Një raport (i qeverisë) që i duhet dhënë në dorë z. Palmer

Nga Alfred Lela – 

Mathew Palmer, zv/ndihmës Sekretar i Shtetit amerikan, do të vijë të hënën në Tiranë për një tur takimesh me krerët e politikës shqiptare, përkatësisht presidentin, kryeministrin dhe shefin e opozitës.

Emisari amerikan vjen thuajse dy vjet pas paraardhësit të tij, Hoyt Yee, i cili arriti t’i ulë palët në bisedime dhe, me një marrëveshje të parapërgatitur dhe me ‘besim amerikan’ (edhe pse një pjesë të suksesit-por jo ‘kërcënimit’ të saj-, e kishin vënë që më parë në tavolinë gjermanët nëpërmje McCallister.

Palmer duhet të funksionalizojë jo vetëm ‘buldozerin’ amerikan të zgjidhjeve në tavolinë, por edhe kalendarin e vështirë shqiptar të zgjedhjeve, i cili ka një takim rutinë më 30 qershor. Megjithatë, ndoshta është koha që, pikërisht nga kjo datë të fillojë edhe tërheqja e parë e ‘batalionit’ të gjithë atyre, politikanë, analistë apo ndërkombëtarë, që përbetohen, si në Trininë e shenjtë, për konstitucionalizmin, institucionalizmin dhe parlamentarizmin.

Sepse, nëse z. Palmer e gjykon gjendjen në Shqipëri edhe nga fryma e Deklaratës së Pavarësisë, apo kushtetutës amerikane, pra nga eteri që hodhën mbi këto gërma ‘etërit themelues’ të kombit të tij, e kupton se datat, institucionet, mekanizmat që mbajnë në këmbë ngrehinën e çka njihet si ‘sistem i demokracisë liberale’, janë të shenjta pikërisht se lidhen me thelbin e këtij liberalizmi demokratik. Nëse kemi një paradosk, siç duket në këtë rast, mekanizmat dhe demokracia komplotojnë kundër njëra-tjetrës. Çfarë rëndësie kanë zgjedhjet, nëse ato nuk i respektojnë parimet e demokracisë (nuk janë të lira)? Çfarë kuptimi kanë datat, kur ato janë shndërruar në ‘huq’ për t’u hequr qafe dhe jo në përmbushje të virtytit të sistemit liberal-demokrat?

Opozita, sa i takon asaj, e ka koduar këtë që po them më lart nëpërmjet frazës: se votimet nuk janë zgjedhje (votime ka patur edhe në komunizëm).

Refreni i dëgjuar nga amerikanët, dhe sidomos europianët, është legjitimiteti i qeverisë, parlamenti është i vetmi vend i debatit, e me radhë. Dhe janë kaq në të drejtë sa, as Krishti nuk do të merrte një gur ta hidhte kundër tyre si provë të mëkatit! Unë, duke qenë, shpesh, jezuit më shumë se françeskan, kam për ta një ide cinike e cila, besoj se e shpjegon deri diku paradoksin ku kemi rënë të gjithë.

Si amerikanët, ashtu edhe europianët, negociuan, ndikuan dhe trysnuan që, prej kaosit politik të para dy viteve të dilte një ‘qeveri teknike’ gjysmën e së cilës e pat marrë opozita. Kryeministri Rama pranoi si pjesë të paketës edhe ngritjen e një task force (do të drejtohej nga zv. kryeministrja) dhe do të merrej ekskluzivisht me monitorimin e zgjedhjeve. Atë ‘bujari’ që pati në fund të majit, z. Rama e ktheu në cinizëm në fund të shtatorit, kur doli raporti i task forcës. Kryeministri, fitues i thellë i zgjedhjeve, e refuzoi me përbuzje raportin. Për ato qindra faqe të cilat zbulonin, jo gjithçka por diçka nga teatri tragjikomik i zgjedhjeve shqiptare, nuk u fol më.

Ai dokument i duhet dhënë z. Palmer dhe negociatorëve të tjerë amerikanë apo europianë.

Nëse z. Rama refuzon sërish ta njohë atë raport, ai nuk ‘njeh’ gjysmën e qeverisë ‘Rama 2’ dhe, rrjedhimisht, as marrëveshjen e 17 majit të arritur në ‘besë’ amerikane.

Ndoshta z. Palmer duhet të kthehet edhe njëherë në majin e 2017, aty ku e la z. Hoyt Yee. Atëherë, me sa duket, nuk qenka arritur një pakt mes palëve, por vetëm shtruar rruga e më të fortit drejt mjeteve që do të shpërfillnin çdo pakt.

Politiko.al

SHKARKO APP