjëve ballkanikë të cilët e pushtuan Shqipërinë, mundën ta copëtonin atë, duke rrezikuar ekzistencën e saj. Hapësirat historike të këtij studimi të thellë të Nuri Dragoit, dëshmojnë qartë pasionin dhe këmbënguljen e tij për të zhbiruar të vërtetat historike, ngjarje e bëma, detaje e dokumente, dorëshkrime e shtypin e kohës, ku herë-herë jeta e përmetarëve shfaqet si një kronikë e gjallë në rritje të ndërgjegjes kombëtare, ku vend qendror zë atdhetaria e tyre.

Sigurisht, kur bëjmë fjalë për një trevë si ajo e Përmetit, ngjarjet dhe fenomenet historike zënë vend në përbashkësi me viset dhe krahinat e tjera si Kolonja, Korça, Berati, Skrapari, Tepelena, Gjirokastra e më tej, deri në Vlorë a Prizren, pasi fara e mbjellë nga rilindësit Frashëri e mjaft mëmëdhetarë të saj, la gjurmë në bashkimin e shqiptarëve dhe zgjidhjen e problemeve mbarëkombëtare. Në këtë këndvështrim, Përmeti në vitet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare u bë një nga vatrat e zjarrta të dashurisë për Atdheun, pasi luftërat dhe kryengritjet antiosmane, si ajo e Dangëllisë më 1802, apo të tjera që vijuan në vitet 30-40-të të shek të 19-të, me kryengritjen e Dëshnicës 1847, si dhe kryengritjen e vitit 1854 të drejtuar nga Halit bej Frashëri, dëshmuan qartë qëndresën ndaj Portës së Lartë.

Në faqet e këtij botimi, studiuesi Nuri Dragoj na jep përmasa të reja të veprimtarisë së përmetarëve në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ku ideolog ishte biri i asaj treve, Abdyl Bej Frashëri, i cili nxiti në Përmet dhe krejt jugun e Shqipërisë, ambicien për plotësimin e kërkesave të shqiptarëve për autonomi, nëpërmjet rrugës së kryengritjeve. Kuvendi që u mbajt në Frashër në maj të vitit 1878, si dhe një varg protestash e memorandumesh drejtuar Fuqive të Mëdha dhe Portës së Lartë, dëshmojnë qartë vendosmërinë e asaj treve për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi dhe realizimin e autonomisë së Shqipërisë duke kundërshtuar hapur edhe vendimet e Kongresit të Berlinit.  Ashtu si Sami Frashëri luajti rol me rëndësi si filozof, Naimi si poet kombëtar, ideologu Abdyl Frashëri ka dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Abdyli u shqua veçanërisht në veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe marrëdhëniet me diplomacitë e kancelarive të Europës, që na jepen nga autori nën një dritë të re, duke shtegtuar në çdo krahinë e vis të Shqipërisë, për bashkimin e të katër vilajeteve të banuara nga shqiptarë dhe realizimin e aspiratave të tyre.

Në këtë sfond historik të veprimtarisë kombëtare në trevën e Përmetit, me të drejtë autori është ndalur në disa veçori e tipare të krijimtarisë letrare dhe rolit të poetëve bejtexhinj, që lanë gjurmët e veta përgjatë shekullit të 19-të e deri në fillim të shekullit të 20-të, ku vatra e saj ishte Frashëri. Tahir Skënderasi, babai i Teqesë së Frashërit dhe më pas Dalip K. Frashëri, nëpërmjet krijimtarisë së tyre të begatë, ushqyen thellë botën poetike të Naim Frashërit, ndikuan drejtpërdrejt në formimin shpirtëror të Shqipërisë, duke vënë në qendër të mendimit të tyre politik, shoqëror dhe letrar, Atdheun. Në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare të fillimit të shekullit 20-të, edhe Përmeti ka gjurmët e veta, të cilat autori i zbulon nëpërmjet dokumenteve e dëshmive të kohës, që herë-herë janë mbuluar nga mjegullat e kohëve. Kështu, në krijimin e Komitetit të Manastirit (1905), krahas Kristo Meksit, Pandeli Evangjelit e Bajo Topullit, merrnin pjesë edhe përmetarët Veli Bej Këlcyra, Ali Sherif Frashëri, Bedri Përmeti, Mehmet Pavari, Mina Frashëri e ndonjë tjetër. Në botimet tona historiografike me të drejtë flitet për çetat patriotike të Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos, por studiuesi nxjerr në dritë, krahas tyre, edhe veprimtarinë luftarake të çetës së Zaim Plugut në Bubës dhe Hajredin Tremishtit, Riza Velçishtit, Nexhip Bënjës e Mehmet Pavarit, por edhe çetave të tjera patriotike, të cilat bashkëvepruan kundër trupave osmanë dhe andartëve grekë, jo vetëm në atë trevë, por edhe në krahina të tjera, në Labëri e Çamëri.

