Njeriu nuk bën dot pa letërsinë e kujtimeve

 

"Letërsia e kujtimeve për jetën e një njeriu, vendlindjes dhe historisë së gjatë, që çajnë shekujve rrënjët e një fisi, është dhe do të mbetet gjithmonë tërheqëse. Njeriu nuk bën dot pa të dhe ndaj kjo letërsi kurrë nuk ka reshtur së shkruari. Sikur ajo të mungonte,  historia e kombeve do të ishte e gjymtë dhe  në gjysmë errësirë, Sepse ashtu si pyjet përbëhen nga trungjet dhe degët e pemëve, ashtu edhe popujt krijohen nga fiset që hapen degë – degë në rrjedhat e kohës".

Nga Petrit Ruka

Letërsia e kujtimeve për jetën e një njeriu, vendlindjes dhe historisë së gjatë, që çajnë shekujve rrënjët e një fisi, është dhe do të mbetet gjithmonë tërheqëse. Njeriu nuk bën dot pa të dhe ndaj kjo letërsi kurrë nuk ka reshtur së shkruari. Sikur ajo të mungonte,  historia e kombeve do të ishte e gjymtë dhe  në gjysmë errësirë, Sepse ashtu si pyjet përbëhen nga trungjet dhe degët e pemëve, ashtu edhe popujt krijohen nga fiset që hapen degë – degë në rrjedhat e kohës.

Ago Nezha vjen këtë herë me një libër të tillë, “Balil Nezha Kalorës i Trimërisë”.

. I bindur se ka ardhur koha ta rrëfejë historinë e fisit të tij të madh nga vjen, është ulur të tregoj një histori të bukur, duke u rropatur të gjejë shekujve fatin dhe tragën e vështirë të Nezhajve, përhapur gjithandej nëpër trojet e Arbërit. Dhe dashur padashur rrëfen një copë Shqipëri, nga që jo rrallë burrat e gjakut të tij, jetën e tyre e kanë lidhur aq ngushtë me fatet e atdheut, sa kësaj nuk ke si t’i shmangesh. Përderisa në kërkim të rrënjëve, rruga e çon sipër në Kurvelesh, në Nivicë, aty ku një Balil Nezha është ndër lisat e parë të pyllit të madh të këtij fisi. Nuk është një lis dokudo, po një lis kombëtar, një kapedan kryengritjesh i derdhur nëpër këngë brilante që prej dyqind e ca vjetësh i prijnë mu në ballë këngëve më të bukura folklorike të Labërisë. Figurë e njohur tej e tej historisë së Shqipërisë në luftën e paepur kryengritëse kundër pushtuesve turq, është pikërisht ai tërmeti që e përhap fisin anë e mbanë Labërisë. Pas rënies së tij heroike, fisi i kërcënuar për zhdukje shfaruese nga pushtuesi turk, duhet të përhapet e të mbijetojë i derdhur krahinave të tjera.

Dhe ja kështu niset edhe Ago Nezha pas pasardhësve të Balil Nezhës të gjej degët e fisit të madh që vijon t’i shtojë krahët e vet gjithmonë e më gjerë. Një libër me histori të çuditshme trimërie dhe tragjike, me halle dhe derte të shumta, i fortë dhe mbijetues, shpirtmadh dhe i paepur për nderin, bujar dhe qëndrestar në ditë të vështira, i çartur pas këngës dhe pushkës, me njërës të urtë dhe kope të mëdha, me burra të zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm në dashuritë e tyre kokëkrisura si një Balil tjetër i ri, që kërkon t’i ngjajë stërgjyshit të tij në kohra të tjera jo aq të mbara për të. Libri i shkruar me pasion zemre bie radhë – radhë ngjarje të thjeshta dhe të jashtëzakonshme, herë- herë aq të pazakonta sa mund të përbënin subjektin e një drame a të një romani. E midis këtyre faqeve vjen edhe jeta e tij, e vetë autorit, jo pak e trazuar viteve me gëzime dhe hidhërime, me ngjitje dhe zbritje, ashtu siç ndodh gjithmonë me dallgët që ajo bie duke të shtyrë përpara. I rritur në Dukat, në këtë fshat të madh, nga më të famshmit e më emblematikët e Labërisë për trimërinë, burrërinë dhe këngët e tij me nam, Ago Nezha sjell edhe jetën e vendlindjes me vizatime të mrekullueshme, të historisë, zakoneve dhe portrete njerëzore, që mbeten të paharrueshme për kujtesën pas leximit tërheqës.  

I shkruar  plot ngjyrime dhe me një stil të rrjedhshëm e plot bukuri fjale, libri të mbërthen deri në fund pas faqeve të tij dhe të mbush plot emocione krenare për jetën e dikurshme shqiptare, një jetë ku dashuria njerëzore dhe lidhja fisnore ishin të shenjta, ku familje nuk quhej ajo që mblidhet pas derës tënde, po e gjitha, të gjitha vatrat ku zjarri që rri ndezur ngroh njerëz të një gjaku.

Me këtë libër, Ago Nezha nuk i bën një nderim të madh vetëm fisit të tij të Nezhajve, por tërë Dukatit dhe krahinave të tjera, ku Nezhajt gjenden dhe përhapen më tej jetës. Na bën një nder të gjithë ne lexuesve që kemi shumë ç’të mësojmë nga tërë kjo galeri personazhesh, njohje dokesh e zakonesh, portrete burrash e grash të fisme, nga peisazhet dhe bukuritë e viseve që përshkruan kaq bukur, nga kumtet e humanizmit që libri na përçon emocionalisht, nga mesazhi i thjeshtë i dashurisë njerëzore që na përcjell deri në rreshtin e fundit.

Prandaj edhe ashtu krejt natyrshëm të lind urimi për rrugën e tij të mbarë. Dhe për suksesin e tij. Sikur Kapedani i madh i Labërisë, Balil Nezha, ta dinte se një nga stërnipërit e tij ia ka shkruar edhe njëherë tjetër historinë e jetës nëpër gjyle dhe plumba, me siguri do ta bekonte. Sigurisht do të emocionohej, por jo deri në përlotje. Sepse siç thotë kënga, kur ra heroikisht, nuk i mbeti as një pikë loti për veten dhe u përgjigj kështu siçthotë kjo këngë e rrallë.

                                “O Balil ç'i bëre lotët, / I kam harxhuar për shokët.“

SHKARKO APP