Njerëzit duhen vlerësuar sa janë gjallë (FOTO)
Intelektualen dhe gazetaren e shquar, autoren e 10 librave, Presidenten e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi” dhe kryetaren e Shoqatës Kulturore “Al Bano Karrisi”, Zonjën Zenepe Luka e njohin dhe e çmojnë në shumë shtete të botës, ndërsa Shqipëria e ka lënë në hije! Prej 24 vitesh jetoj në Triestë. Kam bërë dhe bëj sa mundem për vendin tim. Në kuadrin e këtij portreti dua të derdh ndjenjat dhe mirënjohjen time, jo vetëm motrën tonë të dashur, Zenepe Luka- Çekrezi që jeton në Vlorë. E kisha të dëgjuar këtë emër, madje gjatë viteve të trazirave. Kur e njohëm nga afër, pamë me sytë tanë kontributin që ajo jep për vendin e saj. Është gruaja intelektuale, veçanërisht në Diasporë. Kam nderin të shpreh nderime dhe mirënjohje të thellë për këtë grua patriote.
Me Zenepe Lukën na lidhi puna e përbashkët në Fondacionin Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, që ajo e themeloi dhe e drejton prej 13 vjetësh, fondacion ku aderon gruaja e shquar e Kombit. Është pikërisht kjo grua imcake, që duke pasur busullë amanetet e Ambasadores së Kombit, Nermin Vlora, që na e ka lënë me gojë dhe me shkrim, e cila ka bashkuar zërin e gruas shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi në shtete europiane, që Europa e e deri në Amerikën e Australinë e largët, për të promovuar vlerat e saj. Përmendim organizimin e 10 Kuvendeve, që nisën rrugëtimin në Vlorë më 18 prill të vitit 2002, në ditën e lindjes së Nermin Vlorës, për të pasuar Kuvendi i dytë në Prishtinë, i treti në Shkup, në Kalabri, Stamboll, Ulqin, Preshevë, Gjermani, dhe për të mbërritur në Kuvendin e 10-të që u mbajt në Bruksel, në ditën e 90 vjetorit të lindjes së Nerminit.
Janë organizuar 8 konferenca shkencore, në Shqipëri dhe vendet e rajonit, me dokumentarë dhe promovime botimesh kushtuar grave të shquara. Janë dhjetra gra të shquara që me propozime të Fondacionit kanë marrë titujt të merituar, si Mjeshtër i Madh, Qytetare Nderi, Urdhëra e Medaljes lëshuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Nëse lokomotiva e Fondacionit është në Shqipëri dhe timoniere është Zenepe Luka, 20 degët e Fondacionit që janë ngritur e funksionojnë në po kaq shtete, kryejnë aktivitete të larmishme, duke pasur në epiqendër gruan dhe problematikat e saj, promovimin e vlerave dhe ngritja fuqishëm e zërit të bashkuar për ta vendosur femrën në vendin që i takon, kjo tregon edhe startin e një shoqërie të vërtetë demokratike, fizionominë e një shteti të civilizuar. Me këtë punë kolosale që është bërë dhe vazhdohet të bëhet nga Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi”, realisht gruaja shqiptare e ka realizuar bashkimin kombëtar. Ajo që të bie në sy në tërë veprimtarinë e Zenepe Lukës, angazhuar me shoqërinë civile, është fakti se për zhvillimin e këtyre veprimtarive madhore, brenda dhe jashtë vendit, konferenca shkencore të nivelit akademik, botime, dokumentarë që nuk i kanë bërë qeveritë dhe institucionet e shtetit pas viteve 90-të, është mjerimi ballkanik se asnjëherë nuk është mbështetur me fondet publike nga qeveritë apo pushteti vendor.
Kjo padrejtësi nuk e ka mposhtur, përkundrazi, Zenepe Luka vazhdon të sfidojë dhe të realizojë veprimtaritë e planifikuara brenda dhe jashtë vendit. Ajo nuk përulet para askujt, por vazhdon të kryejë veprimtari që nuk i bën një qeveri, ndaj mu për këtë ka marrë admirimin e masës së grave. Puna vullnetare e Zenepe Lukës u vlerësua në Forumin Botëror të Gruas, që u mbajt në Pekin më 8-12 Nëntor të vitit 2012, ku morën pjesë gra të shuqara nga 300 shtete të botës, duke i dhënë Titullin “Grua e Shquar” nga Presidentja e Federatës së Grave të Kinës, njëherit edhe zv.kryetare e Parlamentit, zonja Chen Zhili.
