Një zë i fuqishëm në poezinë shqipe

Rreth vëllimit poetik të z.Mujë Buçpapaj “Fitorja e Padukshme”

Nga Fran Gjoka/Mujë Buçpapaj, autor i disa botimeve me poezi, mijëra artikujve, analizave politike si dhe kritikë letrare, vjen para lexuesit me librin me librin më të ri poetik “Fitorja e Padukshme”, një vëllim me 63 poezi në shqip dhe anglisht. Duhet theksuar që në fillim se ky vëllim poetik vjen si një metaforë e gjallë e luftës, e jetës, e mallit, e dashurisë, vjen si një thirrje e trishtë për mbrojtjen e trojeve arbërore, si një aktakuzë për barbaritë monstruoze të barbarëve serbë ndaj popullsisë dhe vlerave historike shqiptare trashëguar brez pas brezi gjatë të gjithë historisë.

Vlerat poetike të librit rriten nga poezia në poezi, marrin ngjyrat reale të natyrës, të luftës, të kushtrimit kundër barbarisë, të një mbrojtje të vlerave kombëtare dhe të lirisë, që çliron aromë të këndshme patriotizmi me dimensione globale, ku natyra, mendimi, gjeografia, historia, legjendat dhe njeriu trupëzohen dhe lindin një dashuri të madhe, me një universialitet të madh njerëzor. Nga legjendat dhe përrallat zbresin personazhet mitike, të cilët bëhen frymëzues të ndjenjës kombëtare dhe lëshojnë kushtrime në botën e brendshme të njeriut të këtyre trojeve.   Brenda vetëdijes së poetit gjurmojnë dhe zhurmojnë ndryshimet e fuqishme në kohën e tranzicionit, të cilët autori i shpreh me një metaforë brilante: “Njeriu / Në tranzicion / Si tjegull çatie / E qytetit të papastër thyhej”. Megjithatë shpirti human është baza racionale mbi të cilën poeti ndërton poezinë e tij, si një mjet ku vlerat mbeten të tilla, duke parandaluar lodhjet makabre të hakmarrjeve primitive dhe dhunimin ekstrem në një shoqëri të re, drita e së cilës tashmë ka filluar të ndrijë.

Nuk ka vlerë pa dhembje, pa dhembje njerëzore dhe kjo dhembje shfaqet brenda një lineariteti poetik, që përbashkon si një emërues i përbashkët të gjithë: njerëzit, natyrën, erën që fryn e lodhur mbi madhështinë e krijuar nga vetë natyra, personazhet mitike, mbështjellë nga një shtresë që duket se do të lulëzojë çdo ditë mbi gjethet e pemëve, mbi frutat e reja, mbi barin e njomë që rrihet butësisht nga era brenda një substance dhe energjie, që vijnë në formën më pikante të shpresës.  Poezitë kanë brenda tyre një figuracion oval, kanë ritmin dinamik, kanë origjinë dhe mbajnë mbi supe kulturën e qytetërimin real, ku vetë autori është përfaqësues i një treve të tillë, të lindur nga gjaku dhe të mbijetuar ndershmërisht me ajrin e pastër të jetëdhënies natyrë, të mbrojtur me djersë dhe gjak, si dy burime pavdekësie, traditë historike e shqiptarëve.

Pavarësisht se në shumë poezi, poeti ndjehet pak me zemër të thyer për të gjithë atë “amalgamë” gjeo-biodiversitet, makabritetet e botës së urrejtjes, rrugët e jetës të mbushura me baltën e shpirtrave të errët, përsëri ai gjen forcë dhe pushtet për të fituar mbi to, duke lëshuar kushtrimin njerëzor për qëndresë. Klithma poetike që vërshon fuqishëm në poezitë e këtij vëllimi, është një simbiozë kombëtare, një alternativë buçitëse në një truall luftarak, ku atdheu dhe jeta janë një binom i pandarë përgjatë të gjithë shekujve.

Stili poetik i autorit në këtë vëllim ka një vertikale interesante, me vargje të shkurtra, por të ngarkuar me një peshë shumë të madhe meditative dhe përgjegjësie artistike të lakmueshme nga çdo krijues. përmes këtyre vargjeve kaq të mrekullueshme dhe me ngarkesë të veçantë emocionale.

“Më merrni me vete / O trena të braktisur / Të pajtojmë të vdekurit / Që qajnë nën shi… “/ Si tingëllojnë këto vargje të shkëputur nga poezia me titull “Trenat e Jugut”. Kush janë trenat e braktisur? Kush do ta marrë përsipër të pajtojë të vdekurit, që qajnë nën shi? Është një mision i madh historik, që autori na e jep kaq bukur përmes një ngarkese të thellë emocionale për të deduktuar më qartë për atë që duhet bërë, por që duhet bërë mirë – jashtë urrejtjes, që nuk gjendet brenda shpirtit të autorit.  Gjithë filozofia e një tranzicioni vjen përmes kësaj poezie kaq metaforike tek lexuesit. Është një moment historik, kur vlerat dhe antivlerat përballen, duke u gjendur brenda njeriut që thyhej si tjegullat e qytetit të papastër, sepse njeriu ishte shumë i brishtë përpara uraganit të ndryshimit. Por poeti është shumë i kujdesshëm dhe shumë i qartë që t’i japë lexuesit një ekstrat kuptimor pa urrejtje. Gjithsesi “Fitorja e Padukshme” është realiteti historik shqiptar, që pavarësisht enigmave dhe dilemave historike, përsëri njeriu i qëndresës vrau frikën dhe fitorja vjen e ëmbël, e natyrshme dhe si era e vendlindjes, që sjell vetëm jetë dhe shpresë. Urime, poetit dhe me libra të tjerë gjithnjë dinjitozë!

SHKARKO APP