Një tjetër film horror për Shqipërinë
Pak ditë pasi u raportua se një regjisor spanjoll do të realizojë një film horror, bazuar në ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri, ja ku vjen një tjetër film horror, me subjekt në Shqipëri.
Një ditë pasi ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka deklaroi se në Shqipëri ka mbërritur kanabisi vietnamez, një farë me cikël biologjik vetëm 45-ditor, filmi horror “Arachnicide” që do publikohet më 10 maj nga Midnight Releasing, flet për një shkencëtar që ka arritur të gjejë mënyrën për të përshpejtuar rritjen e bimëve dhe të kafshëve.
Teknologjia e tij kontrollohet nga një organizatë kriminale, që e përdor për të rritur sa më shpejt bimët narkotike.
Por situata del jashtë kontrollit pasi teknologjia jep efekt tek merimangat.
Komandot e njësitit L9 dërgohen në Shqipëri, ku zbulojnë planin e tmerrshëm që rrezikon njerëzimin.
Ndërkohë në fillim të këtij muaji u raportua se një regjisor i njohur spanjoll, Marco Lledo po bën një film horror për ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri.
Filmi ka në qendër ngjarjet e misterit mbi një grup gazetarësh të huaj të vrarë gjatë vitit ‘97 në Mesopotam, pranë Sarandës. Ata u vranë befasisht ndërsa gjendeshin për të rapotuar trazirat dhe pas shumë vitesh një drejtues media vjen në Shqipëri për të gjetur të vërtetën.
Rrugëtimi i tij është dhe subjekti bazë i filmit. Xhirimet në studio janë kryer në Spanjë, ndërsa ato jashtë studios po bëhen në Shqipëri, përkatësisht në Butrint dhe Mesopotam.
“Unë kam pasur gjithnjë dëshirë të xhiroj diçka në Shqipëri. Im atë ka jetuar për disa vite këtu pas ’90-ës dhe i ka parë nga afër trazirat e ‘97. Mendova se subjekti ishte i gjetur dhe i përshtatur mirë me historinë. Në film debutojnë shumë aktorë shqiptarë dhe spanjollë, por edhe nga vende të tjera. Butrinti ishte mjedisi ideal për xhirimet”, shprehet regjisori, Marco Lledo.