Një mijë euro në 10 minuta, si përfundon rroga e një muaji në lojërat e fatit

9 minuta dhe 42 sekonda i duhen një operatori të Call Center për të luajtur rrogën e tij në makinat e lojrave të fatit, një mijë euro. Lorenzo i lë të gjitha në një sallë lojrash në Rivoli, jashtë Torinos, një nga sallat më të mëdha të Piemontes, shkruhet në një artikull të gazetës italiane ‘La Stampa’.

Lorenzo është 46 vjeç dhe ka disa biznese por ka humbur shumë gjëra, shtëpinë, makinën, objekte me vlerë. “Ka ditë që luaj edhe 30 mijë euro. Nëse ndaloj është sepse nuk më ka mbetur më asgjë”, thotë Lorenzo.

Një pasdite me të mjafton për të kuptuar se si njerëzit krijojnë varësi ndaj lojrave të fatit.

Makinat e lojrave të fatit të instaluara në lokale dhe dyqanet e cigareve –ato që me ligjet e reja mund të zhduken – pranojnë monedha nga 1 ose 2 euro dhe lejojnë një fitim maksimal prej 100 eurosh në një lojë. Video-lotaritë që shterojnë llogarinë e Lorenzos pranojë kartmonedha deri në 100 euro, por pa limit, dhe lejojnë një fitim maksimal prej 5 mijë eurosh.

“Kazinoja” e Rivolit zë një ndërtesë të vogël: në katin e parë është bingoja dhe një sallë lojrash, një kat më lart makina të tjera të lojrave të fatit. Lojtarët rrinë jo shumë larg njëri tjetrit dhe megjithatë mbretëron një heshtje surreale, gati hipnotizuese. Pasi kanë humbur pothuajse të gjitha paratë, me një gjest të ngadaltë nxjerrin portofolin dhe tërheqin një kartmonedhë tjetër.

Brenda 10 minutash, Lorenzo ka humbur një mijë euro në makinat e lojrave. Afër tij është një çift i moshuar, burri i ulur në një stol, gruaja pranë tij në këmbë. Nuk thonë asnjë fjalë. Asnjë fjalë nëse fitojnë apo humbasin. Brenda këtyre sallave asnjeri nuk flet por të gjithë pinë cigare pa pushim.

Lorenzo ndërkohë vazhdon të luajë dhe të humbasë. Vetëm në një pasdite ka humbur 4 mijë euro.

Megjithëse në Itali tashmë janë të vendosura rreth 400 mijë makina të lojrave të fatit, qeveria do të autorizojë hapjen e 5 mijë sallave të reja për video-lotaritë.

/BW

SHKARKO APP