Një studiues i shquar në gjuhësi e folklor

Prof. Dr. Akad. Mark Tirta/ Në Kosovë, më dukshëm në Prishtinë, janë dëshmuar shumë dijetarë të shquar që janë marrë me kërkime në albanologji. Janë bërë të njohur me studimet e tyre, me eksplorime në vise të ndryshme shqiptare, me dëshmime të panjohura, të mbetura më heret në errësirë. I zbuluan këto trashëgimi gjuhësore e etnokulturore e ia dhuruan dijes shqiptare me anë të shkrimeve të tyre, në revista shkencore e kulturore, me librat e tyre ku nxiren në dritë të panjohurat, nga ajo trashëgimi që u krijua e u zhvillua ndër shekuj, si një shkëmb malor qëndrese në gjirin e këtij populli për shumë shekuj, si shprehje e identitetit etnik e kombëtar. Etnokultura e tij, gjuha me organizimin shoqëror, e ruajtën këtë popull pa mos u shpërbërë. U bie detyra studiuesve në kërkimet albanologjike të nxjerrin në dritë këtë rrugë të gjatë mijëravjeçare në të cilën ecën Ilirët, Arbërit e Mesjetës e Shqiptarët e Kohës së Re, me një qëndresë marramendëse e nuk u shpërbënë si etni, si popull e që erdhën të fuqishëm deri në ditët e sotme, me organizim si komb i veçantë.

Një ndër këta njerëz shumë të ditur e tepër të përkushtuar, me një veprimtari marramendëse në kërkimet shkencore, është dhe prof. dr. Begzad Baliu. E themi “marramendëse” ngase në këtë moshë të re që ka, ka bërë një punë të jashtëzakonshme, që pasqyrohet në punimet e tij shkencore e kulturore, në shumë libra të tij shkencore; vërehet në drejtim ose bashkëpunim në revista të ndryshme, në shkrime për kolosët e gjuhësisë shqiptare, të ndriçuar në librat e tij; është marrë me përgatitje për botim të shumë vëllimeve të punës së këtyre kolosëve të gjuhësisë. Librat e B. Baliut janë kaq të shumta sa nuk mund të përmenden të tëra në këtë shkrim. Jo vetëm kaq, por këto botime janë bërë me shumë dije e aspak shkeleshko siç bëjnë disa të tjerë të këtyre fushave.

Baliu lindi në katundin Makresh i Poshtëm, Komuna e Gjilanit (Kosovë) më 20.11.1966. Pra, tani sa mbushi 50 vjet. Pesë vjet fillore i bëri në fshatin e lindjes. Më tej, si vazhdim, e bëri shkollën në Marec – Komuna e Prishtinës. Shkollën e mesme e vazhdoi dhe e mbaroi në Gjilan. Shkollën e lartë e bëri në universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe, Sektori i Onomastikës. Po këtu mbaroi studimet pasuniversitare. Ka mbrojtur tezën e magjistraturës në vitin 2000 dhe atë të titullit doktor i shkencave në vitin 2003. Më vonë ka marrë dhe gradën profesor doktor. Që nga viti 2004 gjuhëtar në Institutin Albanologjik të Prishtinës; është pedagog në Universitetin e Prishtinës. Për disa vite ka qenë kryeredaktor i revistave shkencore e kulturore “Shenjëzat”, “Jeta e Re” dhe “Edukologjia” në Prishtinë; është anëtar i redaksisë së revistës ndërkombëtare “Malësia” në Podgoricë, po kështu është dhe anëtar i redaksisë së kolanës universitare “Sociolinguistika shqiptare“, me përmasa ndërkombëtare.

Ky studjues i gjuhësisë është marrë gjerësisht me kërkime në onomastikë (emërtimësi) e me toponomastikë (emërvende) ku dhe është specializuar e me këto fusha të dijes ka mbrojtur disertacionet dhe ka marrë tituj e grada shkencore. Është marrë dhe me etnologji e folklor si ndihmesë në zbërthimin e disa dukurive gjuhësore ndër Shqiptarë e me krahasime ndër mbarë Ballkanin, siç është rasti i epikës legjendare me pikëtakime mes tërë popujve të këtij Gadishulli, por dhe veçori themelore që i dallojnë nga njëri-tjetri. Ka qenë anëtar i stafit të projektit “Eposi në pesë shtete të Ballkanit“, ku ka dhënë një ndihmesë të rëndësishme në çuarjen e tyre deri në strukturim e në botim. Është dhe bashkëpunëtor i nënprojektit të tij “Eposi në ndërdijen kombëtare“, pra si përforcim i vetëdijes kombëtare, ku dhe mori çmimin “Europa Nostra” nga Këshilli Europian i kësaj fushe të dijes. Na dëshmohet si drejtues i projektit “Gjuha e teksteve të historisë në Kosovë“. Ka dhënë kontribute me vlerë dhe në shumë projekte të tjera nga fusha e albanologjisë.

