Një veteran i arsimit shqip në Mal të Zi

Nga Gjekë Gjonaj – Kaherë e kam menduar dhe planifikuar  të  pasqyroj në media shqiptare portretin  e këshilltarit tim të parë pedagogjik,  profesorin  e mirënjohur të gjuhës dhe letërsisë shqipe,  Pjetër Dreshaj. Jo për arsye miqësie, e për t’i ngritur atij lavdi, por  për meritën  e tij të pakontestueshme në fushën e arsimit shqip.

I lumturuar nga lajmi se  Komuna Urbane e  Tuzit  i ndau  këtij  profesori me formim të lartë, me përgatitje   gjuhësore,  me përvojë  mësimdhënie, me kompetencë shumë profesionale  dhe  me aftësi drejtuese në profesionin e tij  Çmimin për “Veprimtari  Jetësore” për vitin 2015, po i shkruaj  me përkushtim  e respekt këto rreshta, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij  vërtet të  madh ndër vite  të këtij misonari i cili, mendoj unë,  e meriton  “ Kartën e Mësuesit” .

Nga njohja ime shumëvjeçare me  profesor Dreshajn  më kanë mbetur në mendje e përherë të gjalla  në kujtesën time  këshilla, ndihma dhe mikëpritja   në fshatin ku jeton, në  Dreshaj, jo larg Tuzit.  Gjithmonë pedant, siç i ka hije një  punonjësi të  mirëfilltë të arsimit. I etur për dituri. Njohës i mirë i gjuhës dhe i letërsisë shqipe.Pedagog i zoti. I aftë në mësuesi.  Drejtues vizionar i shkollës. Njeri i qeshur.  Komunikues. Pozitiv. I gatshëm për këshilla. I dashur  dhe i afërt me  nxënës, me prindër dhe me kolegë. Korrekt. I drejtë. Parimor e i përkushtuar në profesion.

Swiss Digital Desktop Reklama

Si mik i shtrenjtë dhe koleg i babait tim , të ndjerit Gjon, dhe dashamir i sinqertë  i familjes tonë, ai më  ka futur në rrugën e arsimit. Dashurinë dhe këmbënguljen për të mësuar sa më mirë gjuhën shqipe, ma nguliti edhe edhe mua në shpirt dhe zemër. Është meritë e tij që  më bëri për vete për të vazhduar studimet në degën  – gjuhë dhe letërsi shqipe, detyrë  të cilën e ushtrova brenda viteve 1979 – 1986  në SHF “ Gjergj Kastrioti- Skënderbeu”  në vendlindjen time në Triesh. Punën time gjatë gjithë këtyre viteve  me ditar në dorë  e mbikqyri me kujdes dhe e vlerësoi me sukses profesori Dreshaj, asohere  këshilltar pedagogjik për shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi. Udhëzimet e tij që m’i dha për të kuptuar planin dhe programin mësimor , për të organizuar procesin mësimor, për t’u njohur me të rejat pedagogjike,   për përdorimin e tyre në shkollë, për të zbatuar praktikën pedagogjike  e shumëçka tjetër që është pjesë e  mësimdhënies dhe e  jetës në shkollë ishin  me vlerë të madhe për mua.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në fillimet e mia si mësimdhënës i gjuhës dhe i letërsisë shqipe pasi përfundoi njëra nga orët e mësimit në sallën e arsimtarëve e pyeta profesor Dreshajn : ”Më duket se nuk ju kënaqa”, – i thashë disi i ndrojtur. ”Jo – m’u përgjigj  butësisht e me ngrohtësi. –  Ti si gjithnjë tregove se ke një përgatitje të mirë mësimdhënieje  dhe meritove vlerësimin tim të  lartë, pavarësisht se je i ri në profesion”.  Sa m’u bë qejfi kur u shpreh kështu për mua! Kjo vërtet më  inkurajoi për të vazhduar me më shumë pasion, dashuri  e përkushtim profesionin e mësuesit.

 Krahas këtyre dhe shumë kujtimeve të tjera, të cilat  përherë do t’i ruaj  në sirtaret e jetës sime  me origjinalitetin e tyre,   në bibliotekën time të vogël ruaj  librat e tij të leximit për filloristët shqiptarë në Mal të Zi, disa nga përkthimet dhe  nga shkrimet e tija të bukura  dhe të kujdesshme tipik prej gjuhëtari, të cilat  i ka botuar në shtypin  e kohës. Por nuk arrita të siguroj asnjë raport ( vlerësim) zyrtar  të tij  për punën time si mësimdhënës, për shkak të jotransparencës së shkollës.

Po ju kujtoj lexuesve se Pjetër Dreshaj ishte edhe folës dhe  gazetar i mirë. Si fëmijë me kënaqësi e dëgjonim familjarisht  zërin e tij  të ëmbël  dhe imponues në valët e Radio Titogradit të atëhershëm ( sot Radioja e  Malit të Zi), në emisonet  shqip javore, njëorëshe, të marteve në ora 18  nëse nuk nuk kam harruar.

Dhe, në  mbyllje,   po shtoj se Pjetër Dreshaj e meriton të nderohet dhe vlerësohet portreti tij. Sepse ai me profesionin e tij përcolli gjithmonë dituri e kulturë tek nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë në Mal të Zi. Për mua ishte  dhe mbeti model i arsimdhënies. Karakteri i tij i madh njerëzor  dhe ndershmëria e tij e pashoqe përbëjnë një shëmbëlltyrë frymëzuese dhe sfiduese për shoqërinë shqiptare. E për këtë  atë dhe misionarët e tjerë të arsimit në Malësi dhe në troje të tjera tona etnike   duhet që të vlerësohen dhe të nderohen.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?