Krahas qëndresës me armë, treva e Përmetit është shquar edhe për përpjekjet e saj në përhapjen e arsimit shqip, gjë që gjeti kundërshtimin e pushtetit osman. Autori, duke u mbështetur në dokumente dhe shtypin e kohës, na jep një pasqyrë të gjallë të lëvizjes për arsimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe në atë trevë, si me pjesëmarrjen e Mithat Frashërit në Kongresin e Manastirit dhe një varg protestash e memorandumesh në mbrojtje të alfabetit latin dhe gjuhës amtare, siç ishte edhe mitingu i Përmetit më 1910, i drejtuar nga baba Abedini, ku morën pjesë rreth 5 mijë përmetarë. Me të drejtë studiuesi Nuri Dragoj, duke na dhënë një tablo të gjerë të lëvizjes kombëtare në Përmet dhe viset rreth tij, në prag të Shpalljes së Pavarësisë kombëtare, na jep mjaft të dhëna interesante në lidhje me veprimtarinë e çetave patriotike, jo vetëm të Përmetit, si ajo e Mehmet Pavarit, At Stath Melanit, Nexhip Bënjës, Servet Frashërit, Dervish Shemes, Menduh Zavalanit, Mete Topojanit, por edhe bashkëveprimin e tyre me çetat e Namik Delvinës, Themistokli Gërmenjit, Alush Takës e Dervish Himës, të cilat u përfshinë në Kryengritjet Antiosmane të viteve 1911-1912. Një ngjarje e shënuar është edhe aksioni i përzënies së kajmekamit të Përmetit, më 13 gusht 1911, beteja e Pagrisë po atë muaj, ku ra trimërisht Nazif Hadëri. Për t’u shënuar është edhe memorandumi drejtuar Portës së Lartë, mbështetja e Memorandumit të Gëçës dhe kryengritjes të Malësisë së Kosovës në vitin 1912.

Rënia e Janinës në duart e ushtrisë greke, i dha shkas Athinës të pushtonte trojet e tjera shqiptare që përfshiheshin nga Korça në Gjirokastër. Në fillim të marsit 1913, trupat greke pushtuan edhe Përmetin. Krahas qëndresës së banorëve të Përmetit dhe krahinave të tjera të jugut, në faqet e këtij studimi na jepen edhe përpjekjet e mëdha të qeverisë së Vlorës në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ballafaqimi i saj me diplomacinë e Fuqive të Mëdha, për vendosjen e kufijve të shtetit të ri shqiptar dhe largimin e ushtrive pushtuese ballkanike. Nëpërmjet dëshmive e dokumenteve të kohës, krahas këtyre përpjekjeve diplomatike, autori na shpërfaq një tablo të gjerë e dramatike të vrasjeve, burgosjeve, djegieve, ndalimit të gjuhës shqipe dhe çeljen e shkollave greke për helenizimin e viseve jugore të vendit, me ndihmën e klerit ortodoks dhe grekomanëve vendas. Një varg dokumentesh pasqyrojnë protestat dhe memorandumet e përmetarëve në kancelaritë e Europës dhe Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, për të larguar zgjedhën e huaj dhe vendosjen e kufijve gjeografikë.

