Një libër për “Epopenë e Vlorës”

 

Nga Agim Jazaj

Autori i njohur Manxhar Binaj në librin: “Epopeja e Vlorës” u shpalos përpara lexuesit me “trinomin” e tij si: Ish luftëtar i LANÇ, drejtues i lartë i administratës së shtetit, por dhe si autor. Pra, si: i Pushkës, i Mendjes dhe i Pendës. Në këtë vepër ka shënuar, skalitur dhe arkivuar edhe dy të parat: pushkën dhe mendjen! Të drejtën e pendës autori, si shumica e kësaj sëre, e ka fituar shumë më herët me “konkursin”, përballë kërkesave të rrepta e strike të kohës. Atëherë kur duhet të kishte dhe të shpalosje Mend dhe Mund, ndryshe nga sot më thoth një lexuesi im i hershëm: “Tashmë mund të lidhësh edhe libra, pa mend e pa mund. Vetëm po të kesh para, “bëhesh autor”, pa të parë ndonjëherë emrin lexuesi në faqet e shtypit!… Autori, ka mbajtur fortë shënim, qysh nga vegjëlia në kujtesë dhe në letër, përmbi 60 vjet ngjarje, data, heroizma dhe heronj, duke i dhënë si një buqetë për lexuesit e sotëm, ku jo pak gjejnë veten dhe të vetët në faqet e librit, duke i përcjellë dhe për pasardhësit; modelin e memorjes kombëtare. Kujtimet e hedhura në shënimet e tij, nuk janë thjeshtë nga jeta personale, duke ecur nëpër kohë, ku ka qenë dëshmitar, apo i ka përjetuar e lexuar, nga është frymëzuar dhe i ka qëndisur në librin e tij të serisë, të cilat të japin ndjesinë e veçantë, nëpër faqet e kohës së largët, të sjellë të afërta që, nga: Sevasteri, Vlora, Mesapliku, në gjithë trevën e Labërisë, Përmeti, Shkodra, ngjarje, data, heronjtë dhe heroizmat e partizanëve gjatë Luftës Nacional Çlirimtare.

Nga maja e këtyre viteve, për mbi 60 vjet, sjell në këtë vepër, të para në sfond nga: ”vend vrojtimi” dhe “fushë luftimi”, po thuajse gjithë “Epopenë e Vlorës”, përgjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, ku ka mundur të qëmtojë dhe t’i skicojë me mjeshtëri, dhe saktësi ngjarjet, evenimentet, aksionet e ndërrmara, organizimet, themelimet dhe themeluesit, gjithë drejtuesit e formacioneve, të zgjedhur dhe hedhur çdo emër për t’i bërë edhe protagonist, në faqet e këtij libëri, duke gdhënduar gjithë aksionet luftarake nga më thjeshtat; grupimet, çetat, batalionet, brigadat e rëndësishme partizane, Divizonet e deri tek Korpramatat, si formacione më të mëdha dhe të organizuara. Autori duke qënë shpesh dëshmitar i ngjarjeve, i përcjell thjeshtë dhe me vërtetësi, thua të pa kontestueshme, ngjarjet e luftës me numër e datë që shoqërojnë lexuesin me emocion e përjetime të veçanta, duke zbuluar nga faqja në faqe, pjesë të historisë së Luftës Nac. Çl, nga: Mesapliku, Gumenica, krijimi i brigadës së Pestë-të, Çeta “Plakë” lufta e Drashovicës, “Epopeja e Vlorës”, në gjithë gjeografinë e saj, duke dalë edhe jashtë sinoreve në, Përmet, me Kongresin e Përmetit, në Pezë, me Konferencën e Pezës, në Shkodër me epopenë e Perlat Rexhepit, Jordan Misjes, Branko Kadia etje, ngjarje të skicuara me “daltë” nëpër rreshtat e librit, ruajnë të freskëta faktet, shpesh të pa njohura, po aq dhe bindëse për lexuesin. Një ndër detajet, ndoshta që tërheq vëmendjen, është rreptësia e pozuar prej autorit, i cili flet edhe me gjuhën e statistikës, duke evidencuar data, pozicione dhe formacione, numrin e të rënëve në luftë nga radhët e partizanëve, po dhe me saktësi, i të rënëve nga pushtuesit, shumë më i madh, mjetet e blinduara, të zënët robër, etj. Kujtimet janë të veçanta dhe përbejnë një risi që i shtohet, po dhe pasuron thesarin e Historisë, me data numra të luftëtarëve, humbjet në njerëz dhe dëmtime të tjera, deri dhe në kafshë, e teknik të forcave pushtuese, me data, pozicione dhe formacione të sakta, të cilat “okulari” i autorit i ka fiksuar fortë dhe i ka ruajtur përjetësisht, duke i hedhur në këtë libër.

Librin e serisë: “Epopeja e Vlorës”, mund të klasifikojmë dhe si një “epope personale”, në planin testamental, ku njeriu në jetë lë gjurmët përjetë, në shumplanshëmrinë e vet, kudo ka punuar, ka shënuar dhe transmetuar gjurmët e jetës, me vështrimin nga e shkuara, duke mos e harruar dhe projektuar të ardhmen. Ky libër monografik, dhe historik, do të vendoset, shfletohet dhe ruhet si një thesar nga pasardhësit, me krenarinë e përligjur, por edhe prej atyre personazheve dhe pasardhësve të tyre që zënë vendin e merituar, të vlerësuar nga autori, si një shërbim që ata i kanë bërë vendit, dhe ne duhet të bëjmë ndaj atyre dhe ndaj vendit, pse jo dhe si pasurim për historinë! Nëpër faqet e librit do të gjejnë “lëndë të parë” edhe historianët, duke zbuluar pjesë të pa zbuluara të historisë, brenda kësaj harte, nga “Epopeja e Vlorës” dhe jashtë sajë! Autori është tepër i kujdesshëm, të mos harrojë asnjë emër, për ta cituar nëpër rreshta, për të bërë secilin-dikushin, me përmasat e vlerësuara sipas këndvështrimit nga autorit, lexuesi dhe koha! Koha do të rrjedh në shtratin e vet të pa shtershëm, dhe pa mëdyshje bibloteka, do të vendos dhe ruaj në raftet e veta edhe këtë libër të autorit vlonjat, Manxhar Binaj. Autori vendos “tullën” e radhës, duke lartësuar e fortësuar murin e misionit të tij fisnik dhe atdhetar! E shkuara mbetet nga e shënuara!                

SHKARKO APP