Një zanat i vjetër sa njerëzimi, Vasili tregon “sekretin” e tij

Lagja “Mejden” është një zonë e madhe në qytetin e Përmetit, që dikur mbahej nga puna në fermë. Këtu ka pasur shumë të ardhur nga rrethe të tjera. Pallatet tradicionale me tulla të kuqe kujtojnë histori të diktaturës. Thonë se për shumë dekada ka shërbyer si vend internimi për të dënuarit.

Pallateve tani u janë shtuar kopshte e bahçe dhe e gjithë kjo pamje bën që të ndjehemi gjysmë në qytezë e gjysmë në fshat. Etemi, një burrë rreth të 40-ve, përshëndet buzagaz në afërsi të bahçes. Zona është e njohur për mikpritjen e saj tradicionale. Etemi, traktoristi dhe të tjerët që janë në toka i hyjnë një diskutimi të gjatë për hallet e sotme të zonës ku jetojnë.

Kam mbjellë shumë rrënjë ullinj – thotë Etemi me trishtim – por nuk po më japin prodhim. Ulliri do vaditur more vëlla, do vaditur, përndryshe mbetesh me gisht në gojë.

Pastaj, unë jam traktorist. Fshatarët gjithnjë e më shumë po përdorin parmendën e drunjtë. Nuk ia leverdis që të punojnë tokën me traktor. Ne po naftën e marrim shtrenjtë. Hajde gjeje tani se si do të mbahemi”.

Një parmendë të drunjtë e kemi hasur gjatë rrugës nga një lagje përtej lumit. Ndërsa, miqtë e fshatit diskutojnë për hallet e të qenit fermer, Vasil Todhe duket se është i lumtur për zgjedhjen e tij në bujqësi.

“Nuk ka punë të thjeshta, por nëse je punëtor bën gjithçka”, na thotë me buzëqeshje. Vasili ka një jetë që punon në punishten e tij të djathit, atë që dikur ka qenë e shtetit. Por, me ardhjen e demokracisë, 56-vjeçari me origjinë nga fshati Malshovë i Përmetit, sot me anë të kësaj pune mban edhe familjen, duke e pasur këtë të fundit një ekonomi kryesore.

Unë kam që prej vitit 1992 që punoj. Kam mbaruar dhe shkollën profesionale në vitin ‘81 për teknikë bulmeti, ndaj jam me profesion në këtë zanat, e njoh mirë.

Kjo ka qenë magazinë bulmeti më parë. Pas vitit 1990 u privatizua. Mirëpo, unë isha magazinier, mblidhja gjithë bulmetin e rrethit dhe kështu fillova aty. Në vitin ‘92 dhe këtej e kam bërë familjare.

Sipër kam shtëpinë, në katin e parë kam punishten dhe tani jemi të gjithë të punësuar. Edhe vazhdojmë me këtë punë. Prodhojmë aq sa mundemi”, thotë Vasili, teksa vazhdon të ndihmojë sadopak të shoqen.

“Jemi në një sezon të ngarkuar këto ditë. Fillojmë dhe mbledhim qumësht nga zonat përreth. Përgjithësisht marrim atë të dhisë dhe deles për ta patur më të koncentruar produktin e djathit. Ndërsa, për sa iu përket çmimeve ato variojnë. Ne prodhojmë rreth 150-200 kuintal djathë në gjithë periudhën që punojmë sepse jemi sezonalë. Qumështin e deles e marr me 90 lekë, atë të dhisë me 50 lekë. Ndërsa, djathin e bëjmë të përzier se ashtu ka kërkesa dhe shitet me 650 lekë.

Pastaj kjo shërben më mirë për të rritur cilësinë e prodhimit. Një kuintal qumësht dele bën 21 kilogram djathë, ndërsa një kuintal qumësht dhie bën 13.1 kilogram. Kjo është për efekt të lëndës së thatë, delja ka më shumë lëndë të thatë se dhia rreth 11, ndërsa dhia e ka 8.5”.

Për Vasilin, puna në punishte ka qenë një vazhdimësi e mundimshme, për të cilën ai tregon se ia ka ndalë mbanë vetë.

Kujton vetëm një rast të 10 viteve më parë kur ka aplikuar për fonde në skemat e mbështetjes së shtetit, por nuk ka fituar. Prej 2006, Vasili vendosi të mos aplikojë më.

Nga shteti nuk kam marrë subvencione. Aplikova një herë në 2006 dhe nuk mora. Prej asaj kohe nuk kam bërë më. Unë jam munduar me forcat e mia. Është një rutinë e gjatë”, thotë Vasili.

Ne e ngacmojmë pak për politikën, si kohë krize. “A ka ardhur të të vizitojë ndonjë politikan?”, i themi.

Politikanët nuk kanë ardhur të na vizitojnë. Janë të mirëseardhur, por ne duam ndihmë, jo vizita. Sikur 10 mijë euro të na ndihmojnë, jo për qumështin, po për të përmirësuar teknologjinë, Sepse qumështin tani e ke qumësht, por për gjysmë ore bëhet gjizë.

Një shoku ynë që mori ndihmë është i partisë unë nuk i ndjek këto”, thotë me sens humori. Më tej duke lenë shakatë, Vasili rrëfen. “Ti bësh letrat për subvencione nuk është e thënë të marrësh, por të mos bësh, nuk merr fare, por do dhe një mbështetje. Po të kesh mbështetje nga partia është më e lehtë, por unë si vete askujt nga pas”

Përse mbahet me emër djathi i Përmetit?

Vasil Todhe është vendali, por edhe një teknik i mirë i bulmetit. Ai tregon se të qenit në këtë magazinë, që dikur ka qenë e shtetit e ka bërë edhe një llogaritar të mirë, aq sa përherë mban me vete bllokun e tij të shënimeve.

Unë si magazinier shënimet i kam të mira. Nuk e heq kurrë bllokun nga vetja. Pastaj, vitet varen. Ka vite që ka shitje dhe vite që jo. Vitin që shkoi ishte mirë, këtë vit ishte më dobët se edhe natyra, sasia ndryshojnë. Ndryshojnë dhe shitjet, por unë cilësinë e kam të njëjtë”, thotë Vasili, teksa shpjegon edhe për djathin e Përmetit.

“Në Përmet nuk ka ndërhyrje me niseshte apo qumësht lope, çdo gjë është bio. Në Përmet merr djathë dhe gjalpë të vërtetë, ndërsa në vende të tjera e japin gjalpin me 450 lekë, por sipas meje ai nuk është gjalpë. Unë shoh çmimin pastaj bëj analizë të shijes dhe të gjitha. Unë e shes me 800 lekë. Nuk del kostoja ta shes ndryshe.” /Shekulli/

SHKARKO APP