Me të drejtë autori, bazuar në burime arkivore, është ndalur në organizimin e lëvizjes autonomiste vorio-epirote, nën kryesinë e Zografos dhe bekimin e Athinës, e cila mbolli terror në Përmet e viset e tjera shqiptare, për të realizuar pushtimin e pjesës tjetër të Shqipërisë. Mjaft banorë të Përmetit, Tepelenës, Gjirokastrës, Kolonjës e Korçës, kërkuan shpëtim si muhaxhirë në brigjet e fshatrat e Vlorës, ku një pjesë humbën jetën nga uria, të ftohtit dhe epidemia dhe një pjesë emigruan në dhe të huaj deri në SHBA.

Këto qëndrime që po përgatisnin një rindarje të Shqipërisë, bënë që përmetarët të organizonin protesta e mitingje si ai i 18 shkurtit 1919, kur u demaskuan pretendimet e qeverisë së Athinës për Jugun e Shqipërisë, dhe u kërkua bashkimi i Kosovës dhe i Çamërisë me dheun amë. Përmetarët i kërkonin Konferencës së Paqes në Paris t’i jepte Shqipërisë kufijtë e saj etnikë, gjeografikë dhe historikë, duke korrigjuar edhe gabimet që ishin bërë në Londër. Zërin e përmetarëve e dëgjoi edhe Presidenti i SHBA-ve, Wilson, i cili dërgoi në Përmet konsullin e vet në Torino, Zhozef Haven. Krahas dënimit të barbarizmave greke, banorët i kërkuan konsullit Haven me anë të një memorandumi, largimin e trupave ushtarakë italianë nga Shqipëria, duke demaskuar kështu edhe marrëveshjen e fshehtë Tittoni-Venizellos për ndarjen e zonave të influencës.

Duke u mbështetur në mjaft materiale arkivore, studiuesi Nuri Dragoj na sjell të dhëna të reja për organizimin e rezistencës antiitaliane në trevën e Përmetit, si dhe krijimin e komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, i cili luajti rol të veçantë në përkrahjen e Kongresit të Lushnjës dhe pjesëmarrjen në Luftën e Vlorës, 1920.

                     *     *     *

Botimi i studiuesit Nuri Dragoj, Përmeti midis dy Luftërave Botërore, na shpërfaq mjaft aspekte të tjera të jetës politike, ekonomike e kulturore të kësaj treve gjatë viteve 1921-1924, përfaqësuesit e saj në jetën parlamentare, përpjekjet për demokratizimin e jetës së vendit dhe lëvizjen e qershorit 1924, në përkrahje të qeverisë së Nolit, ku garnizoni ushtarak i Përmetit i komanduar nga nënkolonel Kasëm Qafzezi u vu në krye të kryengritjes së përgjithshme.

Në përshkrimin e jetës historike, ekonomike dhe kulturore të trevës së Përmetit, për vitet 1920-1924, studiuesi ynë, Dragoj, na sjell një sintetizim të gjerë të ngjarjeve e ndodhive, që bartin një shpirt të thellë kombëtar të banorëve të saj.  Lufta e Vlorës sjell në sy të lexuesit edhe pjesëmarrjen aktive  të Përmetit dhe luftëtarëve të tij, qëndrimin e Bandës Muzikore “Vatra” me kompozitorin Thoma Nashi në qytetin e Përmetit, veprimtarinë e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” dhe mjaft personazhe historikë, të cilët lanë gjurmë në zhvillimet demokratike të kohës. Ky shpirt atdhedashës e demokratik i banorëve dhe intelektualëve të Përmetit, nëpërmjet dëshmive e dokumenteve  të shumta të hulumtuara nga autori, del në dritë edhe në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1921, kur ata kërkonin thirrjen e Asamblesë Kombëtare dhe realizimin e zgjedhjeve të reja në bazë të parimeve europiane.