Baliu është marrë shumë me trajtimin e veprimtarisë shkencore në albanologji nga dijetarët e mëdhenj të albanologjisë, duke i zbërthyer problemet si kontribute të mëdha në gjuhësinë shqiptare, duke i paraqitur veprat e tyre me syrin e kohës së sotme. Të tilla janë veprat e Gustav Majerit, të Eqrem Çabejt, të Jup Kastratit, të Idriz Ajetit e disa të tjerëve.

Në këto 30 vjetët e fundit i është besuar përgatitja për botim në Prishtinë e veprave studimore të Eqrem Çabejt, Jup Kastratit, Shefki Seidiut, Zenun Gjocajt, Nuhi Veselaj e të disa të tjerëve.

Veprat e tij kryesore të botuara në Prishtinë: nga fusha e albanologjisë janë: “Gustav Majer dhe albanologjia” (2001), “Vepra bibliografike e prof. Jup Kastratit” (2005), “Semantika e fjalësit” (2009), “Kërkime albanologjike” (2010), “Referenca albanologjike” (2010), “Hulumtime albanologjike” (2015), “Testamenti shkencor i Prof. Jup Kastratit” (2016), “Lisi i madh – Akademik Idriz Ajeti” (bashkautor, 2016), “Sprovë për një histori të albanologjisë” (2016). Vepra nga fusha e onomastikës dhe të leksikografisë: “Onomastika e Gallapit” (2016), “Onomastika dhe dokumenti” (2016), “Gjendja e toponomastikës shqiptare në Ballkan” (2014), “Onomastika dhe identiteti” (2012), “Onomastika e Kosovës – ndërmjet miteve dhe identiteteve” (2009), “Regjistri i standartizuar i emërvendeve të Kosovës” (2005), “Demitizimi dhe standartizimi i onomastikës së Kosovës” (2006), “Kontributi i Eqrem Çabejt në fushë të onomastikës” (2000). Ky dijetar ka bërë dhe disa libra në fushën e bibliografisë; ka bërë dhe libra si krijimtari letrare, po dhe disa të tjera nga fusha e studimit të letërsisë.

Baliu ka botuar mbi 200 punime shkencore në revista në Prishtinë, në Tiranë, po dhe në vende të huaja, në gjuhët angleze, italiane, holandeze, boshnjake, kroate, rumune, në vendet që u përmendën

Veprimtaria shkencore e kulturore e këtij studjuesi, ndër Shqiptarë e në vende të tjera, është tepër e gjerë e këtu nuk mund të pasqyrohet në tërësi.

Në studimet e tij shkencore, me të vërtetë është mbështetur në të dhënat e dëshmive, po dhe të zbërthimeve diturore të gjuhëtarëve të mëdhenj europianë, po dhe të atyre shqiptarë. Po, nga ana tjetër, ka marrë materiale e teori nga mendjet më të ndritura të albanologjisë. Koha e kërkimet më të reja disa teori i kanë mënjanuar, nga që e sotmja ka prurë “ushqime të reja” shkencore. Ky autor është mbështetur në burime të shumta dëshmish, po dhe duke u mbështetur në teori më të reja e që i kanë hedhur poshtë të vjetrat. Mendimet e tij, zbërthimet e kuptimësive të tij, i ka mbështetur në burime nga më të ndryshme: marrë nga libra, në arkiva, në eksplorime terreni, në terma e mbiemra njerëzish të ndryshëm, në emërtime emërvendesh nga më të ndryshmet. Materiali i shfrytëzuar për studimet e tij është mjaft i gjerë. Në viset shqiptare, veçanërisht në Kosovë, ka bërë shumë eksplorime terreni, dëshmi mbushamendëse të analizave të dhëna në veprat e tij. Ka bërë krahasime në emërvende e antroponime të përftuara nga gjuhët e ndryshme ballkanike, me afritë e ndryshimësitë e tyre.

Ka zbërthyer e i ka nxjerrë në dritën e diturisë së sotme shumë dukuri gjuhësore, folklorike, historike që më parë nuk janë trajtuar nga studjues të tjerë, ose janë trajtuar shumë anash e anash, pa hyrë në rrënjët e tyre nga Arbërit e Mesjetës, ose dhe me prejardhje nga Ilirët e nga popuj të tjerë të Antikitetit.