Ishte Fondacioni “Nermin Vlora Falaschi”, që në bashkëpunim me degën e Fondacionit në Treviso, ngriti Flamurin shqiptar në garën e përvitshme në Venecia, ku merrnin pjesë 300 shtete nga e gjithë bota. Por këto bëma të mëdha të Fondacionit dhe Zenepe Lukës, në Shqipëri kalojnë në heshtje. Pse? Sepse ajo ka dinjitet, guxim dhe moralitet, sepse ajo është e pamposhtur dhe nuk i përulet askujt përveç Zotit dhe fjalës.
Libri dhe dokumentari i jetës së trazuar të Zenepe Lukës
E njoh mirë krijimtarinë letrare të Zenepes, por po ndalem tek libri dhe dokumentari që shpalosin jetën e trazuar të gazetares, që i ngrejnë vlerat dhe e vendosin atë në rradhët e grave të shquara të Kombit. Me fakte, dëshmi, foto, emra konkretë, në librin e jetës së Zenepe Lukës është dhënë me vërtetësi historia e vajzës jetime, që diti t’u bëjë ballë vështirësive të mëdha, duke u përballuar me me mentalitetin e kohës dhe të regjimit, duke hedhur hapat e duhur në jetë. Guximi dhe dëshira për të përshkuar rrugën e gjatë të dijes, ka bërë që në jetën e saj të shfaqet disa herë e para. Zenepja është ndër pesë vajzat e para që çeli dyert e konviktit në shkollën tetëvjeçare të qytetit të Librazhdit. E para që u diplomua “Mësuese” në shkollën Normale të Elbasanit. Ndër pesë studentet e para që u diplomua si gazetare, por edhe e para femër gazetare që startoi profesionin në gazetën lokale “Kukësi i Ri”. Pas emërimit në Radio-Televizionin Shqiptar, përsëri është e para gazetare e këtij institucioni, që nis punën në terren, për të mbetur përsëri e para dhe i vetmi zë vajze që përcolli lajmin e hedhjes së themeleve të Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, ngjarja më e madhe për Shqipërinë e asaj kohe.
Zenepe Luka me një karrierë që i kaloi katër dekada më mbi dhjetëmijë shkrime të botuara, pas viteve 90-të është e vetmja gazetare që ka provuar terrorin e dhunën, për shkak të profesionit. Si gazetare e terrenit ajo provoi eksperiencën më të dhimbshme në jetën e saj, duke u përballur me trafikantët, me bandat, duke përcjellë ngjarjet më të dhimbshme të viteve 97-të dhe në vijim. Na gjeni, një gazetare, një tjetër grua, një nënë me fëmijë. Jo në Shqipëri që nuk ka një rast identik, por as në Ballkan nuk gjendet ndonjë rast që të jetë kërcënuar, goditur fizikisht, përballuar me gjyqe, me pushtetarë, me politikanë, me prokurorë e gjyqtarë, me gazeta e shërbëtore të pushtetit, për të mbërritur në aktin e 10 majit 1998, ku me vendosjen e tritolit në banesën e saj, u synua të zhdukej familjarisht.
Kjo ka ardhur pasi bindja që e ka shoqëruar gjatë jetës Zenepe Lukën, ka qënë e mbetet se “Gazetaria nuk është vetëm profesion, por edhe mision”. Pikërisht ky është shkaku që i puthin dorën qytetarët dhe që e përballin me pushtetarët, politikanët, që nuk dëshirojnë të dalë e vërteta në shesh. Cila nënë tjetër rriti fëmijët me gjurmët e plagëve të bombës që u hodh në shtëpinë e saj më 10 maj të vitit 1998, për shkak të profesionit?
