Një libër për Labërinë dhe Vlorën

Botohet libri “Dushkaraku ynë” i autorit, Agim Jazaj

Nga Ahmet DEMAJ  

Një libër monografik, historik, publicistik dhe poetik, në faqet e të cilit janë hedhur: Prejardhja e këtij fshati, historia përgjatë shekujve, transformimet, fiset, njerëzit e  shquar, kush e kanë drejtuar, organizuar e përfaqësuar Dushkarakun,  përpjekjet në gjithë evenimentet historike të vendit, ku ka qenë edhe prania e tyre, e përfaqësuar në vendim- marrjet e kohës, në gjithë ekzistencën e tij, por edhe poezi, postulate me muzë nga vendlindja janë në faqet e këtij libri…

“Dushkaraku Ynë”- i të gjithë dushkarakasve, por dhe i nipërve e mbesave, etj, ka pjesën e vet të historisë, në faqet e historisë së vendit, të ruajtur në breza dhe të pasuruar nga brezat. Autori i njohur për lexuesit përmbi 4 dekada në publikim, komunikim me lexuesit brenda e jashtë vendit, me këtë vepër të radhës ka synuar që gjithsecili mund të gjejë vet-veten, të vetët, të ndihet dikush dhe mund të rrëmbushet me përmallim për origjinën, paraardhësit, për të bërë diçka më shumë për vendorigjinën e tyre nga pasardhësit, për t‘i pasqyruar ato në vazhdën e historisë të një populli që di dhe do, bën dhe lë histori.

E shkuara mund të vritet, po kurrë nuk vdes.

Bijtë e bijat e Dushkarakut, kudo ndodhen, brenda e jashtë vendit, mbajnë në shpirtin e tyre edhe vendlindjen, vendorigjinën e të parëve. Nipërit dhe mbesat, u çojnë në arkivol një grusht baltë, apo hi nga i vatrës së shtëpisë, gjyshërve, si amanetin e fundit! Lexuesi do të gjejë edhe lëndë tjetër të ditës, si një pasuri, madje e pasuruar, pse jo e historiografisë së Dushkarakut dhe më gjerë“-shënon autori në fjalën hyrëse të këtij libri!… Autor publik të veçuar dhe të çmuar, kalorës të mediatikës dhe publicistikës dhe jo vetëm si: Kristo Mërtiri, Avdulla Kënaçi, Thimi Nika, por dhe Flamur Haxhiraj, Roland Xhelilaj etj, kanë thënë fjalën e tyre në këtë libër dhe për autorin e tij! “Agim Jazaj është nga ata njerëz të thjeshtë, këmbëngulës dhe opozitar i përjetshëm, i të gjitha kohërave dhe regjimeve. I pajisur me gjithë virtytet më të mira të Labërisë, ai kurrë nuk e ka pranuar nënshtrimin dhe servilizmin, por gjithnjë ka qenë në krahun e së drejtës, pavarësisht se kjo lloj drejtësie bio mund të bëhet edhe në kurriz të interesave të tij materiale, privilegjeve dhe përfitimeve të përditshme.

Agimi është tipik gazetar i dalë nga mesi i popullit të thjeshtë e të shumëvuajtur”.  “Herë pas here kam kujtuar e kujtoj dhjetëra vargjet e një kënge të moçme e të rrallë për ardhjen e Skënderbeut në Vlorë:

“Trimat e Krujës po vinë,/Zgjedhur trimat më të mirë,/Pesë mijë e ca kalorës,/Dushkarak, Vjosën e hodhën,/Erdhën të Rrapi Penkovë!…”

Këtë hyrje të thjeshtë e këtë hap të parë publicistik (në vend të një reçence akademike), e hodha pa droje në letër vetëm pasi hyra pa trokitur në portën, avllinë, dyert, minderet, sepetet dhe rreth oxhakut prushndezur të librit:  “Dushkaraku Ynë”.  Por sinqerisht, ky libër sikur më pasuroi më tepër e më hapi dritare të reja në këtë kohë të përmbytur nga politika pa moral, politikë që i kanë zënë sytë perde dhe shpesh kalon në verbim e tërbim përballë njerëzve të thjeshtë e hallexhinj.