Me studimet e tij shkencore në onomastikë e emërvende, në probleme të Eposit të Kreshnikëve, ka nxjerrë në dritë të shkencës dhe shumë dukuri që i takojnë etnokulturës shqiptare, që u takon dijeve në shkencën e etnologjisë. Këto trajtime e zbërthime të tij janë një ndihmesë e rëndësishme për studjuesit e etnokulturës shqiptare; po kështu ndihmesë e madhe janë paraqitjet e veprave të tij të fushës së bibliografisë, ku ka dhe burime të kësaj natyre, po dhe shënime sqaruese e zbërthime shkencore.

Ka ndonjë rast kur disa interpretime gjuhëtarësh që studimet më të reja i kanë hedhur poshtë e ky studjues edhe tash i ka marrë për të vërteta. Gjenden antroponime ku termi shkruhet me një “i” përpara si: i Bushatas, i Gjonmarkaj, i Dedaj, i Xhaferraj. Aty thuhet se kështu me “i” përpara përdoret vetëm për gjinitë me përkatësi fisnike. Kjo mënyrë të shprehuri ndër male është përdorur për tërë grupet shoqërore si: “i Jakaj”, “i Ceraj”, “i Selitas”, “i Kthellas”, “i Shurbit”, “i Përvukaj”, “i Lukaj”. Pra më parë është përdorur ky term për përkatësi fisnore, përkatësi fshati, përkatësi krahinëze ose dhe krahine, ta zëmë: “i Mirditas”, “i Matjanë” e me radhë. Kjo mënyrë të shprehuri ka dalë tani vonë nga përdorimi, përjashto raste të rralla.

Në jo pak raste ky studjues ka bërë dhe vërejtje për përdorimin jo të drejtë të termave të ndryshme; vërejtje ka bërë dhe për drejtëshkrimin e fjalëve në mënyrë të shtrembëruara ose dhe vend e pa vend të fjalëve të huaja, duke lënë anash fjalët e mirëfillta shqipe. Ka ngritur me të madhe, si pengesë për studime, mungesën e një qendre të grumbullimit të librave që botohen në tërë viset shqiptare, po dhe nga vise të Europës e të botës; prej andej libraritë, bibliotekat i marrin e i venë në shërbim të lexuesve. Këtë mospërfillje ta sqarojmë vetëm me një rast: Janë botuar nga studjuesi Petër Bartl në Gjermani në këto 15 vitet e fundit 7 vëllime me dokumente historike arbërore-shqiptare që e kanë fillesën që nga shekulli XII e deri në shek. XVIII dhe ato nuk gjenden në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë. Dokumentet janë nga arkivat e ndryshme italiane, zviceriane e nga qytete të Dalmacisë. Ato botime nuk janë të doemosdoshme vetëm për historianin, po dhe për gjuhëtarin, etnologun, për juristin e studimeve për organizimin shoqëror në Mesjetë. Z. Neziri me të drejtë e ngre këtë problem si mjet jetëdhënës në studimet shqiptare në Shqipëri, në Kosovë e në shtete të tjera ballkanike.

Ky kërkues në shkencë ka dhënë e po jep një ndihmesë shumë të madhe në studimet albanologjike. Ta thonë veprimtaritë e tij në shkencë, në arsim e kulturë se ky studjues punon ditë e natë, në ditë pune e në ditë pushimi, në shkrimet e tij, në heshtje, pa u ndjerë, por për librat e tij janë bërë shumë reçensione, ku vlerësimet janë tepër të larta e domethënëse për njerëzit me kulturë, aq më tepër për ata që merren me kërkime shkencore në fushën e albanologjisë.

Është mësimdhënës jo vetëm në universitet në Prishtinë e Shqipëri, por dhe në disa universitete të botës; ka drejtuar si mentor për tituj e grada shkencore, por nga puna e tij me shumë përkushtim, është dhe një shtyrës në dije për ata që merren me kërkime shkencore.

Për veprimtarinë e tij shkencore-kulturore është vlerësuar me urdhra nderimi, me dekorata të ndryshme. Nga puna e tij që bën me aq përkushtim, ai është nderi i kombit tonë, është një shtyrës i fuqishëm për të ecur dituria shqiptare përpara. Çdo intelektual duhet ta ndjej vehten krenar, të lumtur që kemi në gjirin tonë studjues të tillë.

SHKARKO APP