Një shqiptare përballë konsullit francez, Krajewski

 

Ngjarje e vitit 1913

Nga Nuri Dragoi

Në orën 19.00 të datës 22 nëntor të vitit 1913, përfaqësuesin francez të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK), Krajewskin, e thirri dikush. Në fillim iu duk si zëri i gruas së vetë, të cilën e kishte larg Vlorës.

Errësira e madhe dhe fakti që në qytet gjatë asaj ore nuk lëvizte njeri, e bënë të frikshme situatën për Krajeëskin. Silueta e një gruaje që ngriti kandilin karakteristik për të bërë pak dritë, ishte tepër joshëse për atë realitet të trishtuar. E folura e saj me një theks frëngjishteje të përpunuar “Mësjë Krajewski”, ishin gjithashtu miqësore.

– Urdhroni! Ç’dëshironi? – pyeti Krajewski dhe qëndroi disi i hutuar nga kjo ngjarje.

– Ejani brenda, – i tha ajo duke drejtuar kandilin nga porta e hyrjes, – dua të bisedoj diçka me ju.

Atë çast Krajewskit iu kujtua porosia e gruas së tij franceze, e cila i kishte thënë të mos dilte në rrugë pas orës 18.00 Në Shqipëri kishte rreziqe.

– Kam dëgjuar se atje edhe femrat janë vrasëse, – i kishte thënë ajo. Por duart e vajzës që ndriçoheshin nga kandili ishin tepër të buta për të bërë krahasime me shprehjen e së shoqes. Krajewski nguroi të hynte dhe e pyeti: Çfarë nevoje kishit për mua, zonjë?

Jam nga Përmeti, – i tha ajo. – Rrjedh nga një derë fisnike, por jetoj në Paris. Kam ardhur në Vlorë dhe dua të nisem me vapor për atje. Por udhëtimet janë bllokuar për shkak të motit të keq. Hyni brenda ju lutem, e ftoi përsëri ajo.

Krajewski, në vend që të hidhte hapa para, u spraps.

Megjithatë e pyeti: Në çfarë zone të Parisit banoni?

– Në rrugën Honore de Balzak, numër 247, – tha e përhumbur vajza me emrin Olimbi Përmeti.

Pas këtij komunikimi, Krajewski u mat të hynte, por ndërroi mendje, duke iu trembur ndonjë kurthi. Ai kishte mësuar gjatë jetës së vetë, që ndaj ftesave të femrave duhet të ishte gjithmonë dyshues. Gjithçka mund të pritej prej tyre. Natën e mirë! – i tha ai instiktivisht dhe u largua. Pa bërë ende 5- 6 hapa u pendua dhe donte të kthehej, por tashmë ishte vonë. Prapa tij, drita e kandilit të gruas tregonte se ajo ende kishte shpresë për përgjigje pozitive ndaj ftesës.

Krajewski nuk e ktheu më kokën. Kur mbërriti në dhomë ndjeu një farë trishtimi për refuzimin që bëri. Të nesërmen në mëngjes kaloi andej dhe përsëri e pa vajzën në oborr. Ajo doli me hap të kujdeshëm dhe e përshëndeti: Mirëmëngjes, zotëri!

Mirëmëngjes, – iu përgjigj Krajewski. – Më falni për mbrëmë. Isha me një dhimbje të tmerrshme koke, – u justifikua ai.

S’ka gjë, – i tha ajo. Dhe menjëherë e pyeti: Si po ju shkojnë punët?

Ai bëri një shenjë, e cila tregonte “aspak mirë”. Ndërsa me zë të ulët, i tha: Ka shumë probleme. Çdo ditë na duhet të shpenzojmë orë të tëra për të pajtuar shqiptarët me njëri – tjetrin. Dhe shtoi: Ju jeni e martuar me francez?

-Ende jo, – tha vajza. Dhe, për të shmangur keqkuptimet shtoi, – jam e fejuar.

Krajewski vuri re që ajo ishte shumë e bukur dhe e re. Edhe vajza po e vëzhgonte. Ai vuri duart te flokët për të fshehur me pëllëmbë thinjat e tij, ku ishte përqëndruar vështrimi i saj.

Përse Franca është kundër Shqipërisë? – e pyeti vajza, duke sqaruar më tej pyetjen e saj. – Lexoj çdo ditë editorialet e gazetave, ku flitet për antishqiptarizmin.

Ai nuk foli. Nuk donte që biseda e tyre të fokusohej te politika. Qysh një natë më parë, kur e kishte parë vajzën me kandil në dorë, kishte menduar, se edhe mund t’ia lejonte vetes ndonjë idil dashurie, më shumë shpirtërore se sa fizike. Kishte 6 muaj pa e prekur gruan e tij, e cila i thoshte shpesh: Ke mbaruar me të tëra zotëri!

Ajo e ftoi përsëri të hynte brenda, duke i thënë se ishte vetëm. Ndodhej në një shtëpi të kushërinjve të saj. Krajewski pa orën. – Tani kam një mbledhje, por mund të shihemi në mbrëmje rreth orës 19.00, – i tha ai, shoqëruar me një buzëqeshje disi të ngrirë.

Dhe ashtu ndodhi. Krajewski, që gjithmonë kishte menduar se pleqëria ishte një zgjidhje e mirë përballë martesës me gruan e tij, tani përkundrazi, donte të ishte disa vite më i ri. Porta ishte e hapur dhe ai hyri pa ndroje. Ndonëse ishte natë, vajza po e priste e veshur me rrobat më të mira të udhëtimit. Ai u ul menjëherë dhe kërkoi pak ujë. Ndoshta për të marrë veten, mendoi Liliana. Për disa minuta Krajewski po përqendrohej për të vendosur se ç’duhet të bënte me vajzën: Ta puthte, apo të niste me të biseda politike?

