Një portret i aktorit Robert Ndrenika

Përtej viteve që kalojnë, shpirti nuk njeh kohë dhe për publikun shqiptar, Robert Ndrenika është artist i madh, ende sot në 75-vjetorin e tij të lindjes.

Shtatlartë e me tipare të zeza e të bukura (tashme i thinjur), tipike tipare shqiptare e gjithmonë i goditur në frazat dhe interpretimet e tij, Robert Ndrenika është artisti me shpirt të madh.

Ai është ndër të vetmit aktorë që rolin e luan me një sens të spikatur realist. Ndrenika është skicues i karaktereve të goditura. Përjetimi i tij është i thellë dhe tejet organik që shkakton emocion.

Me një portret të dashur dhe zërin që di të futet në lëkurën e çdo personazhi, rolet e shumta të interpretuara prej tij bënë që të pasqyrojnë edhe botën e madhe shpirtërore që e karakterizon.

Një art që nuk blihet dhe nuk mësohet dot as nga praktika e jetës. I lindur për të qënë një yll në kinemanë dhe skenën shqiptare, përmes personazheve, Ndrenika sjell për artëdashësit të gjitha karakteret njerëzore.

Aktori tejet i dashur për të gjithë brezat, sjell gjithnjë mesazhe me peshë dhe aktuale me rolet e tij. Të gjithë e duan dhe e admirojnë thjeshtësinë e tij.

Të gjithë e duan mënyrën, sjelljen dhe zërin e tij, e mbi të gjitha, mirësinë që transmeton përmes imazhit.

Disa njerëz lindin për të jetuar përgjithmonë në memorien e kujtdo. Ndaj, të gjithë e duan Ndrenikën, qeshin dhe qajnë bashkë me të nëpër role.

Një marrëveshje e heshtur dhe shumë e ndjerë ka ardhur ndër vite nga skena, përmes Ndrenikës, ndaj tërë publikut.  Ndrenika nuk ka ndarë asnjëherë teatrin nga kinematografia, duke mos i vënë në peshore por ai është ndjerë mirë sepse për të, të dyja kanë veçantinë e saj.

Ai e quan të veçantë çdo gjë që bën nëse e bën me dashuri. Nuk ka shënuar kurrfarë ndarje mes këtyre gjinive të artit  (është shprehur në një intervistë në 23 qershor 2013).

Gjithmonë modest por edhe gjigant, jo vetëm si aktor por edhe në jetën përditshme, Ndrenika adhurohet për  thjeshtësinë dhe origjinalitetin e  tij unik në role.

Aktori i shquar i kinemasë dhe teatrit shqiptar, ka një veçori në interpretimet e tij, shumica e roleve të tij ishin personazhe që në atë kohë (para viteve 90), cilësoheshin negative.

Por mjeshtëria e jashtëzakonshme në interpretimin e këtyre personazheve nga Robert Ndrenika, i gdhendi ata në mendjen e shikuesve aq fort sa vetë Roberti shpesh thirret edhe me emrat e personazheve.

Robert Ndrenika lindi në Tiranë, në 1942. Talenti i tij spikati që në vitet e para të jetës, kur ai kultivonte pasionin e tij për teatrin në Shtëpinë e Pionerit në Tiranë. Pas përfundimit të gjimnazit “Qemal Stafa”, në vitet ai 1960-1964 nis studimet për aktor në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu”.

Nga ky vit, deri më 1970, punon si aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punon si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension.

Për shumë vite punoi si aktor i lirë (pas pensionit). Midis të tjerash, ka interpretuar: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës, “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” të Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj.

Në vitin 1979,  Ndrenikës iu akordua titulli “Artist i Merituar” dhe në vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”.

Është nderuar me Kupën për Aktorin më të Mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, te De Filipos dhe në Festivalin e Filmit te vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”.

Për disa vite, punoi si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit, në Institutin e Lartë te Arteve.

Robert Ndrenika ka dy vajza. Ai kishte një histori mjaft të bukur dashurie me gruan e tij, Polikseni. Ai e adhuronte bashkëshorten e tij. Por edhe ajo e adhuronte të shoqin, dhe e shoqëronte gjithmonë në prova. Por pasi Polikseni u sëmur dhe vdiq, Robert Ndrenika e vuajti shumë largimin nga jeta të bashkëshortes së tij. Aq sa për katër vite nuk shkeli më në teatër.

Por në prill të vitit 2012 ai fitoi mbi vuajtjen dhe iu rikthye fuqishëm teatrit me rolin e doktor Shuster.

Ai nderohet nga presidenti i asaj kohe, Bamir Topi me titullin “Nder i Kombit” ( ne 2012).

Ne 2014 ai futet në botën e një personazhi kapriçoz përmes premieres “Djemtë gazmore”, pjesë e shkruar nga shkrimtari amerikan Neil Simon.

Në 2015, u shpall Aktori i Vitit dhe gjatë marrjes së çmimit, publiku u ngrit në këmbë dhe duartrokiti gjatë në nder dhe respekt të tij.

Robert Ndrenika, “Artist i Popullit” meritoi çmimin vjetor nga Akademia e Artit dhe Kulturës “Kult”.

Robert Ndrenika përfaqëson jo vetëm nderin e dhe krenarinë e kombit por historinë e jashtëzakonshme të një njeriu të madh, që ka bërë histori përmes thjeshtësisë së madhështisë së tij. /A.G. ATSH/

SHKARKO APP