Njeriu i ngriti Dibrës një përmendore fjale

"Nëse tek “Krushqia e korbit” vërejmë tendencën e autorit për të na dhënë një dimension të thyer të shpirtit njerëzor, nëpërmjet fabulave të goditura, në librat e mëvonshëm vërejmë një thyerje të spektrit estetik, një tendencë të autorit për të qenë më i thelluar dhe më gjithëpërfshirës"…

Nga Gëzim Loka

Mevlud Buci si letrar, gazetar, analist, kulturolog, njeri erudit dhe me kontribute në fushën e letrave tona kombëtare, është produkt human dhe estetik i kohës së demokracisë, i çlirimit të letërsisë dhe artit nga kufizmet dhe tejkalimet dogmatike. Në një periudhë për më shumë se njëzet vjeçare, Buci është shfaqur në letrat tona si poet, fabulist, studiues i shpirtit kolektiv, monografist, publicist e analist. Ai është autori i njëzet  e tre librave, një vepër e plotë dhe e çmuar, që i shtohet fondit të letërsisë dhe artit tonë mbarë kombëtar. Që nga botimi i librit të tij të parë “Krushqia e korbit” me fabula e deri tani pena e këtij autori nuk ka pushuar së shkruari, duke na dhënë një vepër të plotë, të  larmishme e dinjitoze, si produkt i një shoqërie të re dhe i një letërsie të çliruar nga pengesat e së kaluarës.

Nëse tek “Krushqia e korbit” vërejmë tendencën e autorit për të na dhënë një dimension të thyer të shpirtit njerëzor, nëpërmjet fabulave të goditura, në librat e mëvonshëm vërejmë një thyerje të spektrit estetik, një tendencë të autorit për të qenë më i thelluar dhe më gjithëpërfshirës. Nëse në poezi ngre probleme ekzistenciale të njeriut dhe të shoqërisë bashkëkohore, konfliktualitetin politik, etik dhe filozofik të kohës, nëse në monografitë e tij shpalos figura të lëna në harresë, hije e keqkuptime politike, nëse në analizat e tij demaskon të keqen e mistifikon shpirtin njerëzor, në fushën mbledhjes, hulumtimit e studimit të shpirtit kolektiv, veçanërisht atij dibran, Buci ka krijuar një univers më vete, të denjë për respekt, nderim e studim skrupuloz.

Poezia për Bucin është misionare e të bukurës, e kërkimit të modaliteteve shpirtërore për të tek e mira, e drejta, e bukura dhe e përsosura, si kategori estetike, morale, etike dhe filozofike. Mevlud Buci është një bard i këngës rebele, dashurore, atdhetare, i këngës ikanake që sjell me vete jehonat e tokës së tij, kujtesa dëshirash të djegura në zhegun përvëlues të kohës, rekujeme që ndjellin peizazhe të thyera të shpirtit njerëzor. Ai sjell njëkohësisht anën pamfletike dhe sarkastike të shoqërisë, veçanërisht të politikës të cilën e trajton si një pengesë të progresit social, ekonomik dhe human të shoqërisë shqiptare. Mevlud Buci ka ndërtuar një minibotë të tij, plot ngjyra dhe drita, një univers të përndezur nga sharmi dhe joshja shkrimore, ku autori ndihet në botën e tij, i vetvetishëm dhe i natyrshëm. Poezitë e Bucit nuk janë lirika me “tema të lehta” dhe motive erotiko-dashurore, natyrisht këto nuk bëjnë përjashtim nga imazhet e tij poetike, por mbi të gjitha vijnë si një kumt atdhetar, si një reagim ndaj gjithçkaje të keqe etë molepsur të kësaj shoqërie, për tu çliruar nga çdo formë tiranie të hapur e të fshehtë.

Ajo që e bën të dallueshme poezinë e Bucit nga simorat e saj është vokali i lartë atdhetar, ritmi i përndezur, figurat e gjalla dhe të shtrira horizontalisht e vertikalisht, temporitmi hazdisës dhe i krekosur, vrulli i fjalës dhe thellësia e ndjenjës dhe mendimit. Imazhet që na përfton poezia e tij janë imazhe flu, dehëse e trallisëse, me një kondicionim shpitëror të denjë për kujtesën, përjetimin, emocionin, imazhin, tekstin dhe nëntkestin, që përftohet nga e gjitha.

