Një pasdite për gruan
Nga Entela Binjaku
Të premten e datës 3 prill 2015 Fondacioni “Harriet Martineau” zhvilloi aktivitetin me temë: “Një pasdite për gruan”.
I konceptuar si një takim social-kulturor ky aktivitet u zhvillua në mjediset e “Foleja Shqip On” në kryeqytet.
Ftesa për të marrë pjesë ju ishte drejtuar individëve që duket se tregojnë një lloj interesi për aktivizmin civil shqiptar, megjithatë ata që i qëndruan fjalës së dhënë për pjesëmarrje ishin më të paktë sesa ata që ishin shprehur. Dyzimi mes çfarë thonë dhe çfarë bëjnë është kthyer tashmë në normë në shumë prej aspekteve të jetës në vendin tonë.
Aktiviteti u çel me prezantimin e qëllimit të tij për të sjellë gruan në jo vetëm një dimension, gjë e cila ishte menduar të zhvillohej me ndërthurjen e dy linjave: atë të prezantimit të gruas bashkëkohore evropiane dhe me zbulimin e dimensioneve të gruas shqiptare si pjesë dhe produkt i mjedisit ku ajo jeton dhe kontribuon.
Takimi nisi me prezantimin e znj. Lule Nela, një ndër bashkëpunëtoret e Fondacionit. E diplomuar ne gazetari dhe master në kritikë letrare ajo solli për të pranishmit romanin “Merilini me tri kocka’’ me autore Isabelle Wery, i sjellë në shqip nga përkthyesi i botimeve të njohura “MORAVA”, Urim Nerguti.
Romani “Merilini me tri kocka” u botua në Belgjikë në vitin 2013, vit në të cilin u vlerësua si fitues i çmimit europian për letërsinë. Për lexuesin shqiptar ky roman sapo është botuar.
Isabelle Wery është aktore, regjisore teatri dhe autore belge. E lindur në Liezh ajo ka studiuar në Bruksel deri në vitin 1991. Paralelisht me punën si aktore me regjisorë të ndryshëm, ajo shkruan dhe krijon veprat e veta për teatrin. Tri herë nominuar për çmime të rëndësishme në Belgjikë ajo fitoi në 2008 çmimin e kritikës për pjesën e saj origjinale teatrale me titull: “La tranche de Jean-Daniel Magnin”.
Nisur nga profil interesant i Izabelës përkthimi i romanit “Merilini me tri kocka” në gjuhën shqipe, nuk është rastësi, por ashtu siç znj. Nela u shpreh është “një shprehje respekti e përgjegjësie profesionale që botuesit dhe përkthyesit shqipëtarë tregojnë për lexuesin vendas”.
Duke vazhduar më tej ajo u shpreh se “të përkthesh një vepër nga një gjuhë në një tjetër, ka kërkesat e veta, por të përkthesh këtë rrëfenjë kaq komplekse është meritë e paçmueshme e përkthyesit, Urim Nerguti”.
Pasojat logjike që rrjedhin në roman vënë në pikëpyetje informacionin jetësor duke e lejuar në shumë sekuenca që edhe lexuesi i thjeshtë të bëhet pjesë e tij. Izabelë Veri gjen mënyrat e saj me të përshtatshme dhe jep motivet e saj për jetën, që paraqiten sa tokësore aq edhe jashtëtokësore. Ajo bën për vete lexuesin me problemet që shtron, duke u shprehur në mënyrë bindëse se në hapësirën krijuese të shkrimtarëve, cilësia nuk mund të jetë kurrë “një rastësi apo dhuratë”.
Merilini ka shumë pak paragjykime; ajo është në kërkim për jetë kudo, në vende të veçanta të jetës, si në botën e kafshëve, ne boten e njerëzve dhe në botën e bimëve, “Merilini në tri kocka” është një lloj zane nismëtare. Autorja e sjell librin si një himn për dashurinë, për lirine, liria për të zgjedhur identitetin në shekullin e 21-të. Kjo rrëfenjë është një film – rrugë fokusuar në jetën e nje gruaje Marylin Turkit….. Ajo ishte një vajzë e vogël, por ajo është e bindur se dashuria do të jetë një gjë e mrekullueshme.