Por ajo e pyeti e para: – Përse Franca e urren kaq shumë Shqipërinë?

Duke menduar se një bisedë mbrëmësore nuk duhet të fillonte me fjalë për urrejtjen, ai i tha: – Franca mbron të drejtat universale të popujve!

 – Cila është e drejta e Greqisë, në këtë rast, ndaj popullit shqiptar? – pyeti sërish Liliana.

– Mosmarrëveshjet do të zgjidhen prej Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve të Jugut, – tha Krajewski, i cili, për hir të së vërtetës, priste më shumë ngrohtësi nga ky takim

Ajo i hodhi në gotë pak raki, të cilën diplomati francez e refuzoi. Pastaj i tha disi e ngashëryer dhe me lot në sy: Kam katër vjet që jetoj tek xhaxhai në Francë. Kur erdha këtë muaj për të varrosur nënën, pashë se gjysma e popullit të Përmetit ishte zhdukur. Një pjesë ishin vrarë. Të tjerët kishin marrë rrugët. Forcat ushtarake greke kanë përdorur 100 mënyrat e mundshme të pabesisë, për të eleminuar çdo shqiptar mysliman, me qëllim që të zotërojnë territoret e Shqipërisë së Jugut. Këto territore, ku ka mijëra vjet që flitet shqip! Ndërsa ushtarët grekë vrasin në vend çdo njeri që thotë, “mirëmingjes apo mirëmbrëma”!

Krajewski, që deri atëherë i mbante duart të kryqëzuara, i uli poshtë dhe i tha: -Tolstoi thotë, se njeriu nuk është kurrë i pafajshëm për fatkeqësitë e veta. Kështu që edhe shqiptarët, kanë si fatkeqësi kryesore të tyre përçarjen dhe armiqësinë me njëri – tjetrin.

– Kjo është barbari, – i tha vajza, – ju i hidhni njerëzit në det për t’i mbytur dhe pastaj thoni : “Vetë e kishte fajin nga që nuk dinte not”!

– Unë nuk e thashë këtë, – ia priti Krajewski.

Kështu keni bërë prej shekujsh, duke e lënë Shqipërinë në mëshirë të fatit, në mënyrë që pastaj ta copëtonit si të donit. Më thoni, ju lutem, cila është pjesa e Shqipërisë që do të përfitojë Franca nga kjo kasaphanë?

-Unë jam vetëm 57 vjeç, – tha Krajewski. – Ndaj nuk mund të di, si ka funksionuar Shqipëria gjatë shekujve. Ne punojmë mbi parime dhe jo mbi interesa.

Ajo lëvizi pak kandilin dhe i tha: – Kjo shtëpi është e tezes time. Tani është e braktisur, sepse të gjithë kanë vdekur nga malarja, nga luftrat, nga përçarjet apo janë vrarë nga pushtuesit.

– Unë nuk kam vrarë njeri, – tha Krajewski, i cili po bëhej nervoz me vajzën. Duke nxjerrë orën nga qosteku, vuri një lente te sytë. Kur pa akrepat e saj kuptoi se po bëhej vonë. Vajza nuk po e ftonte që të rrinin gjatë dhe ai nuk kishte asnjë emocion erotik, që mund ta nxiste për ta prekur me dorë.

– Të lutem, më thuaj përse më ndalove mbrëmë në rrugë? – e pyeti Krajewski.

– Për këtë të ndalova, – ia priti vajza dhe vazhdoi, – për të thënë, se ky vend i varfër edhe pa keqdashjen tuaj ka plot viktima e halle. Prandaj bëni diçka të mirë për të, se zoti do t’ju shpaguajë një ditë, – shtoi ajo pas pak, duke e nxitur 57-vjeçarin francez të shkonte drejt derës së jashtme.

Krajewski e kuptoi që duhej të largohej. Gjatë daljes pati druajtje mos e shihte ndonjë prej oficerëve të milicisë holandeze. Një gjë e tillë mund t’i hapte punë. Pasi u sigurua se nuk kishte asnjeri, doli i hutuar pa thënë as natën e mirë. Rrugës qortonte veten. Kishte bërë gabim që ishte futur në grackën e një femre.

– Ajo kërkon që ne të bëjmë diçka për Shqipërinë, – mendonte me vete, duke ngjitur shkallët e ndërtesës për në dhomën e tij. Ndërsa unë jam këtu për të bërë diçka kundër Shqipërisë. Me këtë siguroj bukën dhe të ardhmen e kalamajve të mi, – shtoi nëpër dhëmbë pas pak.

Para se të hapte derën, ai hodhi vështrimin diku poshtë shkallëve, duke medituar me vete: Ajo kërkon të sigurojë bukën e gojës për fëmijët e saj të nesërm. Ndërsa mua çdo qëndrim pro Shqipërisë mund të më heq bukën e fëmijëve sot!

Dhe, duke u zhveshur për t’u futur në shtrat, vuri re damarët e dalë nëpër gjymtyrë që tregonin se ishte tepër i vjetër për të guxuar të futej përsëri në dhomën e një vajze beqare dhe aq simpatike. Por ishte ndoshta në moshën e duhur për të marrë pjesë në intrigat politike kundër popujve të vegjël.

 

SHKARKO APP