Një mesazh shprese e uniteti/ Kreu i Shoqatës “Vatra” uron shqiptarët: Të kemi sa më shumë forcë e kurajë për të vazhduar përpara

Kreu i Shoqatës “Vatra” Elmi Berisha ka uruar shqiptarët kudo që janë me një mesazh për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2021. Një urim ndryshe në kohë pandemie, një thirrje e fortë për bashkim, solidaritet, shpresë e forcë së bashku është urimi i zotit Berisha.

Ai thotë se duke qenë të bashkuar mund të kalojmë çdo vështirësi e sfidë teksa uron të kemi më shumë shpresë për ditë më të lumtura, më të bukura e më të begata për shqiptarët në çdo cep të globit.

MESAZHI I PLOTË
Të nderuar bashkëkombas, të dashur vëllezër dhe motra vatranë! Më lejoni që në emrin tim personal, të familjes dhe të Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës Vatra t’ju uroj Gëzuar për shumë vjet Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2021! Me besimin e fortë tek i madhi Zot dhe me shpresën e fuqishme në çdo zemër tuajën, përcjell për ju çdo bekim, paqe e mirësi! Lindja e Krishtit është një festë e madhe e cila na kujton të jemi më solidarë, më të bashkuar dhe më të dashur me njeri-tjetrin.

Kemi kaluar një vit shumë të vështirë. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për Zotin, shpresën që nuk zhgënjen kurrë. Duke qenë të bashkuar mund të kalojmë çdo vështirësi dhe sfidë që na vjen. Ne lutemi dhe do të punojmë për mirëqenien e çdo shqiptari, kudo ku vepron, jeton e punon. Në këtë vit të ri uroj të kemi më shumë gëzime për të harruar trishtimet e vitit që po lëmë pas. Uroj që të kemi më shumë shpresë për mirëqenie e zhvillim në Shqipëri, Kosovë e kudo ku gjenden shqiptarët. Uroj të kemi më shumë shpresë për ditë më të lumtura, më të bukura e më të begata për shqiptarët në çdo cep të globit.

Uroj për çdo shqiptar që të kemi sa më shumë forcë e kurajë për të vazhduar përpara me sfidat që kemi, si qytetarë dhe shtete kombëtare. Lutem dhe shpresoj për unitet mes shqiptarëve, forcave politike në Kosovë e Shqipërisë, sigurisht institucionet që punojnë me devocion për qytetarët. Uroj që të kemi marrëdhënie më të mira e të shëndosha dhe të jemi më solidarë dhe të tregojmë më tepër dashuri për paqe dhe besim e lumturi në familjet e çdo shqiptari. Begatia, gëzimi, lumturia, mbretëroftë në çdo vatër të familjeve shqiptare. Gëzuar! Zoti bekoftë shqiptarët kudo ku janë. Zoti bekoftë Shqipërinë dhe Kosovën. Zoti bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

SHKARKO APP