Jashtë prezantimit nuk mund të mbetej edhe mënyra sesi autorja shprehet për të: çmimi vjen në kohën e duhur… sepse unë kam nje vit që kam vendosur të jem një shkrimtare, duke shprehur më shumë hapësirë për të shkruarit në jetën time profesionale. Ky çmim është një inkurajim… jam shumë e lumtur”.
Më tej “Një pasdite për gruan” vijoi me ciklin e intervistave që Fondacioni “Harriet Martineau” kishte zhvilluar nën siglën “Profil gruaje”.
Këtë cikël intervistash e prezantoi znj. Elona Doda. E diplomuar në fushën e së drejtës si pjesë aktive e shoqërisë civile, ajo solli për të pranishmit elementë që spikasnin te cdo personazh i intervistuar. Në 7 portretet e përzgjedhura nga ky cikël për të pranishmit u sollën virtyte të gruas shqiptare që plotësojnë panoramën e një shoqërie që po përjeton kaos vlerash, edhe për shkak të anashkalimit të atyre potencialeve të mrekullueshme që kanë nevojë të evidentohen.
Në prezantimin e saj znj.Doda theksoi nevojën për të dalë nga stereotipizimi, ku gruaja nga këndvështrimi i gjerë shoqëror shihet në rolin e amvisës dhe shtëpiakes, më tej ajo prezantoi nevojën për të dalë nga stereotipizimi mediatik i gruas shqiptare si heroinë, si viktimë e dhunës apo si objekt i tërheqjes seksuale.
Në ndihmë të kësaj daljeje vjen prezantimi i profileve nga fusha të ndryshme të jetës shqiptare, gjë që i shërben njohjes më të thelluar të gruas shqiptare me gjithë sakrificat, arritjet, dëshirat, pasionet, përkushtimet dhe aspiratat e saj në jetë.
“Profil gruaje” nisi me figurën e një ish- volejbollisteje të ekipit “Minatori” të Rrëshenit një kampione sporti, për të vazhduar më tej me një zonjë vlerësuar edhe nga presidenti i Republikës me titullin “ si një ndër 20 gratë që nderuan Tiranën”; më tej u vazhdua me profilin e gruas në fushën akademike, me sakrificat e saj për të arritur në një nivel të lartë të ekspertes;
Prezantimi shoqërohej edhe me fragmente të shkëputura nga intervistat që evidentonin më mirë personalitetin e tyre.
Profili i bashkëshortes së një kompozitori, me të gjithë ndjeshmërinë e një gruaje që ndau 30 vitet e jetës së saj pranë burrit që deshi, më tej prezantimi i gruas në sipërmarrje, vështirësitë e heqjes dorë nga një profesion dhe nga një jetë e stabilizuar, transferimi në kryeqytet, mbështetja tek bashkëshorti për ndarjen e punëve brenda dhe jashtë familjes sëbashku krijuan një tërësi copëzash jete.
“Profil gruaje” mbylli prezantimin me profilin një gazetareje të re në rrugën e saj, që ka jetuar me aspiratën për këtë profesion që në fëmijëri, tek e cila ndërthurej pasioni për të shkruar dhe endërra për të qenë gazetare.
“Një pasdite për gruan” ju kushtua gruas me qëllimin për njohjen e shumëdimensionalitetit të gruas shqiptare, larg viktimizimit, stereotipizimit, shtirjes apo sipërfaqësores.
Përballja me figurën e “Merilinit” ishte një mënyrë për të treguar se ndërsa kërkojmë të njohim gruan evropiane njëkohësisht me të, kemi po kaq nevojë të njohim edhe gruan shqiptare.
Takimi u mbyll me premtimin se cikli i intervistave “Profil gruaje” do të vazhdojë për të sjellë më pranë shoqërisë figura grash shqiptare që frymëzojnë, që jetojnë pranë nesh e që shpesh i lëmë jashtë vëmendjes. Kështu do të krijohet mundësia për të pasur të tjera “Pasdite” të tilla.