Në këtë aspekt, me të drejtë studiuesi ka nxjerrë në pah përfshirjen  e intelektualëve dhe politikanëve të njohur të kohës, në grupime të ndryshme politike, si në Partinë Popullore, Partinë Përparimtare apo rryma të tjera politike, ku kurdoherë kërkojnë zhvillimin e vendit me reforma të gjithanshme, të shkallëzuara, por moderne. Fakti që në trevën e Përmetit gjeti përkrahje  Partia Popullore, shpjegohet me atë, se në programin e saj përmetarët shihnin realizimin e një varg masash për ndryshimin e Shqipërisë, por edhe pse në hartimin e tij morën pjesë edhe deputetët përmetarë, Agathokli Xhitomi, Leonidha Frashëri, Ali Këlcyra, Koço Tasi, Stavro Vinjau, Dhimitër Kacimbra etj. Më tej ata i shohim në përkrahje të Partisë Liberale,  në krye të së cilës qe dhe një nga intelektualët e njohur përmetar, Agathokli Xhitomi.

Gjurmë të veçanta në jetën kulturore historike dhe shoqërore të Përmetit kanë lënë edhe botimi i gazetës “Reforma” e Varfë Ali Prishtës, pjesëmarrja në Federatën “Atdheu”, dega e shoqërisë “Bashkimi”, si dhe deputetët e kësaj treve në Parlamentin Shqiptar si: Agathokli Xhitomi, Ali Këlcyra, Dhimitër Kacimbra, Koço Tasi, Leonidha Frashëri, Mithat Frashëri, Stavro Vinjahu etj., personalitete mjaft të njohura për kohën. Në këto zhvillime demokratike, me mprehtësinë e tij, studiuesi Nuri Dragoj na shpërfaq një mendim të thellë e konkret historik edhe me vizitën e francezit Justin Godard në Këlcyrë e Përmet, (prill, 1921), apo veprimtarinë e Komisionit të Lidhjes së Kombeve për përcaktimin e kufijve jugorë, gjatë kalimit të tij në Këlcyrë e Përmet.

Në zhvillimet historike të kohës, Përmeti dhe përmetarët, duke qenë kundër anarkisë, i kërkojnë Parlamentit Shqiptar, nëpërmjet mitingjeve e telegrameve, “rregullimin e jetës së vendit”. Kjo revoltë e tyre ndihet edhe në pjesëmarrjen e 150 përmetarëve e dëshnicarëve në varrimin  e Avni Rustemit në Vlorë, apo përfshirjen e tyre në lëvizjen e qershorit të vitit 1924 dhe mbështetjen e qeverisë së Fan Nolit. Në këto tablo historike të jetës shqiptare, Përmeti, si një nga vatrat e lëvizjes demokratike të kohës, me ardhjen e Ahmet Zogut si President i Republikës, dhe më pas, si Mbret, pasqyrohet me një varg shpërthimesh dhe vënien e asaj treve nën kontroll të rreptë nga “regjimi policor i kohës”. Vetë fakti që, për shkak të kësaj lëvizjeje antizogiste, u përndoqën qindra intelektualë e punonjës të administratës lokale në Përmet, të quajtur “fanolistë”, disa prej të cilëve u është sekuestruar edhe pasuria, dëshmon për pakënaqësitë e mëdha që mbolli regjimi zogist në atë trevë. Kjo shprehet qartë edhe në mjaft fakte e dokumente që na përcjell autori në pjesëmarrjen e përmetarëve në Lëvizjen antizogiste të Vlorës, si dhe atë të Fierit, të vitit 1935.

Botimi i një studimi të tillë historik është një kontribut i veçantë, jo vetëm për trevën e Përmetit, ku ngjizet mendimi historik e kulturor i studiuesit Nuri Dragoj, por edhe për qytete e treva të tjera të vendit, pasi, siç vihet re, gjerësia dhe thellësia e mendimit historik, analizat dhe sintetizimet e rrjedhave historike, na jepen nën një dritë të re, mbështetur në dokumente autentike, që shprehin punën pasionante e këmbëngulëse të autorit në studimet tona historike bashkëkohore.

SHKARKO APP