Një shaka e hidhur e Kolë Jakovës

 

Ngjarje në jetën e personaliteteve të letrave

Nga Duro Mustafai

Shkrimtari, poeti e dramaturgu Kolë Jakova, jo vetëm me veprat e tij, por edhe në biseda, mes shokëve, shquhej për humorin e tij të mençur e të këndshëm. Megjithatë, edhe humori e kishte një kufi, që s’duhej kapërcyer. Të bëje humor me “armiqtë e sistemit”, me fenomene negative që pengonin  zhvillimin socialist, si dhe me njerëz të veçantë, që manifestonin, ato për të cilat thuhej se ishin “shfaqje të dëmshme borgjezo-revizioniste”-ishte një gjë normale. Madje, trajtimi i këtyre temave konsiderohej detyrë, jo vetëm në veprat letrare-artistike, por edhe në qëndrimet e jetës publike”… Por, Kolë Jakova, ishte Kolë Jakova… Ishte  ai, antifashisti i orëve të para, që kish frymëzuar të ngrihej në këmbë rinia kundër armikut, jo vetëm me ato këngët e famshme kushtuar  “Heronjve të Shkodrës” dhe  “Shqiponjave partizane”, e dëshmorëve në jug e në veri të vendit, por edhe pas çlirimit, me ato dhjetëra vepra të tij në prozë, poezi e dramaturgji, kishte dëshmuar, jo vetëm talent në fushën e letrave, por edhe  përkushtim e besnikëri ndaj socializmit. Prandaj, ai e ndjente veten krenar për çka kishte dhënë në dobi të shoqërisë dhe për këtë, askujt nuk i kërkonte shpërblim. Krenaria për të ishte një gurë i çmuar, që e mbante në këmbë… Dhe, kur vërente se, në emër të ndihmës e favoreve, dikush e prekte në dinjitetin dhe personalitetin e tij, Kola, njeriu i humorit, dinte të përdorte armën, që thumbonte, edhe ndaj miqve dhe të tjerëve që qëndronin përtej tyre e mbi ta… Kështu ndodhi dhe atë ditë…

Ishte verë, e në redaksitë tona, ku mungonte kondicioneri, ishim të detyruar të punonim shpesh me dyer të hapura. Zyrën time në gazetën “Drita”,vetëm një korridor i ngushtë prej 3-4 metrash e ndante nga ajo e Foto Stamos (i sapo zgjedhur sekretar i org. Partisë së Lidhjes) dhe e Dritëro Agollit (Kryetar i Lidhjes), që gjendeshin përballë. Befas, dëgjoj një zhurmë të pazakontë dhe fjalët me zë të lartë… “Për këtë të kam thirrur?…  Po ti qenke…”. Ndërkohë, nga zyra e Foto Stamos, kokulur  e me të dy pëllëmbët te goja, për të zbutur sado pak, të qeshurën, pashë të dilte Kolë Jakova… Ai ktheu kokën nga tavolina, ku punoja, por nuk më foli, veç nxitoi hapat korridorit për të zbritur poshtë shkallëve… Sakaq do të dilte nga Zyra edhe sekretari ynë i Partisë, që për hir të së vërtetës linte përshtypjen e një burri të shtruar, të qetë e të matur… Por, ndërsa Kola qeshte, apo bënte sikur qeshte, Fotua nxinte në fytyrë e turfullonte…

-E, po ke parë kështu, ti? E thërrasim burrin e botës për ta ndihmuar dhe ai na ofendon.

