Një mësuese model

 Nga Fran Gjoka

Kanë kaluar disa vite kur mësuesja e talentuar e klasave të para dhe të katërta  Ana Ndocaj ka dale në pension. Kontributi i saj i paçmuar në fushën e mësimdhënies, ka lënë gjurmë të pashlyera tek miqtë, kolegët dhe nxënësit. Një mësuese dhe metodiste e rrallë, sidomos për arsimin fillor, por edhe  njeri me vlera shoqërore dhe nënë e përkushtuar. E kam njohur Anën si mësuese të pasionuar në mësimdhënie, si edukatore, si familjare, si grua me vlera të padiskutueshme intelektuale, si njeri, vite të shkuara, prandaj edhe sot pas kaq vitesh e kujtoj me respekt punën dhe aktivitetin e saj. E rritur në një ambient intelektual,edukuar në një familje me tradita atdhetare nga qyteti i bukur dhe plot tradita arsimore i Përmetit, Ana u formua si, mësuese e ardhshme për të rritur dhe edukuar breza. Dhe e kreu me sukses këtë mision sepse sot e kujtojnë të gjithë, ish kolegët, ish nxënësit, njerëzit e dashur të familjes, unë, ish kolegu i saj i dikurshëm, që po shkruaj këto radhë.

     Në fakt, ishte kënaqësi dhe privilegj jo vetëm, të ndiqje, të punoje, por edhe thjesht të bisedoje me mësuese Anën për problemet e arsimit dhe dijes, sepse çdo fjalë e saja të bindte, çdo mendim i saj kishte peshë, të impononte respekt dhe vlera njerëzore sidomos kur fliste me pasion dhe dëshirë për profesionin e nderuar të mësuesit, për vështirësitë e punës me nxënësit e klasave të para, sfidat qe e prisnin për të ardhmen, përpjekjet e mundimshme për të edukuar tek ata dashurinë për shkollën. Shpjegonte me pasion, me dëshirë, me atë zërin e saj të ëmbël me përgjërimin engjëllor për t’i shërbyer përgatitjes së brezave, edukimit dhe vlerave njerëzore. Për hir të së vërtetës duhet të theksojmë se njerëz të tillë që shkrijnë jetën e tyre për të përhapur dritën e diturisë, për hir të mësimit dhe edukimit, janë sot më pak në   numër në shkollat tona, por mësuese Ana me punën e saj plot pasion, me rezultatet e arritura në procesin mësimor u bë ndër vite, shembull pozitiv në këtë fushë.

     Pasi përfundoi studimet në Shkollën e Mesme Pedagogjike,u emërua në fillim mësuese në shkollën e fshatit Kosinë të Përmetit, duke bërë emër të mirë që në ditët e para të punës së saj. Krijoj një personalitet të arsimit dhe edukimit për t`u pasur zili, pasi mësuese Anën e donin, jo vetëm nxënësit e saj të vegjël, por kishin respekt edhe prindërit dhe kolegët. Këtu punoi vetëm tre vjet, pasi njihet me të riun  lezhjanë Zef Ndocaj dhe vendosin të krijojnë familje, prandaj transferohet në rrethin e Lezhës, ku punon për 3- vite në fshatrat Manati dhe Tresh. Siguria në konceptet shkencore, përdorimi i metodave bashkëkohore të mësimdhënies, komunikimi i ngrohtë me nxënësit dhe kolegët, puna e diferencuar me nxënësit e bënë shumë shpejt të njohur mësuese Anën në sferën e arsimit jo vetëm në Lezhë, por edhe më gjerë. Ishin të shumta idetë dhe mendimet, projektet dhe propozimet e saj për përmirësimin e punës mësimore-edukative, sidomos në klasat e ciklit të ulët, për arritjen e rezultateve të larta në mësimdhënie. E qartë në mendime, e thjeshtë në komunikim, e drejtë në vlerësim, mësuese Ana kurdoherë linte gjurmë të pashlyera në kujtesën dhe ndërgjegjen e nxënësve, prindërve dhe kolegëve të saj. Veç ta dëgjoje kur i kujtonte me radhë emrat e nxënësve, që kishin përfunduar shkollën. Shumë prej tyre sot janë prindër, familjarë, në moshë madhore, krenarë se kishin qenë nxënës të saj. Ua dinte gjendjen familjare, ku punonin, madje edhe interesohej për ta, i takon shpesh. Merr prej tyre letra falënderimi dhe kartolina urimi në vigjilje festash. U gëzohet atyre kartolinave si fëmijë, madje shpesh emocionohet deri në përlotje për nderin dhe respektin e tyre, flet për të ta, me entuziazmin e një njeriu për njerëzit e familjes.

