Një shpresë për ringjalljen e shtypit bujqësor

Kartolinë e vonuar për gazetën “Drini”

Nga Bashkim Koçi

 Kur më ka rënë në dorë numri i parë i gazetës (revistës) periodike “Drini”,  tashmë shumë e familjarizuar me fermerët, specialistët  e bujqësisë dhe  dashamirësit e gazetarisë në mbarë vendin, kam reaguar brenda vetes time paksa i trembur,  besimthyer. Pa dashje “ndolla” dështimin  edhe pse nuk ua dëshiroja  kurrë t’u ndodhte  atyre djemve të lexuar e pasionantë, Gjovalinit, Ermirit dhe Hekuranit,  të cilët kishin guxuar të bënin atë që, pa as më të voglin dyshim,  edhe sot e kësaj dite botimi i një reviste, buletini,  a kudiçfarë për bujqësinë, ka trembur dhe trëmb shtetin. Madje ky i fundit, pra  shteti, ka hije të rëndë përpara individit. Sepse në kësi rastesh të del si padashje një pyetje: Kur një ministri, institucion, apo një hallkë  tjetër qeverisëse,  i cili ka detyrime, por që ka në dispozicion edhe paratë, nuk është në gjendje ta kryejë këtë gjë, atëherë si do të dalkan dy-tre  individë  më të forte, të marrin një nismë që “konkuron”  shtetin?  Po, ata e bënë, e kryen detyrën. E di pse? Sepse e vetmja mënyrë për të filluar një punë, është të heqësh dorë nga të folurit dhe të fillosh ta bësh. Ata e filluan, u kujdesën për ta botuar dhe ne sot kemi në dorë gazetën “Drini”.

Por suksesi vjen nga këmbëngulja, pavarësisht se rrugës të del diku në një shteg dështimi për të të trembur. Ata dy-tre gazetarë lezhjanë, nën komandën e Gjovalin Gjeloshit, nuk do të hiqnin dorë nga një gjë që e donin vërtetë; atë, të mirën, të dashurën dhe të mençmen, gazetën “Drini”. Sepse ata kishin mësuar edhe diçka tjetër nga përvoja në të bërit e punëve; është e vështirë të presësh, por është më e vështirë të pendohesh. Dhe ata sot, pas botimit të 17 numrave nuk ndjehen të penduar  edhe pse dikush u pat thënë atëherë, në numrin e parë, se duke botuar gazetën “Drini” po i futeshin lumit Drin në këmbë, si në muajt kur ai fryhej nga ujrat e merrte gjithçka përpara.

Suksesi zakonisht u shkon atyre që janë duke e kërkuar. Tek botuesit e gazetës “Drini” ka shkuar suksesi sepse kanë vite e muaj që e kerkojnë, që punojnë e lodhen intelektualisht që ta kenë këtë sukses. Si gazetë  që trajton problemet e buqësisë, të pyjeve dhe të zhvillimit rural, ajo ka dalë e suksesëshme, goxha ndihmuese edhe për t’u dhënë mësim e rrugëzgjidhje  pyetjeve që bëjnë fermerët anë e mbanë vendit. Me pak fjalë gazeta “Druni’ meriton të konsiderohet shkollë ku një i interesuar, fermer apo specialist i bujqësisë,  gjen përgjigjen e pyetjes që i ka dalë në punë e sipër.

Pa dashur të tregohem “kompetent” për problemet e bujqësisë, më duhet të jap nota vlerësuese, të merituara, çka shkruhen e trajtohen në gazetën “Drini”. Nuk e kam fjalën për nivelin publicistik, i cili më duket befasues e i magjishëm, por për problemet që shtjellon, për kompetencën dhe trajtimin shkencor  të gjithfarë çështjesh e enigmash që  ka bujqësia e sotme.