Zenepe Luka është gazetarja e terrenit që u ngjit majë maleve, në thellësitë e galerive, tek piramidat në kufi, tek gjeologët që shponin tokën për të gjetur mineral, duke çuar copëza jete në gazetë. Zenepe Luka është gazetarja që u ngjit kullave të larta, që nis nga lartësia e oxhakut të Kombinatit Metalurgjik, për të mbërritur në Kullën e Ankarasë dhe në lartësitë e Kullës Lindore në Shangaj, në lartësinë 460 metra. Është intelektualja e parë shqiptare që ngjiti Murin e Madh kinez dhe mori Çertifikatën përkatëse ku shkruhet në gjuhën kineze: “Ju që keni ngjitur Murin e Madh Kinez, jeni Heroinë e vërtetë.”
Si asnjë gazetare tjetër femër, ajo është futur në burgjet e shteteve të Europës, ku vuanin padrejtësisht bashkëatdhetarët e saj, të harruar nga shteti i tyre, është ndalur edhe tek semaforët, e ngjitur në pyllin e Firences, për të intervistuar vajzat shqiptare që u bënë prehë e dhunës, trafikut dhe prostitucionit. Zenepe Luka është një qytetare e botës që ka bërë dhe bën të pamundurën për t’i shërbyer vendit të saj, përmes vështirësishë të panumërta, pa asnjë mbështetje financiare nga shteti, zonja shqiptare që me krenari vallëzon me kurajo valsin e jetës. Sikurse shprehet vetë ajo, pasuria e vetme që u lë fëmijëve dhe brezave, është emri. Ti nderojmë e vlerësojmë këta heronj sa janë gjallë, sepse pas vdekjes është hipokrizi!
Disa opinione për Zenepe Lukën, marrë nga libri “Kjo është Jeta ime”
Helena Kadare:“Meritë kryesore e novelës së Zenepe Lukës, e titulluar “Rënkimi i Shpirtit”, është pikërisht shlyerja e kufirit midis temës së grave dhe asaj universale, pavarësisht se në këtë novelë prekëse, vendin qëndror e zë fati i një gruaje shqiptare. Ky fakt është gërshetuar në mënyrë të përgjithshme me fatin tragjik të njeritut të saj të dashur si edhe me atë të burrit të mëvonshëm.
Dritëro Agolli: Një gazetare e veçantë, kjo Zenepe Luka! Në veprimtarinë e saj publicistike e letrare dhe si veprimtare shoqërore, mbetet e gjallë, si në jetën e saj, gjithmonë në lëvizje, sikur fluturon, sikurse thotë i madhi Naim Frashëri: “Jam i gjallë dhe jam në jetë. Jam në dritë të vërtetë”. “Libri “Vlora-Vlora”, nuk është vetëm përshkrim i një materiali publicistik, por është edhe një dokument historik, me karakterin e një kronike të kohës, që pas shumë viteve, ata që do të merren me historinë, do t’i drejtohen dhe do të thonë duke cituar: “ Dëshmitarja e kohës, gazetarja Zenepe Luka ka shkruar….”
Margarita Xhepa (Nderi i Kombit): Vetëm një gazetare profesioniste, me shpirt të gjërë, që i dhimbset njeriu, vendi i saj, mund ta bëjë këtë, që bën Luka. Përpos kontributeve të saj si gazetare profesioniste, që ka një karierë të gjatë dhe të vështirë, kjo intelektuale jep një ndihmesë të madhe shoqërisë dhe veçanërisht gruas. Si themeluese dhe drejtuese e Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, pjesë e të cilit jam edhe unë, që nga dita e parë e themelimit. Ky Fondacion, që është bërë një strehëza jonë, ka të veçantën e tij, pasi na bashkon qënia grua, nënë, larg bindjeve politike, ka dhënë e jep kontribute të jashtëzakonshme për përparimin e gruas shqiptare në të gjitha trevat, për të ngritur zërin në kor, për emancipimin e mëtejshëm të saj, për ta vendosur në vendin që i mohohet si në organet vendimarrëse, ashtu edhe ato legjislative. Nuk kemi parë e dëgjuar të bëjë kaq punë, vullnetarisht, pas asnjë shpërblim, madje të vuash për të gjetur mbështetje financiare, ndonjë shoqatë tjetër. Sikurse Fondacioni që ka emrin e Ambasadores së Kombit Nermin Vlora Falaschi”, që është themeluar e drejtohet nga gazetarja, mikja jonë, e shtrenjta jonë Zenepe Luka. Sa të kemi jetën, do të udhëtojmë së bashku në udhën e gjatë dhe të vështirë, për të dhënë kontributet tona në interes të gruas, të shoqërisë, kontribute, që në mos sot, nesër, do të zënë vendin e duhur në historikun e gruas shqiptare. Faleminderit! Ke mirënjohjen tonë Zenepe Luka!