     Këtë grua fisnike e takova para pak ditësh në qytetin e Lezhës. U përshëndetëm si miq të vjetër dhe kolegë. Më foli me nostalgji për shkollën, për punën, për nxënësit. E kishte marrë malli të jepte edhe një here mësim, të punonte me nxënësit. Unë e dëgjoja me vëmendje dhe mendoja për mësuese Anën, këtë ikonë të arsimit në rrethin e Lezhës, që mbahet ende e re dhe gjeneron forca dhe aftësi pozitive për punën, për jetën…E njohin të gjithë në Lezhë. Janë qindra mësues që, jo vetëm e njohin, por në punën e tyre, në misionin fisnik të mësuesit, kërkojnë t’i ngjajnë asaj, të punojnë me zell e urtësi, dashuri dhe pasion, ashtu siç ajo i mësoi nxënësit e saj.

Në misionin e saj fisnik, Ana kishte gjithmonë përkrahje dhe mbështetjen e bashkëshortit të saj, i cili përpiqej t’ia lehtësonte sadopak barrën e angazhimit dhe kontributit shoqëror dhe edukativ.

Ecnim nëpër rrugët e qytetit së bashku unë dhe mësuese Ana Ndocaj. Ajo tregonte për jetën e saj, për punën, për vështirësitë dhe unë dëgjoja. Më kujtoheshin fjalët e një nxënësi të saj, tani edhe ai mësues: “Unë zgjodha profesionin e bukur të mësuesit, sepse më frymëzoi shembulli dhe përkushtimi i mësuese Anës…”. Kujtoja morinë e letrave dhe kartolinave qe i ruante me kujdes mësuesja e nderuar, takimet dhe bisedat me prindër e nxënës, imagjinoja sytë e nxënësve të saj, duke e parë mësuesen e tyre me dashuri, respekt dhe krenari dhe mendoja atë çast se edhe mësuese Ana duhet të jetë e lumtur. Unë nuk kisha gabuar. Ajo ishte e lumtur, sepse fundja, ajo e kishte përfunduar me sukses misionin e saj fisnik.

     Por lumturia e mësuese Anës nuk kishte fund. Këtë lumturi ia sillte ngrohtësia familjare, respekti i kolegëve, dashuria e nxënësve disa prej të cilëve i takonte çdo ditë dhe motivimi në punën e përditshme. Këto elementë njerëzorë ia davaritnin disi stresin, ia largonin mërzinë. Megjithatë, edhe tani shqetësohet për shkollën, për punën, për nxënësit, për përparimin dhe sjelljen e tyre…Për afro 40 vjet me radhë punoi me përkushtim në shkollat e qytetit të Lezhës “Gjergj Kastrioti” dhe “Kosova”, ku u specializua si mësuese profesioniste sidomos për klasat e parë dhe të katërt ku punoi shumë dhe në mënyrë krijuese, me shembullin e saj,me krijimtari duke përdorur metodat dhe mjetet e reja mësimore e didaktike, për tua bërë nxënësve të vegjël mësimin sa më të thjeshtë, konkret dhe të kapshëm, një metodë kjo që ka vend edhe sot, për t’u përgjithësuar. Motoja e punës së saj ka qenë e thjeshtë dhe e qartë:Mësuesi është një misionar aktiv i përhapjes së ideve pedagogjike dhe i edukimit të etikës shoqërore në të gjitha nivelet e shkollimit, prandaj është e domosdoshme të jetë gjithnjë në kërkim të rrugëve e mjeteve të reja psiko-pedagogjike dhe metodike sa më të efektshme, që ua bëjnë nxënësve përherë e më të lehtë punën për të përvetësuar e zbatuar këto ide në praktikë në mënyrë krijuese. Për të realizuar këtë kërkesë madhore, ai duhet që të dijë të kombinojë më mjeshtëri vetë kualifikimin me përdorimin e metodave efikase pedagogjike. E për të gjitha këto, mësues Ana qe një shembull i shkëlqyer. Ajo u fali plejadave të tërë  nxënësve të saj pasionin dhe zellin për dijen  dhe kulturën, si edhe përkushtimin e saj jo vetëm si mësuese por dhe si prind shembullor,rriti edukoi dhe shkolloi dy fëmijë të mrekullueshëm  Izabelën dhe Bernardin, ku pas shkollimit të tyre japin sot kontributin modest në shërbim të shoqërisë. Me zell e pasion punoi edhe si drejtoreshë e kopshtit “Besëlidhja” në qytetin e Lezhës. Mësuese Ana sikur kishte lindur për mësuese, për edukatore e brezave ishte gjithnjë pranë nxënësve në vështirësi ekonomike dhe mësimore duke i ndihmuar me dashuri prindërore ata. Prandaj ish nxënësit e saj e kujtojnë me dashuri dhe mall, ajo ka mbetur në kujtesën e tyre si njeriu më i dashur, simbol i një shembulli se si duhet të ecë njeriu në jetë.

Kanë kaluar vite nga dalja e në pension e mësuese Anës, por ajo ka mbetur e gdhendur  në memorien tonë, si shembull i njeriut fisnik, sepse kujtojmë punën, fjalën, aktivitetin, kulturën pedagogjike, sjelljen e saj shembullore. Puna dhe përkushtimi i saj do të kujtohet përherë, sepse rriti dhe edukoi breza…

SHKARKO APP