Një portret i paautorizuar për muzikantin Lefter Nurka

Lefter Nurka është vëllai i usta Laverit. Kanë dalë nga një bark, e janë rritur me thërrime aty në lagjen më të varfër të Përmetit por kur lufta mbaroi, ai edhe pse më i vogël se Usta Laveri, u bë një ndër organizatorët e veprimtarive të para të aktiviteteve kulturore të qytetit.

Nga Niko Mihali*

Lefter Nurka ka qenë muzikant shembullor. Ka lindur është rritur e ka punuar dhe vijon të jetojë në Përmet. Ajo çka më shtyu të hedh në letër këtë portret të paautorizuar të këtij muzikanti shumë punëtor, të këtij njeriu të pafjalë por shumë të talentuar, u bënë ditët e Festivalit Përmeti Multikulturor 2016. Gati dy javë para festivalit, teksa bisedonim me Vason dhe Qakon  për përgatitjet e festivalit, menduam se ishte mirë që të bënim diçka edhe për Leton, Lefter Nurken, i cili një jetë të tërë e kaloi pranë Shtëpisë së Kulturës,“Naim Frashëri Përmet”, duke qenë pjesë e dhjetëra e qindra aktiviteteve lokale e kombëtare. I propozuam Ministres së Kulturës, znj.Kumbaro që në kuadër të Festivalit t’i akordonte Lefterit, një stimul moral, një Falënderim e Vlerësim në emër të Ministrisë së Kulturës për punën dhe kontributin e dhënë në gjallërimin e jetës kulturore të qytetit Përmet, për mëse gjysmë shekulli dhe në veçanti për muzikën me saze. Dhe ajo nuk mënoi, në njërën nga ato ditë të Festivalit, zv/ministri Zef Çuni erdhi ta takonte, ta falënderonte e t’i dorëzonte këtë Vlerësim e Falënderim, por ai nuk mundi të vinte dot, andaj nipi i tij Aureli, kur e mori këtë vlerësim për gjyshin e tij, tha se do ia dorëzoj me shumë gëzim dhe premtoi se do ndiqte shembullin e tij.

Nuk besoj se ka njeri në këtë qytet, që të mos e njohë Lefter Nurken. Ai sot sigurisht është tërhequr nga jeta kulturore dhe artistike, se mosha bën të veten por ai me zemër e më vesh, është tek tingujt e Sazeve të Përmetit. Në shtëpinë e tij ka me qindra dosje e tituj këngësh të hedhura nëpër disqe e kaseta, apo nëpër letra të zverdhura nga koha, me të cilat kur gjen kohe i shikon dhe i përkëdhel, se janë si fëmijët e tij. Çdo herë që dikush në sheshin e qytetit organizon ndonjë koncert, ai del në ballkon, mban vesh e mundohet të njohë zërat e këngëtarëve apo tingujt e klarinetave. Kush të jetë ky?- thotë me vete. Mbase Josifi, Gëzimi, Dumua, Sadiku, Iliri dhe ashtu qëndron në heshtje, pastaj tret sytë në dallgët e Vjosës që kalon poshtë pallatit të tij dhe shkon në kujtime. Kujton ato dhjetëra koncerte, festivale, regjistrime në RTV, përgatitjet për Festivalin e Gjirokastrës, për festën e 24 Majit, premiera festivalesh etj.

Lefter Nurka është vëllai i usta Laverit. Kanë dalë nga një bark, e janë rritur me thërrime aty në lagjen më të varfër të Përmetit por kur lufta mbaroi, ai edhe pse më i vogël se Usta Laveri, u bë një ndër organizatorët e veprimtarive të para të aktiviteteve kulturore të qytetit. Kur qyteti ende nxirrte tym nga gërmadhat e djegura nga lufta, ai në një barakë të vogël prej druri, që i vunë emrin “Shtëpia e Kulturës Përmet”, u mblodh me shokët e fëmijërisë e të lagjeve të qytetit dhe filluan të bënin muzikë. Hodhi fizarmonikën në krah e bashkë me Laverin, Sulon, Xhelalin, Llazon, Krenarin e të tjerë ngritën orkestrën e parë të muzikës popullore, atë orkestër që hyri dhe mbeti në histori me emrin Sazet e Përmetit. Orkestër që pas gjysmë shekulli jete, e mbylli aktivitetin e saj në ditët e para të këtij shekulli.

Ata u larguan nga kjo jetë njëri pas tjetrit, në fillim Asllani, pastaj Krenari, Sulejmani, Llazua, ustai i tyre Laveri, Xhelali dhe ka mbetur ende ai, Lefteri, tamam si i fundmi i Mohikanëve. Duke qenë vëllai i usta Laverit dhe duke parë famën që mori ai në vite e dekada, u duk se ai, vëllai i tij me i vogël por organizatori e drejtuesi i tyre, Lefteri, mbeti disi në hije. Por ai nuk u ligështua, ai nuk u prek, nuk u bë xheloz se e dinte se ai grup muzikantësh që vinte nga jetë të ndryshme, kishte nevojë për atë dhe gjenerali i tyre ishte ustai, vëllai i tij. Ishte pikërisht ai, Lefteri që u bë organizatori e drejtuesi i tyre. Usta Laveri ishte i sigurt në skenë e kudo, kur shikonte se kishte pranë atë, vëllain e tij, Lefterin. Dhe kur kishte atë, gërneta e tij bëhej si grykë topi. Ishte pikërisht Lefteri që i qëndronte gjithmonë në krah të tij, ai i jepte intonacionet, i kujtonte meloditë, ai i jepte regjistrin e këngës dhe pastaj dinte ai, ustai i madh që e bënte gërnetën flutur. Të gjithë ata mjeshtra, sa ishin të mirë, kishin edhe huqe, kishin shumë teka, ndodhte që edhe grindeshin apo hidhnin ndonjë gotë me shumë para koncerteve e provave, vetëm ai, Lefteri kurrë sikur ndjente përgjegjësi për gjithë atë grup të mrekullueshëm e të talentuar, nga i cili kanë mbetur ato kaba të mrekullueshme, ato këngë tërë jetë si; “Trëndafili fletë –fletë”, “o borzilok, në mes të Përmetit”, “Tanë moj Tanë”, Kongresi i Përmetit”, “Moj kunadheja leshverdhë-leshverdho”, këngët e dasmës etj., etj..