Nuk ishte aspak rastësi e rëndomtë bujtja e Enver Hoxhës në Dushkarak, këmbëkryq, pranë oxhakut të Murat Xhelilaj, aty ku kuvendoi, bashkëpunoi dhe drejtoi…. Nuk ishte rastësi krijimi i Këshillit Nacionalçlirimtar të gjithë qarkut të Vlorës në këta sokakë e sofatë, në këto vatra me prush të pashuar lirie e atdhedashurie. Te ky Dushkarak i “lidhur si fishekë gjerdani” me Sevasterin, Golimbasin, Mazharin, Shkozën dhe tërë Labërinë e larë në flori patriotizmi e shqiptarie të vërtetë. Ndërsa Agimi, ata 5 fshatra i quan me të drejtë “ si 5 gishtat e dorës”! Kështu në luftëra e në paqe, kështu në monizëm e në pluralizëm. Sepse dushkarakasi është lis me shumë degë. Lisa gjaku dhe lisa të gjinisë”.

Libri të mëson se në luftë dhe në paqe, në kohë të mira dhe të këqija, dushkarakasit janë orientuar për të nxjerr në krye djemtë e tij që i bëjnë nder Dushkarakut dhe krahinës! Dhe ky tregues nuk flet pak. Edhe kur ishim të varfër dhe kur jemi të pasur, dushkarakasit nuk harrojnë për të qënë bashkë. Të shprehura dhe në katër vargjet:

“I pat nga shënjestra,/Vitet që po vinin,/Me një gjysmë ftua,/Net të tëra gdhinin!…”

Për 6 legjislatura rresht, vota popullore e kësaj treve buzë Vjosës e malit të Tartarit, ka çuar në krye të pushtetit lokal djem levendë nga Dushkaraku. Dhe ky vlerësim nuk flet pak. Prandaj e mbajnë në majë të gjuhës atë aforizmën agolliane:  Lundro me kapedanin, udhëto me udhërrëfyesin e ndershëm, kuvendo me të diturin!

Edhe bijtë e bijat e Dushkarakut, ku nuk kanë shkuar! Nëpër Ballkan, Europë e Perëndim, por kurrë nuk i’u nënshtruan të ligës, përbaltjes donkishoteske të historisë që drithëroi edhe eshtrat e Dëshmorëve të Lirisë e Demokracisë së vërtetë. Sepse në fund të fundit, prejardhjen tënde as e blen dhe as e shet dot! Të mençurit shikojnë më thellë e më larg, përtej Vjosës, Vlorës e Labërisë. Pasi ke kuvenduar gjatë me këta njerëz, i vënë kapak muhabetit: -“Ne nuk jemi nga ai s’ua që mendon se, gjithë bota përbëhet nga fshati i tij”…Dhe si për t’i vënë kapak dhe duke e lënë kapak- hapur, autori në vend të përmbylljes shënon: “Sigurisht kemi thënë diçka, por pa thënë gjithçka. Kemi lënë shumë për të thënë, pse jo në pamundësimin tonë, për t’i plotësuar e pasuruar të tjerët, ato që nuk kemi mundur t’i rrokim ne, nuk i kemi ditur, apo na kanë shpëtuar…

Sepse: jo vetëm mundësia ka qenë e kufizuar, por detyrimi, borxhi ndaj vendlindjes, mbetet i madh dhe asnjëherë nuk mund të shlyhet…

Nëpër faqet e librit, gjithsecili do mund të gjejë veten, të vetët, të gjejë dhe të ketë marrë me vete një grusht dhe nga avllia, një gotë uji nga burimi, çezma a pusi, një copë bukë saçi nga ara e vendlindjes, një kokërr shege nga bahçet e lagjeve, një grusht dhimbsuri nga vendorigjina e tij, një pulqer sheqer në pëllëmbë të dorës nga hallat dhe xhixhit e moçme…

“Ku lindën të parët tanë,/ Fillon atdheu për ne./ Nëpër botë ata ku janë,/ Po shpirtin e kanë atje!…”

 “Falënderoj gjithë ata që m’u bënë krah dhe ju bënë krah vendlindjes së tyre, si bij të Dushkarakut në realizimin e kësaj vepre:  Sponsorët e botimit të librit, bijë të Dushkarakut: Përparim Shametaj dhe Lulo Haxhaj, si dhe ata që ndihmuan e bashkëpunuan për botimin e tij: Ruzhdi Koçiaj, Hyqmet Haxhaj, si dhe Mihal Nazaj, Erald Asllani, Dorjan Veraj etj, për sigurimin e disa prej fotografive të shtëpive të Dushkarakasve”,- përmbyll autori- librin e tij të radhës, dhe të jashtë radhës: “DUSHKARAKU YNË”…

SHKARKO APP