Tefta Radi:Zenepe Luka është krenaria e gazetarisë shqiptare. Gazetarja, publicistja dhe shkrimtarja, autore e disa veprave të zhanreve të ndryshme, është ajo që e njohim të gjithë ne gazetarët. Luka rebele, e kudogjëndura në situatat më të rënda dhe zhvillimet që përjetoi vendi ynë, në këto vite të vështira të trazicionit. E njohur brenda dhe jashtë vendit në përpjekjet e saj për të emancipuar edhe më tej gruan shqiptare, veçanërisht në Diasporë, synon t’i bëjë gratë shqiptare të ndërgjegjëshme për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave kombëtare tek brezat e ardhshëm, pasi vetëm në këtë mënyrë integrimi në botën e madhe të diversitetit të kulturave, do të jetë domethënës, duke kontribuar me identitetin shqiptar. Kjo është Luka, që njoh unë. Padyshim ajo është pjesë e shquar dhe krenari e gazetarisë shqiptare.
Tinka Kurti:Pas shumë aktivitetesh në Fondacionin “Nermin Vlora Falaschi”, që është themeluar dhe drejton Zenepe Luka, unë për vehte u binda se kjo grua e kishte emrin Zemërnep. Dikush mund të drejtohet dhe të më thotë: Gabon, Tinka, kjo grua e ka emrin Zenepe. – Jo , do t’i përgjigjem. Për mua ajo është zemërnep, sepse e kemi provuar tashmë, që është një grua me zemër shumë të madhe, ajo të fal dashuri, respekt, ajo të fal konsideratë. Të jep gjithshka, me qëllimin e vetëm, që t’i të jesh e qetë, e lumtur, që të aktivizon në të gjitha format, në mënyrë që ti, unë dhe të tjerat si ne, të mos rrimë e mykemi në një stol dhe të mendohemi: Unë dhashë çfarë dhashë dhe tani më duhet të pushoj. Duke dhënë këto mendime për të, dua të ngre zërin dhe të them një mendim që më del nga shpirti se: Unë jam jashtëzakonisht e lumtur dhe e gëzuar, që unë bëj pjesë në këtë Fondacion, që drejtohet nga kjo Zemërnep.Unë kështu do ta thërras tërë jetën, pasi zemra e saj ka vetëm një mission: Të japë lumturi, gëzim e gjithshka të bukur për të tjerët. Ndonjëherë rri e mendoj dhe pyes vehten: Po ku e gjen këtë forcë, kjo Zemërnep, ku e gjen këtë kurajo, si i përballon këto vështirësi kaq të mëdha, që të na çojë deri në Kinë, në Bruksel, Gjermani, Itali e shumë vende të botës, pasi në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, Gjermani,Turqi dhe deri në Kinë, nuk mbahet mend sa herë kemi shkuar për të kuvenduar me gruan. Bravo të qoftë, mikja jonë! Zemërnep mbetsh tërë jetën tënde!