Suksesi nuk është thjeshtë të arrish diçka në jetën tënde, por edhe të inspirosh të tjerët  t’i arrijnë. Kur them këtë, kam parasysh autorët e shkrimeve, emrat e atyre që marrin përsipër t’u japin “mend” të tjerëve nëpërmjet gazetës. Kam lexuar shkrime vertet të arrirë, të shkruar me merak e me kompetecë “akademikësh”, shkencëtarësh të vërtetë, të autorëve me emër në shkallë vendi. Eshtë nder për gazetën dhe për lexuesin që të shikojë për autorë emra si të Prof. Ass. Dr. Enver Isufit, Prof. Dr. Ahmet Osja, Prof. Dr. Andrea Shundit, Prof. Dr. Zef Gjetës, Prof. Dr. Lush Susaj, Prof. Dr. Adem Salillarit, Prof. Dr. Sokrat Janit, Prof. Dr. Fetah Elezit, Dr. Gjovalin Gjeloshit, Dr. Aulona Veizit, Dr. Baki Dervishit, Dr. Pjerin Preka, specialistë të njohur si Preng Pepa, Teuta Nelaj, Paulin Kokaj, Hilë Hila, Mendim Baçaj, Gjon Fierza, gazetarët e publicistët e mirënjohur të bujqësisë: Fuat Memeli, Abdurrahim Ashiku, Xhevdet Bashllari, Nuri Dragoi, Ago Nezha e Illo Foto etj, etj. Duke sjellë emrat e këtyre specialistëve  korifenj, më jepet e drejta të them: a nuk na qenka ajka e specialistëve  shqiptarë, më të mëdhenjtë, që shkruajnë  e japin mësim për të përballuar punë të mëdha  nëpërmjet gazetës “Drini” e cila  dalëngadalë po pushton, po shpërdahet në të gjithë vendin? Interesante ka qenë bashkëpunimi i gazetës me specialistë e gazetarë me banim deri në Zelandën e Re e Australinë e largët si Adrian Gj. Luka e Sabit Abdyli dhe me ekspertë të bujqësisë nga Kosova, si Menderes Ibra.

Suksesi, si çdo sukses,  është  i lidhur me veprimin. Kam ndjekur me vëmëndje  rrugëtimin e “Drinit”  dhe vrej se aty gjen shkrime që i trajtojnë problemet në lëvizje, që synojnë të kapin dhe të përhapin suksesin, vlerat. Gjithmonë me mendimin që e mira nuk arrihet lehtë, që mund të gabosh, por mos hiq dorë nga ajo çka dëshiron të bësh. Rrëzohu 7 herë e ngrihu 8 herë, thotë japonezi.

Gazeta apo revista mund të përgatitej edhe vetëm online, ashtu siç përgatiten me dhjetra revista të tilla sot në internet. Por botuesit u lodhën më tepër se sa kaq. Ata menduan se interneti nuk shkon dhe nuk është i përshtatshëm për moshën e pjesës më të madhe të fermerëvë që merren sot me bujqësinë. Për këtë ata kërkuan ndihmën e miqve e kolegëve të cilët sponsorizuan printimin e gazetës. Kam parë në gazetë emrat e biznesmenëve e specialistëve si Tomë Malshi, Prengë Pepa, Pashk Paloka, Lirim Torba, Toli Mhilli që ndihmuan financiarisht printimin e revistës. Por kam vërejtur edhe emrin e një dashamirësi të shtypit, Mark Bib Vuka nga Pllana e Lezhës, i cili ka ndihmuar në botimin e disa numrave radhazi. Mbështetje financiare kanë dhënë edhe miq të drejtorit të gazetës si familja Suvorov Gjika me banim në Australi dhe Prof.Dr.Dr. Basil Schader nga Zvicra. Të gjithë këta kontribuan në skalitjen e sentencës: “E shkruara mbetet…”.

Gazeta “Drini” është e guximshme, gjithmonë në lëvizje, vetëm ecën, e rrëmbyeshme si lumi, me emrin e të cilit është pagëzuar. Por prap po kthehem te pesimizmi: nuk di se si do të ia dalin pa ndihmën financiare të asnjë enti, shtetëror apo jo?

SHKARKO APP