Një poezi dinamike, që rrok hapësira jete në lëvizje dhe zhvillim, një verb atdhetarie që përndizet në vatrat e përflakura të metaforës, plot thyerje dhe digresione, siç është vetë jeta njerëzore që ai plazmon në poezinë e tij. Kështu mund të përcakothet në vija të përgjithshme poezia e poetit Mevlud Buci i cili na përcjell një botë të thyer, plot ritme dhe vrulle, siç është vetë jeta e tij në lëvizje, drejt dashurisë universale. Buci vjen nga një trevë eposike e veriut, nga Katër Grykët e Dibrës, vendit të erërave dhe pathosit të historisë, për të sjellë me vete frymën e një poezie ndryshe, frymën e mongrafive, publicistikës dhe studimeve të mirëfillëta ndryshe. Mevlud Buci me këngën e tij unikale, i bie ndesh murit të ngrysur të kohës, murit ku e vërteta përplaset e bëhet copë-copë nga një frymë agjitative e ngritur në sistem dhe e futur me përdhunë deri tek fryma e shkrimit poetik, por që tek një natyrë kurajoze dhe rebele si ajo e tij, do të gjejë një shmangie të rrezikshme nga sinoret e asaj që mund të themi se është kthyer në një traditë ilustrative të realitetit në të gjitha zhanerat dhe llojet letrare e artistike, por veçmas në poezi.

Por ajo që e veçon Bucin dhe e bën unikal në aktin e tij krijues është gurra popullore, mbledhja, përpunimi, interpretimi e studimi skrupuloz i saj. Libri i tij voluminoz për shprehjet dhe njësitë frazeologjike dibrane është një studim shterues, për të cilin janë shprehur me konsiderata të larta shumë studiues e njerëz të letrave, midis të cilëve mund të veçonim gjuhëtarin e njohur Hajri Shehu dhe shkrimtarin e analistin Dukagjin Hata. Në këtë libër autori sjell qindra njësi e shprehje popullore, të interpretuara me një spektër studimor krejt të veçantë, të pajisur me referenca të shumta dhe material ndihmës, që e bëjnë këtë studim një vlerë të shtuar të psiko-lingusitikës dibrane e më gjerë. Po në këtë hulli janë dhe librat e tij të mëvonshëm, ku thellohet në shëmbëlltyrat, alegoritë dhe të “folmen me rrotulla” dibrane, e cila është një gjuhë e kodifikuar e prej të cilës mund të mësojnë shumë kuvendarët tanë në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo vetëm, mund të mësojnë shtetarët, politikanët dhe njerëzit me CV vipash, që shpesh nuk dinë ta thonë fjalën e tyre në kohën, vendin dhe mënyrën  e duhur. Mevlud Buci e trajton kulturën kolektive të  thellësive, siç mund ta quante atë Karl Poper, si një shprehësi të mënyrës së jetesës, si një mjet për të identifikuar vlerat e një bote të pasur shpirtërore, e cila tenton të plotërohet në përputhje me kushtet dhe rrethanat e mbijetesës materiale e shpirtërore.

Kërkimi në fushën e shpirtit njerëzor është tema e preferuar e Bucit, ana e tij unike, të cilën e pasuron me studime shteruese, që pasojnë njëra-tjetrën, me libra po kaq shterues, që e bëjnë atë të dallohet nga kolegët e tij të kësaj fushe. Alegoria si mjet identifikimi estetik, social, human, etik dhe filozofik qarkullon kudo në veprën e Bucit, identifikon jo vetëm atë përkatësi trevore që ai bën objekt shqyrtimi, por dhe vetë autorin. Ironia, grotesku, alegoria, si mjete identifimi të autorit, i sjhërbejnë atij për të ndërtuar realitete polemizuese, për të krijuar një miniunivers ku gëlon përplasja e të mirës me të keqen, e të bukurës me të shëmtuarën, e progresit shpirtëror, vlerat dhe virtytet përfaqësuese me rënien dhe degradimin në botën e veseve. Buci, në analizë të fundit, është një letrar unik, me një pasuri të madhe mjetesh të identifikimit estetik. Krijimtaria e tij, shkrimet në shtypin e përditshëm, karakteri i tyre polemist, librat e botuar, të gjitha këto janë një vlerë e shtuar e letrave tona, një hapësirë ku lexuesi mund të kërkoj gjurmët e një shpirti të bukur, gjurmët e një jete të jetuar bukur. 

SHKARKO APP