Njihuni me “Rivercleanupalbania”, si nisi, kush jemi dhe ku duam të mbërrijmë?
Biolovealbaniangroup nisi në vitin 2018 me vullnetarë gjimnazistë, studentë, mësues e pedagogë nga qyteti bregdetar i Durrësit, duke u bërë pjesë e projektit Interreg Med ACT4LITTER Marine Litter Watch Month, një projekt për të pastruar e studiuar mikroplastikat për pjesën e bregdetit shqiptar, projekt që u referua si leksion i hapur në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës me temë: “Monitorimi i mikroplastikave detare në plazhet e gjireve të Durrësit dhe Lalëzit”, si dhe u përmbyll me një artikull shkencor: “Marine litter on the Albanian coastline: Baseline information for improved management” në revistën “Ocean and Coastal Management” të grupit Elsevier.
Shtysa për t’u marrë me mbetjet plastike u mor nga projekti ndërkombëtar IPA DeFishGear (2013-2016), i cili ishte i pari që merrte në shqyrtim mbetjet plastike sipas metodologjisë së unifikuar për gjithë shtetet që lagen nga deti Adriatik.
Pas përvojës së parë për mbrojtjen e mjedisit, në vitin 2019 ekipi Biolovealbaniangroup, si përfaqësues e shkollës Ibrahim Kodra, arriti të fitonte çmimin e dytë midis 110 shkollave të mesme pjesëmarrëse, në Olimpiadën e Parë Ndërkombëtare të Katastrofave Natyrore dhe Teknologjike “Better knowledge against disasters”; konkurs ndërkombëtar, organizuar në kuadër të projektit BeSafeNet, i zbatuar nga Mbrojtja Civile e Qipros / Ministria e Brendshme, dhe i sponsorizuar nga Marrëveshja Evropiane dhe Mesdhetare e Rreziqeve të Mëdha (EUR-OPA), duke u paraqitur denjësisht në Këshillin e Europës në Strasburg.
Nisur nga suksesi që pati puna me rininë, në vitin 2019 vazhduan me pastrimin dhe studimin e bregdetit tonë duke u ndalur tek Gjiri i Rodonit, pranë kishës së Shna Ndout, në Kepin e Rodonit, ndryshe quajtur Kepi i Skënderbeut.
Durrësi përjetoi dy periudha të vështira: tërmetin e 26 nëntorit dhe pandeminë Covid-19. Ndaj dhe ky ekip vullnetar (me gjimnazistë, studentë, mësues e pedagogë) u përpoq të jepte mbështetjen e tij modeste në ndihmë të njerëzve në nevojë në qarkun Durrës, duke bashkëpunuar me “Lions Club International” dhe “Fundjavë Ndryshe”.
Me heqjen e kufizimeve të mbylljes nga pandemia, ekipi vullnetar filloi të organizohej për të vazhduar misionin e tij në ndihmë të komunitetit: “Pastrimin e brigjeve të detit dhe lumenjve”, tani edhe më të vendosur për të krijuar një organizatë jofitimprurëse nën emrin “Youth for NatureAlb” me vullnetarë që kanë si pikësynim mbrojtjen dhe shpëtimin e Tokës, pasi menduan se Covid-19 erdhi si rrjedhojë e prishjes të ekuilibrit Natyrë-Njeri.
@RiverCleanupAlbania mori emrin si një nismë vijuese e @RiverCleanup, e cila ndërmerr aksione në 45 vende të globit për pastrimin e lumenjve me vullnetarë, që aspirojnë mbrojtjen dhe shpëtimin e Tokës, të cilët njihen si “River Warriors – Luftëtarë të Lumenjve”, nën moton “Clean locally, celebrate globally – Pastro lokalisht, festo globalisht”.
Me River-cleanup.org kontaktuam për herë të parë përmes Instagramit më 5 qershor, duke kërkuar një mbështetje për të na ndihmuar në pastrimin e lumenjve të qytetit tonë bregdetar, Durrësit: lumenjve Ishëm dhe Erzen.
-Projekti i parë nisi me aktivitetin e 7 qershor, 2020, në bregun e lumit Erzen, fshati Katundi i Ri, ku e nisëm me 5 vullnetarë ose River Warriors, siç na quajnë organizata jofitimprurëse “River-cleanup.org” me qendër në Bruksel.
-Aktiviteti i dytë më 24 qershor, vijoi në grykëderdhjen e lumit Erzen me 15 River Warriors, ku na mbështeti Agjencia e Zonave të Mbrojtura, Durrës.
-Aktiviteti i tretë më 8 korrik vijoi në grykëderdhjen e lumit Ishëm me 17 River Warriors, ku na u bashkuan sërish
Agjencia e Zonave të Mbrojtura, Durrës dhe mbetjet e grumbulluara nga lumi u dërguan në landfillin e Sharrës, Tiranë, me mbështetjen e kompanisë private “Clean-City.al”, që operon në Durrës.
-Më datë 2 gusht realizuam aktivitetin e katërt në bashkëpunim me River-cleanup.org, me 77 River Warriors, ku u bashkuan edhe banorët e zonës, Agjencia e Zonave të Mbrojtura, Durrës, Agjencia e Zonave të Mbrojtura, Lezhë,
kompania private “Clean-City.al”, Komuna Ishëm, Bashkia Kurbin, si dhe Bashkia Durrës me Drejtorinë e Komunales.
-Sipas TheOceanCleanup, lumi Ishëm, është lumi më i ndotur në Evropë me 733,000 kg mbetje/vit, që përfundojnë në detin Adriatik!!!
Ajo që duam të bëjmë është t’i kthejmë dinjitetin lumit Ishëm siç ka emrin, “lumi i hijshëm”, të mbrojmë bukurinë e Kepit të Rodonit që ndotet nga ky lumë, dhe kjo realizohet në bashkëpunim me përvojën e Rivercleanup, përmes:
- Pastrimit të lumit me duart e njerëzve dhe me teknologjinë e fundit të TheOceanCleanup;
- Edukimit të fëmijëve dhe të rinjve në shkolla dhe universitete;
- Transformimin nga ana e kompanive dhe e qeverisë.
-Kjo përvojë e suksesshme me lumin Ishëm të shtrihet në lumenjtë Shkumbin, Seman dhe Bunë.
Bëhuni pjesë e zgjidhjes dhe jo pjesë e problemit.