Irini Qirjako(Mjeshtre e Madhe): Shumë e shtrenjta ime Zenepe Luka! E them me bindje të plotë se ti je modeli i shkëlqyer i gruas dhe nënës shqiptare.Të kam njohur nga afër si gazetare, por nuk jemi shkëputur nga njëra tjetra, që nga Kuvendi i parë i grave të shquara, që ti organizove në Vlorë dhe për të vazhduar më tej vallen e kuvendeve me Fondacionin “Nermin Vlora Falaschi”, që ti e drejton. Për mua, ti, Zenepe Luka, je njeriu më i shtrenjtë, më e dashura, gruaja më e mënçur që unë kam njohur deri më sot.Atë që ke bërë ti, e dashur, që bashkove zërin e gruas intelektuale shqiptare nga të gjitha trojet, duke bërë veprimtari aq madhore, pa u ndalur, duke e shndërruar Fondacionin në një institucion të rëndësishëm mbarëkombëtar. Ku i gjen këto energji kjo grua patriote, që prej vitesh punon vullnetarisht, udhëheq masën e grave, duke mos pasur asnjë mbështetje financiare. Ti ke sfiduar me gjithëçka, ndaj të gjitha përgjigjemi njëzëri: Je një grua e jashtëzakonshme,je modeli i gruas që punon për Kombin, shembull i tolerancës që fal vetëm dashuri e mirësi! Ti je një grua e madhe, që e themi me plot gojën sot, dhe mbetesh një shembull i sakrificës dhe vetëmohimit, për gruan shqiptare ndër breza.
Nuhi Vinca: “Shkrimtaren Zenepe Luka e njoh që nga novela “Rënkimi i shpirtit”Tek libri “VloraVlora”, lexuesi do të gjejë tre vlera: Veprën dokument, veprën monument dhe veprën testament. Mesazhet e faqeve të këtij libri publicistik, përcillen në gjuhën poetike dhe fotografike. Këtu janë shpalosur edhe tre vlerat e librit.Si monument në faqet e librit, ku autorja manifeston ngjarjen artistike si dokument, se ai do t’i shërbejë historisë për të fiksuar ngjarjet e 97-tës në Vlorë, ndërsa si testament, autorja porosit breznitë dhe hap shtegun e sugjerimeve, që asgjë të mos dalë përpara stabilitetit të Shqipërisë. (5 shkurt 1998).
Hamit Boriçi:Kur lexoj Zenepe Lukën,kam parasysh atë studenten e gazetarisë, gazetaren e çlirtë, pa komplekse, tek e cila harmonizohej pasioni, përkushtimi, guximi dhe talenti i lindur, për t’u bërë një gazetare e denjë.Po, rebele ka qënë dhe është Zenepe Luka, që i hyri rrugës së bukur, por aq delikate dhe të vështirë me ngulm, që përballoi sfidat e kohës dhe të njerëzve me paragjykime, duke i sfiduar ata, që u ndesh me zyrtarë e shtetarë prepotentë, me politikanë me vizione të kufizuara, me çirakë e puthadorë servilë. Ndaj dikush e quajti “rebele” gazetaren Luka, ndaj dikush u përpoq ta denigrojë këtë publiciste, që me shkrimet kritike, po i prishte punë dhe ata: Dikushët u futën deri në rrugën e krimit ndaj kësaj gruaje, nënë, gazetareje të vërtetë, duke ndjekur penalisht në shumë procese, duke ushtruar dhunë fizike mbi të dhe duke e korëzuar me aktin kriminal e terrorist të 10 majit të vitit 1998.
Një dorë kriminele i vendosi tek dera e shtëpisë një sasi të konsiderueshme tritoli, për ta eliminuar fizikisht me bashkëshortin dhe të dy fëmijët e saj. Megjithë goditjen e rëndë që pësoi kjo gazetare, nuk u tërhoq nga misioni i saj. Në këtë rast ajo shpalosi vlerat e saj, ato vlera që nisën udhë që kur ishte studente, që zor se janë kultivuar tek ndonjë gazetare tjetër në Shqipëri. Ajo vazhdoi misionin, pa iu dridhur dora, pse ajo që i ndodhi në Vlorë, ishte një segment i rrugës së vështirë të saj si gazetare, që meriton nderim. Zenepe Luka, tashmë është një gazetare e afirmuar me vizion të gjërë professional. Kësisoj, gazetarja me përvojë,që në karierën prej katër dekadash, përfaqëson një punë të madhe dhe me përkushtim në fushën e gazetarisë dhe të publicistikës bashkëkohëse, profilin shoqëror dhe qytetar të njërës prej gazetareve, tashmë të njohur dhe vlerësuar jo vetëm nga opinioni publik shqiptar.