Në vitet e para të pasluftës ai do të ishte ndër drejtorët e parë të Kulturës, do ishte ai që do ngrinte me dhjetëra grupe amatore në ndërmarrjet e shkollat e qytetit, do shkruante këngë, bënte orkestracionet për këto grupe, përgatiste partiturat, do punonte me zërat, do gjente elementë të rinj që t’i ngjiste në skenë. Gjithmonë i papërtuar e i pagojë. Mësoi notat e muzikës, shkruante muzikë, orkestronte, seleksiononte, punonte me këngëtaret, zgjidhte repertorin e sazeve, e ku nuk gjendej dora e tij!.

Në fund të viteve ‘60 pranë Shtëpisë së Kulturës, u ngrit banda e qytetit me plot 28 orkestrantë. Erdhën instrumentet e duhur, me klarineta, trompa e trombone, korno,base, daulle etj., etj.. Në krye Lefteri përsëri, dirigjenti i parë i bandës mundi të sigurojë e gjejë nga amatorët e kulturës plot 28 djem e burra dhe u ndau nga një instrument që ai mendonte se do e mësonte. Punoi me ta si askush, dhe këta njerëz që nuk kishin haber fare nga instrumentet muzikore, mësuan trompa e trombone, korno e klarineta, daulle e të tjera dhe krijo një nga fanfarat më të mira në shkallë kombëtare, më shumë çmime në takimet kombëtare. Tre ditë në javë e bënte prova me ta, mbaronin bandën dhe pastaj fillonin provat e kompleksit, një kompleks burrash unikal, shumë profesional dhe shumë i dalluar në ato vite në shkallë kombëtare. Edhe sot më kujtohen e më vijnë në vesh tingujt e atyre këngëve burrërore e lirike, të atij grupi që ka histori më vete.

Erdhi një kohë që në drejtimin e muzikës në shtëpinë e kulturës po vinin djem të rinj e të talentuar Aleksandër Peçi, Refan Panoci, Thoma Simaku, Vaso Tole. Mbaronte punën në magazinën e sportit apo në sallën e Kulturës të N.Bujqësore dhe mbasdite gjithmonë aty me këta muzikantë, të cilat sa i vlerësonte për përgatitjen e tyre por edhe i respektonte e punonte bashke me ta. Ai, Lefter Nurka ishte dhe mbeti çelësi i shumë vështirësive, i shumë aktiviteteve që organizonte ky institucion në vite. Pastaj shkonte në Shtëpinë e Pionierit, punonte me fëmijët, u mësonte veglat muzikore, u mësonte të këndonin, bënte koncerte me ta në shkolla. Ku e gjente gjithë fuqinë e angazhim ky njeri!? Tek dashuria për muzikën apo t’u jepte bashkëqytetarëve të tij ditë më të bukura e të gëzuara. Çdo të shtunë banda e qytetit, dilte në ballkonin e Kulturës dhe ekzekutonte marsh, këngë patriotike e partizane por jo vetëm kaq. Lefteri u mësoi të ekzekutonin dhe fragmente ariesh nga operat e muzika botërore. Ajo bandë e ato saze, i bënin mbrëmjet e verës më të bukura në atë qytet buzë Vjosës, ndaj vizitorët vinin me kënaqësi dhe mrekulloheshin me ata tinguj, me atë ajër, me ato gatime tradicionale, aroma që zbriste nga kodrat e Bolengës të mbushura me rrush e mollë apo nga fushat buzë Vjosës.

Erdhi një kohë që për vëllain e tij, usta Laverin, u dhanë tituj e shumë vlerësime, dekorata, urdhra e medalje nga më të ndryshmet, udhëheqësit e kohës e kujtonin atë dhe i dërgonin mesazhe, por Lefteri ndihet krenar dhe nuk ligështohej aspak, përkundrazi krenohej. I ngjante të vëllait në fushën e muzikës, por ishin karaktere pak të ndryshme. Lefteri qe i butë, qe komunikues dhe mbetet njeri me norma të larta, i kudondodhur në dasma e gëzime. Bashkë me mua edhe shumë drejtorë të Shtëpisë së Kulturës në vite si: Sofo Tole, Lipe Nano, Janul Mevlani, Dhimitër Kosta, Trifon Dafa e të tjerë, ndjeheshim mirë, madje, shumë mirë që Leton e kishim pranë me fizarmonikën e tij, me përvojën e tij, me seriozitetin e tij.

Koha bën të veten, vitet shkojnë, ne mbajmë kujtimet dhe trishtohemi që ai qytet nuk e ka atë gjallëri, nuk dëgjohen ata tinguj kaq të pëlqyer si dikur dhe atij Lefterit të dashur, i urojmë ditë të mira e shëndet, duke shpresuar se ndryshimi do vijë shpejt dhe ata tinguj do rizgjohen e do na mbushin me optimizëm!

*Ish-drejtor i shtëpisë kulturës “Naim Frashëri”

 

SHKARKO APP