-Pse, ç’ka ngjarë, shoku Foto, i them dhe e ftoj të ulej në karrige, që të qetësohej. Po ja, është turp ta tregosh dhe ty, të lutem mos ja trego njeriu, se ai Kola, njihet për humorin e tij, po humor bajat me partinë, kërkon të bëjë? Dhe Fotua, duke përmbajtur veten nga nervozizmi do më tregonte…  “Kisha një porosi nga aparati i KQ të Partisë të thërrisja Kolë Jakovën dhe ta pyesja se ç’nevoja vetjake e familjare kishte, se partia ishte e gatshme ta ndihmonte… (Kuptohet, kjo bëhej për t’i hequr Kolës çdo shqetësim, që mund t’i lindte e për t’i krijuar bindjen, se, ndonëse kishte  2 vëllezër armiq, atë partia e diferenconte). Dhe me një ton të qetë  e miqësor e pyes: -“Jemi të interesuar të dimë se çfarë nevojash kini, që të mund t’u ndihmojmë? Kjo është një kërkesë e partisë”,- i them. Po Kola mu përgjigj shkurt e me indiferentizëm..-“Nuk kam nevojë për asgjë…”. Atëherë detyrohem t’i them:

-Ke nevojë për zgjerim të banesës?

-Jo, nuk kam, më përgjigjet.

-Po fëmijët i ke në punë? Mos ka nevojë ndonjëri? Po çfarë halli ke, se ndonjë hall, do ta kesh, ma thuaj që partia të të ndihmojë. Atëherë Kola, lëshoi batutën që askush nuk e mendon. Më thotë: “Atë hall që kam unë, as partia nuk më ndihmon dot”

“Si, si? Partia zgjidh hallet e një populli të tërë e jo më hallin tënd”,- i them i pakënaqur…  Atëherë Kola gjithë seriozitet, më thotë:- “Mirë, mirë, mbaj shënim”. Nxora bllokun e shënimeve, që të regjistroja çdo kërkesë të tij, kur ai, pa e zgjatur më thotë:- “Shoku Foto, unë dua të ndaj gruan, se më ka vajtur mëndja për një vajzë të re, boll jetova 50 vjet me atë që kam. Ja ky është halli im…”. Më hipi gjaku në tru, i them, s’ke turp?  Po Kola gjakftohtë më përgjigjet: “Po ti,pse nxehesh, unë të thashë që për hallin tim, as partia nuk më ndihmon dot”. Atëherë u nxeha më shumë, i thirra “Më mirë, dil jashtë!”. Ja kështu, një bisedë serioze, ai e katandisi në palaçollëqe… Dhe iku nga zyra ime duke qeshur, kjo s’durohej.

Në këtë gjendje, sa për ta qetësuar, atë, burrin që nuk e kisha parë asnjëherë të nevrikosur, i them: “Po ti e njeh Kolën, ai s’rri dot pa bërë humor dhe ka dashur të bëjë shaka. Të gjithë e dinë marrëdhënien e tij shembullore me gruan, familjen e fëmijët”. –“E di, si nuk e di, që është një shembull i mirë për të gjithë, po me të kundërtën e kësaj kërkon të bëjë humor? Ai, si edhe shkodranë të tjerë, është njeri i humorit dhe askush nuk ja merr për keq ato që thotë…”.Në fakt Kola ndihej përherë krenar për personalitetin e tij dhe askujt nuk i kërkonte lëmoshë, por nuk deshi as që ta mëshironin, se fyesh, e fyerjen nuk e duronte. Megjithatë, Fotos, që nuk e kish të lehtë t’i dilte inati, në fund, edhe duke buzëqeshur më thotë: “Dëgjo këtu ti, se je edhe djalë i ri, të gjithë bëjmë humor, por humor dhe shaka të tilla me Partinë, nuk ka”.  Dhe, duke dalë nga zyra nuk harroi të përsëriste porosinë “Sidoqoftë, për ato që biseduam bashkë, mos i llafos me njeri… Më dëgjove?”. Dhe unë vërtetë e dëgjova sekretarin tim të partisë. Vetëm tani pasi kanë kaluar afro 40 vite, po ua bëj të njohur lexuesve atë ngjarjen interesante, që në ato vite, nuk ishte vetëm për të qeshur…

SHKARKO APP