Një vend në panteon për gjeniun e Çiftelisë

Nga Fran Vukaj

Simfonisë me dy tela, orkestrës së famshme të bjeshkëve, tani i iku dirigjenti, themeluesi, krijuesi e drejtuesi i jashtëzakonshëm, fenomeni Ndue Shyti “Nderi i Kombit”. U shua artisti popullor, instrumentisti virtuoz, dirigjenti pa pentagram, gjeniu i çiftelisë. Një karriere e shkëlqyer artistike për rreth 60 vite e shoqëroi jo vetëm në skenat e festivaleve kombëtare, por edhe në ata ndërkombëtare. U shua ky vigan i artit kombëtar duke u lënë brezave një arsenal të jashtëzakonshëm të muzikës instrumentale folklorike shqiptare. Krijimtaria e tij dhe interpretimet brilante janë vlerësuar me superlativa nga akademikë, kompozitorë, kritikë arti e kulturologë, nga më të njohurit e vendit.

Profilin e këtij artisti shumë pamësor e ka skalitur mrekullisht studiuesi serioz e pasionant Mark Mesuli në botimin e tij tepër të arrirë, me informacion të pafund autentik, në botimin e monografisë: “Gjeniu i Çiftelisë”. Jo vetëm për familjarët e këtij gjiganti të muzikës folklorike, por për mbarë komunitetin e artistëve të vendit, lajmi për shuarjen e Ndue Shytit u preku thellë shpirtin dhe zemrën, veçmas bashkëpunëtorëve të tij më të afërt ky lajm i shokoi… Kështu dhe mua që, për 35 vite punuam e krijuam së bashku me ansamblin “Puka”. Interpretimet dhe krijimtaria muzikore e këtij mjeshtri janë perla të folklorit që nuk përsëriten. Kurora më e ndritshme e kësaj krijimtarie janë pjesët solistike me çifteli e bilbil, simfonitë orkestrale që e ngritën në piedestalin e një kompozitori të madh që vetëm konservatori i bjeshkëve të Munelles, Krrabit, Tërbunit dhe Kunor Dardhës mund t`i jepte atë shkëlqim.

Profesori ka punuar pa ndihmesën e askujt. Ai njihte në detaje e nuancat më të holla, motivet folklorike të krahinës Pukë– Mirditë. Njihte mrekullisht instrumentet karakteristike të popullit, si ata të telit dhe ata frymore. Është kjo njohje, kjo aftësi që Ai krijoi orkestrën e famshme të Pukës me 104 instrumentistë duke kolektivizuar e harmonizuar gjithë arsenalin instrumental të bjeshkëve, duhet befasuar e surprizuar kompozitorët më të njohur shqiptarë, që kishin mbaruar konservatoret e huaja me traditë qindra vjeçare. “Ne, kompozitorët shqiptarë qe u përgatitem në Lindje apo Perëndim morëm nga kulturat botërore, kurse Ndue Shyti i ka dhënë kulturës botërore”, shprehej Çesk Zadeja. Që në vitin 1958 profecia e kompozitorit Preng Jakova ( kompozitori i operës së parë shqiptare ) shprehej për Ndue Shytin. .”asnjëherë s`kam dëgjuar një të tillë në jetën time, cilësi të lartë interpretimi, çka e bën atë të vetmin shqiptar qe i bie si ai “.

Jo më kot Çesk Zadeja, Tish Daija, udhëheqës artistikë të Ansamblit artistik të këngëve dhe valleve popullore e përfshinin në program për turnetë jashtë shtetit artistin pukjan Ndue Shyti. Me mjeshtërinë dhe virtuozitetin që e zotëronte ai pushtoi skenat më të mëdha të kohës me sukses të paimagjinueshëm si në: Turqi, Itali, Maqedoni, Suedi, Francë, Zvicër, Jugosllavi, Norvegji, Kosovë, Vietnam, Komboxhia, Laos, Kore, Kinë dhe, pak vite para se të ndërronte jetë, në SHBA.

 Gazeta “Drita “ data 20.09.1980 shkruante për Ndue Shytin : “një instrumentist si ai, rrallë qëllon në historinë tokësore”.  Ne procesin krijues ishte i papërmbajtur. Punonte, eksperimentonte me durim e këmbëngulje me orë të tëra, shume herë harronte te dilte nga zyra e punës, aty e zinte mëngjesi.  Pas Dizhonit, vetë diktatori qe shprehur për famën dhe suksesin e Ndue Shytit: “ Ç`ka bërë më shumë De Bysy në Francë, se sa Ndue Shyti në Pukë ?”Novacioni më i madh i këtij gjiganti të folklorit ishte orkestra me instrumente karakteristike të trevës pukjane. Jo vetëm interpretonte melodi nga më virtuozet, por ajo shoqëronte dhe këngë e valle. Arsenali i motiveve të larmishme të padëgjuara më parë, e kishte burimin tek krijimtaria popullore që Ndueja e njihte me perfeksion dhe e adhuronte aq shumë. Ndue Shyti kurrë nuk e kërkoi lavdinë, por natyrshëm u bë i tille. “Artisti i Popullit”, “Nderi i Kombit”, Ndue Shyti mbylli sytë në lagjen Kënetë, në qytetin e Durrësit me datën 20 prill 2017. Me nderime e respekt u përcoll nga qindra e qindra të ardhur nga Puka, Mirdita, Lezha, Shkodra, Tirana, Durrësi dhe nga Kosova. Kolegë artistë, bashkëpunëtorë në dekada si: muzikantë, koreografë, regjisorë, instrumentistë, këngëtarë, valltarë, ndanë dhimbjen me familjaret e gjeniut te çiftelisë. Ai ishte Artist i Popullit dhe u përcoll në amshim nga populli. Mungesa e pjesëmarrjes nga shteti, pushteti vendor e dikasteret në organizimin dhe pjesëmarrjen në homazhe nuk ia zbehën aspak solemnitetin e ceremonisë mortore. Ndue Shyti nuk ishte artist i oborrit as lolo e as servil i pushtetit. Me talentin e popullaritetin brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht në Diasporë, Ai dhe në arkivol sfidoi indiferencën.  Ndue Shyti duhej te vdiste që të bëhej i pavdekshëm duke zënë vend në Panteonin e Kulturës Kombëtare. Thuhet se ne Panteon hyjnë e dalin njerëz të famshëm të epokave të ndryshme, por artisti ynë i jashtëzakonshëm, Ndue Shyti, Nderi I, Kombit do ketë vendin përjetësisht në Panteon Nuk ka vend gryka vorri/Për viganin e folklori/Për gjeniun e çiftelisë/Dirigjentin e simfonisë/N`festival dhe evente/Ka spikat në kontinente/Kalojnë kohët kalojnë vitet/Nderi i kombit më shumë rrite/Zot i madh që na dëgjon/Jepi vendin në Panteon…

SHKARKO APP